Rama: BE do mbështesë punësimin e të rinjve, 65 mln euro fondi i Garancisë Rinore
Bashkimi Europian do të financojë me rreth 65 milionë euro Garancinë Rinore në Shqipëri, një program që synon të rrisë punësimin, aftësimin profesional dhe integrimin e të rinjve në tregun e punës.

U zhvillua takimi përmbyllës i Thirrjes së 10-të të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, një iniciativë që prej 10 vitesh synon të shndërrojë përvojën profesionale të të rinjve në punësim konkret në administratën publike. Programi u ofron mundësi të rinjve të moshës 21–29 vjeç, të diplomuar në ciklin Bachelor ose Master, për të hedhur hapat e parë drejt një karriere në administratën shtetërore, ndërsa gjatë këtij viti një pjesë e pjesëmarrësve kanë përfituar kontrata njëvjeçare pune.
Në aktivitet ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se Programi Kombëtar i Praktikave të Punës ka mundësuar punësimin përfundimtar të rreth 1,600 të rinjve në administratën publike. Sipas tij, ky program ka shërbyer si një urë lidhëse mes arsimit universitar dhe administratës shtetërore, duke kapërcyer pengesën e mungesës së eksperiencës profesionale që për shumë vite ka penalizuar të rinjtë në konkurset e shërbimit civil.
Programi i praktikave si urë drejt punësimit
Kryeministri Rama nënvizoi rëndësinë e meritës në procesin e përzgjedhjes, duke pranuar se çdo proces vlerësimi mbart edhe elementë subjektivë. Ai u bëri thirrje të rinjve që nuk kanë përfituar kontrata pune të mos dorëzohen dhe të vijojnë përpjekjet në konkurse dhe mundësi të tjera punësimi.
“Ky program ka punësuar në mënyrë përfundimtare rreth 1,600 persona në administratën e shtetit. Ai ka qenë një urë mes universitetit dhe administratës publike, duke kapërcyer ngërçin e mungesës së eksperiencës, që në të shkuarën ka penguar shumë vajza dhe djem të fitojnë konkurset e shërbimit civil,” u shpreh Rama.
65 mln euro për Garancinë Rinore
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri theksoi edhe rëndësinë e projektit të Garancisë Rinore, një iniciativë e përbashkët me Komisionin Europian, me një fond prej rreth 65 milionë euro. Ky program synon të mbështesë të rinjtë përmes trajnimeve, aftësimit profesional dhe krijimit të mundësive konkrete për punësim.
Rama u bëri thirrje të rinjve që të përfshihen aktivisht në këtë projekt dhe të shfrytëzojnë çdo mundësi për të rritur aftësitë e tyre profesionale, duke theksuar se në të ardhmen burimet njerëzore cilësore do të jenë gjithnjë e më të domosdoshme, ndërsa ndikimi i faktorëve të tjerë në punësim do të zbehet.
Reformë për më shumë fleksibilitet në administratë
Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se qeveria po punon për një reformë të re të legjislacionit për administratën publike, me synimin për të krijuar më shumë fleksibilitet dhe më shumë mundësi punësimi për të rinjtë. Sipas tij, rezultatet inkurajuese të programit të praktikave do të shërbejnë si bazë për vijimin e agjendës së thithjes së burimeve më të mira njerëzore që dalin nga universitetet dhe janë aktive në shoqëri.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






