Secondary Adv

Ngadalësohet rritja e trafikut ajror në 2025, 11.6 mln pasagjerë në Rinas, dobët dhe porti i Durrësi

Trafiku ajror shënoi rekord pasagjerësh në 2025, por me ritme më të ulëta rritjeje, ndërsa portet, sidomos Durrësi, patën performancë më të dobët.

Në vitin 2025, nga dhe drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit kanë udhëtuar 11.6 milionë pasagjerë, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, duke shënuar nivelin më të lartë historik. Krahasuar me vitin 2024, numri i pasagjerëve u rrit me 8.7 për qind.

 

Megjithatë, pavarësisht këtij rekordi, ritmi i rritjes është ngadalësuar ndjeshëm. Një vit më parë, në 2024, numri i pasagjerëve ishte rritur me 47 për qind në bazë vjetore, duke reflektuar efektin e bazës së ulët dhe bumit turistik.

 

Transporti ajror

Sipas INSTAT, gjatë tremujorit të katërt 2025, në transportin ajror kanë operuar 28 shoqëri ajrore, nga të cilat 27 ishin të huaja dhe vetëm 1 shoqëri shqiptare. Në hapësirën ajrore shqiptare kanë fluturuar gjithsej 89,257 avionë, ku 82.8 për qind e tyre ishin mbikalime.

Volumi i mallrave, përfshirë postën, të transportuara me ajër gjatë kësaj periudhe ishte 743 ton, ku 72.4 për qind ishin mallra të hyrë dhe 27.6 për qind mallra të dalë. Krahasuar me tremujorin e katërt 2024, ky volum është rritur me 18.9 për qind.

 

Gjatë tremujorit të katërt 2025, me linja ajrore kanë udhëtuar 2,611,748 pasagjerë, nga 2,385,329 pasagjerë një vit më parë, duke shënuar një rritje prej 9.5 për qind. Ndërkohë, volumi i mallrave të tregtuara me ajër, eksport dhe import, arriti në 545 ton, ose 8.8 për qind më shumë se një vit më parë.

 

Portet dhe transporti detar

Në Shqipëri operojnë katër porte detare për transport mallrash: Durrësi, Vlora, Shëngjini dhe Limjoni në Sarandë. Porti i Durrësit mbetet porti kryesor i vendit, nga i cili gjatë tremujorit të katërt 2025 u transportuan 93.8 për qind e mallrave detare, ose rreth 1.999 mijë ton.

Volumi i mallrave të transportuara nga porti i Durrësit u rrit me 5.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Grup-mallrat kryesore të transportuara ishin koks dhe produkte të rafinuara të naftës me 15.2 për qind, metale bazë dhe produkte metalike me 12.5 për qind, si dhe produkte të tjera minerale jo metalike me 12.2 për qind.

 

Numri i anijeve të hyra dhe të dala nga portet shqiptare ishte 268, nga të cilat 253 ishin të huaja dhe 15 vendase. Ky tregues u rrit me 0.8 për qind krahasuar me tremujorin e katërt 2024, ndërsa numri i anijeve të huaja u rrit me 7.7 për qind.

 

Transporti i pasagjerëve në porte

Transporti i pasagjerëve nëpërmjet porteve detare u realizua kryesisht nga portet e Durrësit, Vlorës dhe Sarandës. Në tremujorin e katërt 2025, numri i pasagjerëve që udhëtuan nëpërmjet porteve ishte 221,628 persona.

Porti i Durrësit mbeti kryesori, me 61.9 për qind të pasagjerëve, i ndjekur nga porti i Sarandës me 30.8 për qind dhe ai i Vlorës me 7.3 për qind.

 

Për gjithë vitin 2025, volumi i pasagjerëve në portet shqiptare u rrit me rreth 101 mijë persona krahasuar me vitin 2024, duke arritur në gati 1.7 milion pasagjerë, ose 6.3 për qind më shumë. Rritja u mbështet kryesisht nga portet turistike të Sarandës dhe Vlorës, ndërsa Porti i Durrësit shënoi një rritje më të kufizuar prej rreth 16.6 mijë pasagjerësh, ose 2.1 për qind në bazë vjetore.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat