Secondary Adv

Numri i të huajve që jetojnë në Shqipëri arrin rekord në 2025, rriten India, Filipinet dhe Egjipti

Në vitin 2025, numri i shtetasve të huaj me leje qëndrimi në Shqipëri arriti nivelin më të lartë historik, i nxitur kryesisht nga punësimi dhe bashkimi familjar.

Deri në fund të vitit 2025, në Shqipëri rezultojnë 27,514 shtetas të huaj me leje qëndrimi aktive, sipas të dhënave të Regjistrit Elektronik për të Huajt (FER) të siguruara nga Policia e Shtetit. Ky është niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë dhe përfaqëson një rritje prej rreth 4,800 personash, ose 22 për qind, krahasuar me vitin 2024. Rreth 65 për qind e lejeve janë dhënë për arsye punësimi, ndërsa rreth 15 për qind për bashkim familjar.

 

Kosova dhe Italia kryesojnë, rritje e fortë nga India dhe Filipinet

Nga totali i lejeve të qëndrimit aktive në fund të vitit 2025, shumica e shtetasve të huaj vijnë nga Kosova dhe Italia. Numri i shtetasve nga Kosova arriti në 6,076 persona, ose rreth 22 për qind të totalit, me një rritje vjetore prej 32 për qind. Ndryshe nga shtetasit e tjerë, qytetarët nga Kosova pajisen me leje qëndrimi pesëvjeçare.

 

Italia renditet e dyta me 3,776 shtetas me leje qëndrimi, që përbëjnë 14 për qind të totalit. Krahasuar me vitin 2024, numri i shtetasve italianë u rrit me 75 për qind.

 

Një zhvillim i dukshëm në vitin 2025 është rritja e fortë e shtetasve nga India, Filipinet dhe Egjipti, të cilët janë ngjitur përkatësisht në vendin e tretë, të katërt dhe të pestë për nga numri i lejeve të qëndrimit.

 

India, Filipinet dhe Egjipti, rritjet më të shpejta

Numri i shtetasve nga India arriti në 2,399 persona në vitin 2025, me një rritje prej 47 për qind krahasuar me vitin e mëparshëm. Ata përbëjnë rreth 14 për qind të totalit dhe punojnë kryesisht në sektorin e shërbimeve dhe të teknologjisë së informacionit.

 

Shtetasit nga Filipinet arritën në 2,213 persona, ose 130 për qind më shumë se në vitin 2024. Këta punojnë kryesisht në shërbimet shtëpiake, si dhe në sektorin e hoteleve dhe restoranteve.

 

Ndërkohë, numri i shtetasve nga Egjipti arriti në 2,007 persona në vitin 2025, pothuajse dyfish më i lartë se një vit më parë, duke përbërë rreth 7 për qind të totalit. Ata janë të punësuar në sektorë të ndryshëm, përfshirë edhe bujqësinë.

 

Shtetësi të tjera me rritje të dukshme

Numri i shtetasve nga Turqia arriti në 1,862 persona, ose 7 për qind të totalit, me një rritje vjetore prej 47 për qind. Shtetasit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës arritën në 1,128 persona, ose 164 për qind më shumë se në vitin 2024. Nga Mianmari u regjistruan 445 persona, ndërsa nga Kina 362 persona. Shtetasit nga Nigeria arritën në 184 persona në vitin 2025.

 

Aplikimet e reja u rritën ndjeshëm në 2025

Gjatë vitit 2025, sipas të dhënave të FER, u përpunuan gjithsej 19,321 aplikime për leje qëndrimi, nga 13,176 aplikime në vitin 2024. Kjo përfaqëson një rritje prej 6,145 aplikimesh, ose 47 për qind më shumë në baza vjetore.

 

Shtetësitë që kryesuan aplikimet për herë të parë në vitin 2025 ishin India me 2,691 aplikime, Filipinet me 2,415 aplikime, Italia me 2,239 aplikime, Egjipti me 2,198 aplikime dhe Kosova me 1,813 aplikime. Pas tyre renditen Turqia, SHBA, Mianmari, Rusia dhe Ukraina.

 

Punësimi mbetet arsyeja kryesore

Motivi kryesor për pajisjen me leje qëndrimi vijon të jetë punësimi. Në vitin 2025, rreth 65 për qind e aplikimeve të reja ishin për leje unike punësimi, të ndjekura nga bashkimi familjar me 13 për qind dhe studimet me rreth 5 për qind. Aplikimet për leje të përhershme qëndrimi ishin vetëm 40 raste, ose 0.2 për qind e totalit.

 

Sipas të dhënave, nga totali i aplikimeve për vitin 2025, 7,049 aplikime, ose 36.4 për qind, u paraqitën nga femra, ndërsa 12,272 aplikime, ose 63.6 për qind, nga meshkuj.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat