Secondary Adv

Sistemi SelfCare në kolaps, kontabilistët dhe bizneset kërkojnë reagim zyrtar

Defekti i sistemit SelfCare ka hyrë në ditën e 16-të, duke bllokuar punën e bizneseve, ndërsa institucionet nuk kanë dhënë ende asnjë sqarim zyrtar.

Bizneset dhe ekonomistët po përballen prej më shumë se dy javësh me një bllokim pothuajse të plotë të sistemit SelfCare, platforma kryesore për fiskalizimin dhe përmbushjen e detyrimeve tatimore. Një numër i madh subjektesh kanë shprehur shqetësimin se sistemi hapet formalisht, por nuk lejon kryerjen e asnjë funksioni thelbësor për vijimin normal të aktivitetit.

 

“Praktikisht sistemi hapet, por nuk arrijmë të kryejmë asnjë veprim. Problem madhor mbetet mbyllja e bilanceve mujore, pasi te librat e shitjeve dhe blerjeve të regjistruara në sistem nuk mund të ndërhyhet fare”, pohon një ekonomiste në një kompani shërbimesh.

 

Sipas bizneseve, situata tashmë ka tejkaluar natyrën e një defekti teknik dhe është shndërruar në një kolaps operacional që po krijon presion serioz për respektimin e afateve ligjore, në kushte ku puna është objektivisht e pamundur.

 

“Kjo gjendje po ndikon drejtpërdrejt jo vetëm në punën e papërfunduar, por edhe në mirëqenien profesionale dhe psikologjike të stafit, i cili qëndron për orë të tëra duke pritur funksionimin e platformës, pa asnjë garanci për stabilitetin e saj”, shprehet një tjetër përfaqësues biznesi.

 

Bizneset theksojnë gjithashtu pasigurinë për të dhënat e hedhura në sistem, pasi edhe pas përpjekjeve të përsëritura nuk arrijnë të verifikojnë një pasqyrë të plotë dhe përfundimtare të regjistrimeve. Kjo, sipas tyre, krijon humbje të konsiderueshme kohe dhe kaos operacional, pa asnjë përgjegjësi nga ana e tatimpaguesve.

 

Kërkesë për komunikim zyrtar dhe pezullim penalitetesh

Kontabilisti Sotiraq Dhamo e cilëson situatën kritike dhe nënvizon mungesën totale të komunikimit institucional. Ai shprehet se është e domosdoshme që institucionet përgjegjëse të dalin publikisht me sqarime të qarta.

 

“AKSHI duhet të sqarojë se çfarë problemi ka sistemi dhe si po punohet për zgjidhjen e tij. Ministria e Financave duhet të komunikojë se si do të veprohet lidhur me mosplotësimin e detyrimeve ligjore nga tatimpaguesit, kur kjo vjen si pasojë direkte e mosfunksionimit të SelfCare”, thekson Dhamo.

 

Edhe eksperti fiskal Julian Saraçi kërkon nisjen e menjëhershme të një dialogu institucional të strukturuar, me zgjidhje afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata. Ai vlerëson si thelbësore që institucionet të deklarojnë publikisht mosaplikimin e penaliteteve për periudhën e mosfunksionimit dhe të formalizojnë shtyrjen e afateve ligjore.

 

Letra e Aleancës së Profesionistëve të Lirë

Më 27 janar, Aleanca e Profesionistëve të Lirë (APL) i është drejtuar me një letër zyrtare AKSHI-t dhe Administratës Tatimore, me dijeni edhe Ministrisë së Financave, duke raportuar probleme serioze dhe të përsëritura në funksionimin e sistemit që prej 20 janarit 2026.

 

Sipas APL-së, bllokimet kryesore lidhen me pamundësinë për regjistrimin e certifikatave të reja të fiskalizimit, duke penguar rinovimin dhe aktivizimin e elementëve bazë të sistemit. Po ashtu, raportohen vështirësi në hapjen e filialeve të reja, probleme në ndryshimin e operatorëve dhe ndërprerje të faturimit në rastet e lëvizjeve të stafit.

 

Në letër theksohet se mungesa e një komunikimi zyrtar e bën të pamundur planifikimin korrekt nga ana e bizneseve. Sipas APL-së, këto bllokime po sjellin pasoja të drejtpërdrejta si ndërprerje të punës, vonesa në arkëtime, rritje të kostove operative, rrezik për gjoba dhe penalitete, si dhe dëmtim të klimës së të bërit biznes.

 

Ekspertët fiskalë të Aleancës së Profesionistëve të Lirë pohojnë se deri më tani nuk ka pasur asnjë përgjigje apo reagim zyrtar nga institucionet lidhur me ankesat e ngritura.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat