Secondary Adv

Interesat maksimale për kreditë e vogla konsumatore kanë rënë mbi 5 herë në 5 vite

Tavani ligjor i kostos reale të kredive të vogla konsumatore ka zbritur ndjeshëm që prej vitit 2022, duke ulur barrën financiare për qytetarët.

Që prej aplikimit për herë të parë në vitin 2022, Norma Efektive e Interesit maksimal për kreditë konsumatore me këste në fashën 0–200 mijë lekë ka shënuar një rënie të fortë dhe të qëndrueshme. Të dhënat më të fundit të publikuara nga Banka e Shqipërisë në janar 2026 tregojnë se NEI maksimal për këtë segment ka zbritur në 54.8 për qind, nga nivele që përpara ndërhyrjeve rregullatore arrinin deri në 300 për qind.

 

Në terma praktikë, kjo do të thotë se brenda pesë viteve, tavani ligjor i kostos reale të kredive të vogla konsumatore është reduktuar me më shumë se pesë herë, duke ulur ndjeshëm barrën financiare për qytetarët që përdorin këto produkte për të përballuar nevoja të përditshme.

 

Çfarë është NEI dhe pse ka rëndësi

Norma Efektive e Interesit përfaqëson koston reale të një kredie dhe përfshin jo vetëm normën nominale të interesit, por edhe të gjitha komisionet, kostot e detyrueshme të shërbimeve shoqëruese, si dhe primin e sigurimit, kur ky i fundit aplikohet. NEI maksimal është tavani ligjor që nuk mund të tejkalohet nga bankat dhe institucionet financiare jobanka, duke shërbyer si një instrument kyç për mbrojtjen e konsumatorëve nga praktikat abuzive.

 

Si përllogaritet NEI maksimal

NEI maksimal përllogaritet nga Banka e Shqipërisë çdo gjashtë muaj, mbi bazën e të dhënave të Regjistrit të Kredive për kreditë e disbursuara në gjashtëmujorin paraardhës. Për kreditë konsumatore në fashën 0–200 mijë lekë, në kushtet e stabilizimit të tregut, autoriteti mbikëqyrës ka vendosur që të mos aplikohet më marzhi shtesë prej 33 për qind, një vendim që ka kontribuar drejtpërdrejt në uljen e mëtejshme të kostos së huamarrjes dhe rritjen e përballueshmërisë për konsumatorët.

 

Masat rregullatore dhe mbrojtja e konsumatorit

Rënia e fortë e NEI maksimal lidhet drejtpërdrejt me rishikimin e rregullores “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare”, përmes së cilës Banka e Shqipërisë ka synuar të forcojë mbrojtjen e konsumatorit nga praktikat abuzive në tregun e huadhënies, të rrisë transparencën mbi koston reale të kredive dhe të kufizojë penalitetet për vonesat në pagesa, të cilat nuk mund të tejkalojnë 30 për qind të kësteve të papaguara.

 

Detyrim për të gjithë tregun financiar

Zbatimi i NEI maksimal është detyrim ligjor për të gjitha bankat dhe institucionet financiare të licencuara për aktivitet huadhënieje. Çdo ofertë kredie që tejkalon këtë tavan ose që aplikon penalitete jashtë kufijve të përcaktuar përbën shkelje të rregullores dhe ndëshkohet nga autoriteti mbikëqyrës.

 

Në një treg që për vite me radhë ka qenë i ekspozuar ndaj kostove ekstreme për kreditë e vogla, ulja e NEI maksimal me mbi pesë herë në pesë vite përfaqëson një ndryshim strukturor të rëndësishëm në favor të konsumatorëve, duke e bërë huamarrjen më transparente, më të kontrolluar dhe më të përballueshme.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat