11.6 mln pasagjerë fluturuan nga Rinasi në vitin 2025, 9 per qind më shumë sesa në 2024
Tirana International Airport (TIA) ka mbyllur vitin 2025 me një performancë historike në trafikun ajror, duke konsoliduar pozicionin e tij si një nga aeroportet me rritjen më të shpejtë në rajon.

Sipas raportit zyrtar, gjatë vitit të kaluar nga aeroporti i Rinasit kanë udhëtuar gjithsej 11,640,044 pasagjerë, me një rritje mesatare vjetore prej 9% krahasuar me vitin paraardhës.
Pjesa dërrmuese e trafikut i përket fluturimeve të rregullta, të cilat kanë transportuar mbi 11.27 milionë pasagjerë, ndërsa fluturimet charter të planifikuara kanë sjellë rreth 357 mijë pasagjerë, kryesisht të përqendruar në sezonin veror. Fluturimet ad-hoc kanë pasur një peshë simbolike në totalin vjetor, me rreth 12 mijë pasagjerë.
Vera, motori kryesor i rritjes së trafikut
Muajt e verës kanë qenë sërish pika kulmore e trafikut ajror. Gushti rezulton muaji me numrin më të lartë të pasagjerëve për vitin 2025, me 1.41 milionë udhëtarë, i ndjekur nga korriku me 1.29 milionë dhe shtatori me mbi 1.19 milionë pasagjerë. Rritja mujore ka qenë veçanërisht e fortë në gusht, me +13%, duke reflektuar si zgjerimin e ofertës së fluturimeve, ashtu edhe fluksin turistik rekord drejt Shqipërisë.
Edhe muajt e fundit të vitit kanë ruajtur një volum të lartë trafiku. Tetori ka regjistruar mbi 1.04 milionë pasagjerë, ndërsa nëntori dhe dhjetori kanë sjellë respektivisht 765,890 dhe 797,152 pasagjerë, duke konfirmuar se sezonaliteti po zbutet gradualisht dhe trafiku po shpërndahet më njëtrajtshëm gjatë vitit.
Rreth 70 mijë lëvizje ajrore në një vit
Në aspektin operacional, gjatë vitit 2025 në TIA janë realizuar gjithsej 69,896 lëvizje ajrore (aircraft movements), me një rritje mesatare vjetore prej 2%. Fluturimet e rregullta përbëjnë pjesën kryesore të këtij volumi, me mbi 64 mijë lëvizje, ndërsa fluturimet charter dhe ad-hoc janë përqendruar kryesisht në muajt e sezonit turistik .
Muaji gusht shënon edhe kulmin e lëvizjeve ajrore, me 8,106 fluturime, i ndjekur nga korriku me 7,738 dhe shtatori me 7,044 fluturime. Këto shifra reflektojnë presionin maksimal mbi infrastrukturën aeroportuale gjatë verës, por edhe kapacitetin e TIA për të përballuar flukse të shtuara pa ndërprerje të ndjeshme operacionale.
Rritje e fortë e transportit ajror të mallrave
Paralelisht me trafikun e pasagjerëve, transporti ajror i mallrave (cargo) ka shënuar një rritje të ndjeshme gjatë vitit 2025. Në total, përmes TIA janë transportuar 2,805 ton mallra dhe postë, me një rritje vjetore prej 26%. Vetëm transporti ajror i mallrave (airfreight) ka arritur në 2,502 ton, ndërsa posta ajrore në 303 ton .
Rritja e cargo-s ka qenë veçanërisht e fortë në muajt e dytë të vitit, me norma dyshifrore pothuajse gjatë gjithë periudhës maj–dhjetor, duke reflektuar rritjen e aktivitetit tregtar, e-commerce dhe integrimin më të madh të Shqipërisë në zinxhirët rajonalë të furnizimit.
Një vit kyç për pozicionimin rajonal të TIA
Të dhënat e vitit 2025 tregojnë se Tirana International Airport nuk është më thjesht një aeroport sezonal, por një nyje rajonale në rritje, me trafik të qëndrueshëm pasagjerësh, zgjerim të operimeve ajrore dhe rritje të fortë të transportit të mallrave. Me mbi 11.6 milionë pasagjerë në vit, TIA ka hyrë tashmë në një kategori të re shkalle dhe kompleksiteti, duke e bërë vitin 2025 një pikë referimi për zhvillimet e ardhshme të aviacionit civil në Shqipëri.
Burimi:Ekofin.al
Më të lexuarat






