Shpallen dy projektet fituese për Shtëpinë e re të Fëmijëve dhe Korpusin e Inspektorateve
Juria vendosi që dy objektet publike të zhvillohen nga ekipe të ndryshme arkitekturore.

Juria ndërkombëtare ka shpallur projektet fituese për Shtëpinë e re të Fëmijëve dhe Korpusin e Inspektorateve, duke marrë një vendim të veçantë krahasuar me konkurset e mëparshme. Sipas vlerësimit të saj, asnjë nga projektet e paraqitura nuk trajtonte në mënyrë plotësisht të suksesshme të dy programet njëkohësisht, ndaj u vendos që zhvillimi i tyre t’u besohej dy ekipeve të ndryshme arkitekturore, njëri për Shtëpinë e Fëmijëve dhe tjetri për Korpusin e Inspektorateve.
Projekti fitues për Shtëpinë e re të Fëmijëve
Për Shtëpinë e re të Fëmijëve u përzgjodh projekti i paraqitur nga shoqëria “PROGEEN l.l.c”, me nënkontraktor të specializuar Taller Hector Barroso, Studio B&L l.l.c, Doriana Bleta, Agim Seranaj dhe Ardian Paci. Gjatë prezantimit u theksua se koncepti e trajton Shtëpinë e Fëmijëve jo thjesht si një godinë apo institucion, por si një shtëpi të vërtetë, ku përfshihen jo vetëm fëmijët dhe administrata, por edhe komuniteti përreth.
Projekti është konceptuar në një zonë të formësuar nga vila me pak kate dhe synon të ruajë shkallën urbane mes rrugëve dhe rrugicave. Organizimi bazohet në oborre kolektive që formësojnë jetën e kampusit, me shtëpi të lidhura mes tyre, por që ruajnë individualitetin dhe pavarësinë. Zgjidhja arkitekturore mundëson ndriçim natyror, lëvizshmëri të shtuar dhe ndërveprim më lozonjar, me oborre që shkrihen me njëra-tjetrën dhe krijojnë hapësira për aktivitete gjatë gjithë vitit. Projekti parashikon gjithashtu bibliotekë, hapësira studimi dhe zyra administrative.
Projekti fitues për Korpusin e Inspektorateve
Për zhvillimin e Korpusit të Inspektorateve u përzgjodh shoqëria “MOTUS” shpk, me nënkontraktor të specializuar “Asab” shpk, Son Engineering & Construction, Rojkind Arquitectos S.C dhe Julian Kasharaj. Projekti parashikon ndërtimin e tre kullave, të konceptuara si struktura të thjeshta që funksionojnë si një tërësi urbane.
Sipas prezantimit të ekipit fitues, secila kullë përfaqëson një “notë” që së bashku krijojnë një “kor urban”. Njëra prej kullave është e pozicionuar në pjesën e pasme, ndërsa e para parashikohet të përfshijë funksione hoteliere dhe zyra. Projekti përfshin gjithashtu ura lidhëse mes kullave dhe hyrje të kuruara, me synimin për të krijuar pamje të forta urbane dhe një identitet të qartë arkitektonik.
Zhvillimi i pronës në partneritet me privatin
Ky projekt është pjesë e nismës së qeverisë për zhvillimin e pronës shtetërore në bashkëpunim me sektorin privat, ku barra e financimit do të mbulohet nga partneri privat. Pjesa takuese e Korporatës së Investimeve Shqiptare do të shkojë për ndërtimin e objekteve publike, përfshirë Shtëpinë e re të Fëmijëve “Zyber Hallulli”, e cila do të zhvillohet në një zonë me vila në rrugën Gramoz Pashko.
Projekti parashikohet të realizohet përmes instrumentit të sipërmarrjes, ku partneri privat do të financojë ndërtimin e Korpusit të Inspektorateve dhe Shtëpisë së re të Fëmijëve, ndërsa në këmbim do të ketë të drejtën të zhvillojë një pronë tjetër për përdorim multifunksional, në përputhje me vendimin e Këshillit të Ministrave. Ky instrument është zgjedhur pasi ofron vlerën më të lartë zhvillimore për pronën dhe mundëson një përdorim efikas dhe të qëndrueshëm si për funksione publike ashtu edhe private.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






