Secondary Adv

Pagat minimale në Europë në 2026, si renditet Shqipëria

Edhe pas rritjes së fundit, Shqipëria mbetet në fund të renditjes europiane për pagën minimale, si në vlerë nominale, ashtu edhe sipas fuqisë reale blerëse.

Rreth 12.8 milionë punëtorë në 22 vende të Bashkimit Europian paguhen me pagën minimale ose më pak, sipas një vlerësimi të Euronews bazuar në të dhënat e Eurostat. Për shumë prej tyre, muaji janar 2026 nuk solli rritje, pasi rreth një e treta e përfituesve të pagës minimale nuk panë asnjë ndryshim krahasuar me korrikun 2025, ndërsa në katër vende nuk pati rritje fare gjatë gjithë vitit të fundit.

 

Pagat minimale në vendet e BE-së

Në janar 2026, paga minimale mujore bruto në vendet e Bashkimit Europian varion nga 620 euro në Bullgari deri në 2,704 euro në Luksemburg. Pesë vende kanë paga minimale mbi 2,000 euro: Luksemburgu, Irlanda (2,391 euro), Gjermania (2,343 euro), Holanda (2,295 euro) dhe Belgjika (2,112 euro).

 

Franca renditet poshtë këtij grupi me 1,823 euro, ndërsa Spanja ka një pagë minimale prej 1,381 euro, duke treguar diferenca të mëdha edhe mes vendeve fqinje.

 

Eurostat i ndan vendet në tre grupe: mbi 1,500 euro në muaj, nga 1,000 deri në 1,500 euro dhe nën 1,000 euro. Spanja, Sllovenia, Lituania, Polonia, Qiproja, Portugalia, Kroacia dhe Greqia bëjnë pjesë në grupin e mesëm, me diferenca relativisht të vogla mes tyre.

 

Nën 1,000 euro në shumicën e vendeve

Në 15 nga 29 vendet europiane për të cilat ka të dhëna, paga minimale është nën 1,000 euro. Të gjitha vendet kandidate të BE-së janë pjesë e këtij grupi. Paga minimale është 924 euro në Çeki, 838 euro në Hungari, 795 euro në Rumani, 654 euro në Turqi dhe 517 euro në Shqipëri.

Edhe pse tre vende kandidate kanë paga minimale më të larta se Bullgaria, Shqipëria mbetet ndër vendet me nivelin më të ulët.

 

Fuqia blerëse ndryshon renditjen

Kur pagat minimale krahasohen sipas standardit të fuqisë blerëse (PPS), diferencat mes vendeve ngushtohen ndjeshëm. PPS merr parasysh nivelin e çmimeve dhe tregon sa mund të blejë realisht një punëtor me pagën minimale në vendin e tij.

 

Pas këtij korrigjimi, paga minimale në vendet e BE-së varion nga 886 PPS në Estoni deri në 2,157 PPS në Gjermani. Nëntë vendet kryesuese mbeten të njëjta si në terma euro, ashtu edhe në terma PPS.

 

Me përjashtim të Shqipërisë, vendet kandidate të BE-së performojnë më mirë në terma PPS sesa në vlerë nominale. Shqipëria renditet e fundit me vetëm 708 PPS, shumë poshtë vendeve të rajonit si Maqedonia e Veriut (1,069 PPS), Serbia (1,105 PPS) dhe Mali i Zi (1,058 PPS). Kjo tregon se edhe pasi merret parasysh kostoja e jetesës, paga minimale në Shqipëri ka fuqinë reale më të ulët blerëse në Europë.

 

Kush fiton dhe kush humbet nga korrigjimi me PPS

Rumania është përfituesja më e madhe nga përshtatja me fuqinë blerëse, duke u ngjitur nga vendi i 20-të në vendin e 12-të. Maqedonia e Veriut përmirësohet nga vendi i 26-të në të 20-tin, Serbia nga i 22-ti në të 17-tin, ndërsa Turqia ngjitet me tre vende.

Në anën tjetër, Çekia dhe Estonia janë humbëset më të mëdha, secila duke rënë me tetë vende në renditjen sipas PPS.

 

Ku nuk ka pagë minimale dhe ku nuk pati rritje

Italia, Austria, Suedia, Danimarka dhe Finlanda nuk kanë një pagë minimale të përcaktuar me ligj. Ndërkohë, paga minimale mbeti e pandryshuar mes korrikut 2025 dhe janarit 2026 në Belgjikë, Estoni, Greqi, Spanjë, Luksemburg dhe Slloveni.

Bullgaria, Hungaria, Lituania dhe Sllovakia shënuan rritjet më të mëdha, me mbi 11% në këtë periudhë.

 

Pse ka kaq shumë diferenca

Sipas ekspertëve të Institutit Europian të Sindikatave, produktiviteti më i lartë është baza kryesore për paga minimale më të larta dhe të qëndrueshme. Ekonomitë me industri të fortë, sektor financiar të zhvilluar dhe teknologji të avancuar priren të kenë paga më të larta, ndërsa edhe fuqia negociuese e punëtorëve luan një rol të rëndësishëm.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat