Pas tre ditësh bllokade, transportuesit në Malin e Zi dhe Maqedoni i japin fund protestës
Bllokimi i pikave kufitare për mallra drejt BE-së përfundon pas marrëveshjeve me qeveritë respektive.

Shoqata e Transportuesve të Malit të Zi njoftoi të enjten se ka vendosur t’i japë fund bllokimit të pikave kufitare për qarkullimin e mallrave drejt Bashkimit Evropian, një situatë që kishte prekur drejtpërdrejt edhe bizneset në Kosovë. Vendimi u mor pas një takimi me përfaqësuesit e Qeverisë malazeze, ku sipas shoqatës janë gjetur zgjidhje për një numër të konsiderueshëm problemesh, duke bërë që kamionët të fillojnë të tërhiqen nga pikat kufitare.
Sipas deklarimeve pas takimit, transportuesit kanë marrë garanci se rimbursimi i TVSH-së do të kryhet brenda afateve ligjore, se periudha e transitit për mallrat e importuara nga Mali i Zi do të jetë 72 orë dhe se propozimi për përvojë pune preferenciale do t’i paraqitet Qeverisë për votim. Megjithatë, problemi i akcizës së karburantit mbetet ende i pazgjidhur.
Kërkesat e transportuesve dhe pikat e bllokuara
Shoqata e Transportuesve Ndërkombëtarë të Mallrave të Malit të Zi kishte bllokuar qarkullimin e mallrave pranë nëntë pikave kufitare, përfshirë Debeli Brijeg, Ilino Brdo, Vraçenoviq, Rançë, Metelkë, Dobrakovë, Draçenovc, Kullë dhe Bozhaj, si dhe hyrje-daljen nga Porti i Tivarit. Gjatë protestës u lejuan të kalonin vetëm pasagjerët dhe kamionët që transportonin ilaçe, kafshë, eksplozivë dhe armë.
Protestat nisën më 26 janar nga transportues të Malit të Zi, Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjës, të cilët bllokuan disa pika kufitare drejt zonës Schengen të Bashkimit Evropian. Ata kërkuan ndryshimin e rregullores që kufizon qëndrimin e shtetasve të vendeve të treta në zonën Schengen në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore, duke argumentuar se kjo periudhë ua vështirëson ndjeshëm punën.
Ndikimi te bizneset në Kosovë
Edhe pse Kosova nuk ishte pjesë e protestave, ajo ka ndjerë pasojat e drejtpërdrejta, pasi pjesën më të madhe të importit dhe eksportit e realizon përmes transitit nëpër këto vende. Biznese kosovare raportuan vonesa, rrezikim kontratash dhe dëme financiare si pasojë e bllokadave.
Drejtues të disa kompanive kosovare kanë deklaruar se porositë drejt tregjeve evropiane janë vonuar ose rrezikojnë të dështojnë, duke vënë në rrezik marrëdhëniet tregtare dhe projektet në zhvillim. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës i është drejtuar me letër presidentes së Komisionit Evropian, duke paralajmëruar se një protestë njëjavore mund të shkaktojë pasoja serioze për kompanitë kosovare, përfshirë humbjen e kontratave me partnerët evropianë.
Zhbllokimi në Maqedoninë e Veriut
Pas tre ditësh bllokade, pika kufitare e Qafë Thanës është zhbllokuar, ndërsa Komisioni Evropian ka njoftuar se do të lëshojë viza për transportuesit nga Maqedonia e Veriut. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, i cili deklaroi se qëndrimet e transportuesve janë pranuar dhe se shoferët profesionistë do të trajtohen si kategori e veçantë në kuadër të një strategjie të re për viza.
Transportuesit, megjithëse e konsiderojnë propozimin e Komisionit Evropian si një regjim të vjetër që mund të sjellë kosto shtesë, kanë pranuar zgjidhjen në mungesë të alternativave të tjera. Përveç Qafë Thanës, zhbllokimi i pikave të tjera kufitare pritet të ndodhë gjithashtu gjatë mbrëmjes.
Burimi: Euronews
Më të lexuarat






