Kontratat e energjisë, FSHU në terren për verifikim të bizneseve që kamuflohen si familjarë
Furnizuesi i Shërbimit Universal ka nisur kontrolle në terren për të identifikuar subjektet private që paguajnë tarifa familjare, ndonëse ushtrojnë aktivitet biznesi.

Subjekte private që ushtrojnë aktivitet ekonomik, kryesisht në kate të sipërme të ndërtesave shumëkatëshe, po verifikohen nga grupe kontrolli të Furnizuesit të Shërbimit Universal (FSHU), pjesë e OSHEE Group, me qëllim përputhjen e kontratave të energjisë elektrike me kategorinë reale të konsumit.
Sipas FSHU-së, janë konstatuar raste ku biznese të ndryshme nuk kanë përditësuar kontratat e energjisë, duke mbetur të regjistruara si klientë familjarë. Si pasojë, ato kanë përfituar tarifa më të ulëta, nga 8.5 deri në 9.5 lekë për kWh, në vend të tarifës 14 lekë për kWh që aplikohet për klientët biznes.
Kontrolle në terren dhe thirrje për vetëdeklarim
FSHU bën me dije se procesi i përditësimit të kontratave po vijon për të gjitha kategoritë e klientëve, në funksion të zbatimit të sistemit të ri të tarifimit sipas natyrës së aktivitetit.
“Janë ngritur grupe kontrolli në terren, të cilat kanë evidentuar subjekte private që ushtronin aktivitet biznesi, kryesisht shërbime, por tarifoheshin si klientë familjarë. FSHU fton të gjitha bizneset, organizatat jofitimprurëse dhe personat fizikë që veprojnë si biznese të verifikojnë dhe përditësojnë kontratat e tyre të energjisë, nëse rezultojnë ende të regjistruar si klientë familjarë”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Pse është i domosdoshëm procesi i verifikimit
Sipas FSHU-së, verifikimi i kontratave është i nevojshëm për të garantuar një tarifim të drejtë dhe të barabartë, bazuar në përdorimin real të energjisë. Kompania thekson se klasifikimi i pasaktë ka ardhur kryesisht si pasojë e regjistrimeve të vjetra, mungesës së përditësimit të të dhënave ose ndryshimeve në funksionin e objektit.
“Përmes këtij procesi, subjektet ftohen të bashkëpunojnë me grupet e kontrollit, të ndryshojnë kategorinë nga familjar në jofamiljar dhe të shmangin penalitetet që mund të pasojnë”, nënvizon FSHU.
Cilat subjekte përfshihen në përditësim
Në procesin e përditësimit përfshihen të gjithë subjektet që kryejnë veprimtari ekonomike si persona fizikë apo juridikë, përdorin energjinë për qëllime biznesi, si zyra, dyqane, punishte, qendra shërbimi, apo janë të regjistruar si organizata jofitimprurëse, por konsumojnë energji në funksion të veprimtarisë ekonomike.
FSHU thekson se ky proces nuk prek klientët që janë realisht konsumatorë familjarë dhe e përdorin energjinë vetëm për qëllime banimi.
Si kryhet përditësimi i kontratës
Përditësimi i kontratës përfshin verifikimin e kategorisë aktuale të klientit, plotësimin e kërkesës për ndryshim, si dhe paraqitjen e dokumentacionit që vërteton natyrën ekonomike të aktivitetit, si NIPT ose ekstrakt nga QKB.
Ky proces mund të kryhet pranë sporteleve të Qendrave të Kujdesit të Klientit të FSHU-së, si dhe online, përmes faqes zyrtare dhe aplikacionit të OSHEE-së.
FSHU dhe OSHEE Group u bëjnë thirrje të gjitha subjekteve që të mos e shtyjnë këtë proces, duke garantuar një sistem tarifimi më të rregullt, transparent dhe funksional për të gjithë përdoruesit.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






