Sigurimi i detyrueshëm i banesave do të përfshijë jo vetëm tërmetet, por edhe përmbytjet
Qeveria ka zgjeruar projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të banesave, duke shtuar përmbytjet si rrezik të mbuluar krahas tërmeteve, çka pritet të rrisë edhe koston e primit të sigurimit.

Qeveria shqiptare ka rishikuar sërish projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të banesave, duke përfshirë tashmë edhe përmbytjet si rrezik të siguruar, përveç tërmeteve. Projektligji është riemërtuar “Për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet dhe përmbytjet” dhe synon mbulimin e humbjeve financiare të pësuara nga pronarët për shkak të dëmeve të shkaktuara nga këto dy fenomene natyrore.
Përfshirja e përmbytjeve zgjeron ndjeshëm fushën e mbulimit të skemës së detyrueshme, por njëkohësisht pritet të shoqërohet me një prim sigurimi më të lartë krahasuar me variantin e mëparshëm, i cili parashikonte vetëm sigurimin nga tërmetet.
Fondi Kombëtar për sigurimin e detyrueshëm
Edhe në variantin e përditësuar të projektligjit parashikohet krijimi i Fondit Kombëtar për Sigurimin e Detyrueshëm nga Tërmetet dhe Përmbytjet. Ky fond do të administrojë skemën e detyrueshme dhe do të sigurojë jo vetëm banesat, por edhe seksionet brenda tyre që përdoren si njësi shërbimi, zyra apo për qëllime të tjera të ngjashme.
Fondi do të krijohet si person juridik publik, i organizuar në formën e një shoqërie aksionare, dhe do të funksionojë sipas parashikimeve të këtij ligji dhe legjislacionit në fuqi për tregtarët dhe shoqëritë tregtare.
Shuma maksimale e sigurimit do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për financat.
Si do të llogaritet primi i sigurimit
Metodologjia e përcaktimit të primit për sigurimin e detyrueshëm nga tërmetet dhe përmbytjet, termat përkatës dhe klasifikimi i banesave sipas nivelit të rrezikut do të llogariten me metodologji aktuariale. Kjo do të bazohet në modelet e rrezikut nga tërmetet dhe përmbytjet të zhvilluara posaçërisht për Shqipërinë.
Metodologjia do të miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për financat, pas marrjes së mendimit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
Menaxhimi i skemës dhe roli i siguruesve
Këshilli i Ministrave do të përcaktojë kriteret konkurruese për përzgjedhjen e agjentëve publikë dhe privatë, si dhe të shoqërive të sigurimit që do të angazhohen në menaxhimin, shpërndarjen dhe administrimin e kontratave të sigurimit. Vendimi do të përcaktojë gjithashtu shkallën e përfshirjes së tyre, komisionet përkatëse dhe kushtet e bashkëpunimit.
Dëmshpërblimi, në varësi të shkallës së dëmtimit dhe masës së përfitimit, duhet të paguhet brenda tre muajve nga momenti i plotësimit të plotë të dokumentacionit përkatës.
Kufizime për shërbimet publike pa kontratë sigurimi
Projektligji ka forcuar mekanizmat e detyrimit për zbatimin e sigurimit të detyrueshëm. Personat që kërkojnë regjistrimin e një banese, ndryshimin e të dhënave të saj apo marrjen e shërbimeve të tjera kadastrale, do të duhet të paraqesin paraprakisht një kontratë të vlefshme sigurimi nga tërmetet dhe përmbytjet të lidhur me Fondin Kombëtar.
Mungesa e një kontrate të tillë do të pamundësojë marrjen e shërbimeve kadastrale. Po ashtu, personat që nuk lidhin kontratën e detyrueshme nuk do të përfitojnë shërbime elektronike përmes portalit qeveritar e-Albania, ndërsa lista e shërbimeve që do të kufizohen do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Këta subjekte nuk do të përfitojnë as shërbime nga Qendra Kombëtare e Biznesit.
Kufizime edhe për sigurimet vullnetare
Projektligji parashikon gjithashtu se shoqëritë private të sigurimit nuk do të lejohen të lidhin kontrata sigurimi vullnetare për tërmetet apo përmbytjet për një banesë që nuk ka lidhur më parë kontratën e sigurimit të detyrueshëm me Fondin Kombëtar.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






