Rritja e turizmit, familjet shqiptare fituan një rekord prej 134 mln eurosh nga Airbnb në vitin 2025
Të ardhurat nga qiradhënia afatshkurtër arritën nivelin më të lartë historik, duke e kthyer Airbnb në një konkurrent serioz të hoteleve dhe duke ndikuar edhe tregun e banesave.

Rritja e fortë e turizmit vitet e fundit ka ndryshuar ndjeshëm tregun e akomodimit në Shqipëri, me platformën Airbnb që po konkurron gjithnjë e më fort hotelet tradicionale. Sipas të dhënave analitike të AirDNA, familjet dhe individët shqiptarë gjeneruan një rekord prej 134 milionë eurosh nga qiradhënia përmes Airbnb gjatë vitit 2025.
Gjatë vitit të kaluar, mesatarisht 26.3 mijë apartamente dhe njësi të tjera banimi ishin të disponueshme për qira afatshkurtër, nga rreth 21 mijë një vit më parë, me rritje 25.3 për qind. Këto njësi gjeneruan të ardhura 23.4 për qind më të larta krahasuar me vitin 2024. Megjithatë, shtimi i ofertës ka ulur fitimin mesatar për apartament, ndërsa çmimet e qirave afatgjata po rriten me ritme të shpejta, duke shtrembëruar balancat e tregut të banesave.
Familjet po e shohin gjithnjë e më shumë banesën jo vetëm si strehë, por si aset që duhet të gjenerojë të ardhura çdo muaj, qoftë përmes qirave ditore për turistët, qoftë përmes kontratave afatgjata për banim.
Oferta në rritje dhe të ardhura rekord
Numri i njësive të listuara në Airbnb përfaqëson rreth 3 për qind të totalit të njësive për banim në vend dhe mbi 6 për qind të apartamenteve në pallate. Në janar 2021, në platformë ofroheshin vetëm rreth 6.2 mijë njësi, katër herë më pak se sot.
Shtimi i ofertës ka çuar në rritjen e fortë të net-qëndrimeve, të cilat në vitin 2025 arritën në 2.36 milionë, me rritje vjetore 22.8 për qind. Kulmi u shënua në gusht, me 444 mijë net-qëndrime dhe të ardhura prej 37.2 milionë eurosh, ose rreth 24.4 për qind të totalit vjetor.
Çmimet ditore dhe konkurrenca
Çmimi mesatar ditor i qirasë në Shqipëri varion nga 40.7 euro në mars deri në 73.4 euro në gusht. Mesatarja vjetore për 2025-n ishte 56.7 euro, me një rritje minimale prej 0.5 për qind krahasuar me vitin 2024. Ndryshe nga vendet e tjera europiane, çmimet nuk janë rritur ndjeshëm, për shkak të konkurrencës së fortë nga shtimi i apartamenteve të listuara.
Në zonat bregdetare, çmimet janë më të larta, duke arritur deri në 86 euro për natë në Vlorë dhe Sarandë gjatë gushtit, ndërsa në Tiranë qiraja ditore rrallë kalon 45 euro edhe në kulmin e sezonit.
Të ardhurat reale dhe ndikimi i kursit të këmbimit
Norma mesatare e zënies së apartamenteve ishte 54 për qind në vitin 2025, që do të thotë se një njësi ishte e zënë mesatarisht 15–16 ditë në muaj. Treguesi RevPAR, që mat të ardhurat reale ditore, ishte mesatarisht 30.7 euro, me rënie të lehtë krahasuar me vitin e mëparshëm.
E ardhura mesatare mujore bruto nga qiradhënia ditore llogaritet rreth 900 euro, por pas zbritjes së shpenzimeve për pastrim, energji, mirëmbajtje dhe komisione, fitimi real është dukshëm më i ulët. Për më tepër, zhvlerësimi i euros ka ulur të ardhurat në lekë, duke bërë që fitimi real të bjerë me rreth 4.2 për qind në vitin 2025.
Airbnb përballë hoteleve
Sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor arriti një kontribut rekord prej 4.1 për qind në Prodhimin e Brendshëm Bruto në fund të vitit 2024. Vetëm të ardhurat nga Airbnb në vitin 2025 ishin pothuajse sa xhiroja e përbashkët e 12 hoteleve më të mëdha në vend.
Të dhënat tregojnë se rreth një e katërta e net-qëndrimeve turistike në Shqipëri realizohen përmes platformës Airbnb, duke e kthyer qiradhënien afatshkurtër në një faktor kyç të ekonomisë turistike, por edhe në një burim presioni për tregun e banesave dhe qiratë afatgjata.
Burimi: Shqiptarja.com
Më të lexuarat






