Secondary Adv

Ekonomia dominon shqetësimet në Shqipëri: 58 për qind e të rriturve e rendisin si problemin kryesor

Mbi gjysma e shqiptarëve e shohin ekonominë si sfidën kryesore kombëtare, shumë mbi mesataren globale, sipas një studimi të ri ndërkombëtar.

Shqipëria renditet ndër vendet ku shqetësimet ekonomike dominojnë bindshëm perceptimin publik për problemet kombëtare. Sipas një studimi të ri global të realizuar nga dhe i prezantuar në, 58 për qind e të rriturve në Shqipëri përmendin ekonominë si problemin më të rëndësishëm me të cilin përballet vendi.

 

Të anketuarit në Shqipëri përmendin kryesisht çmimet e larta, pagat e ulëta dhe standardin e jetesës si shqetësimin dominant, duke reflektuar presionin e drejtpërdrejtë që kostoja e jetesës ushtron mbi familjet shqiptare.

 

Shqipëria mbi mesataren globale

Në nivel global, mesatarisht vetëm 23 për qind e të rriturve e identifikojnë ekonominë si çështjen kryesore kombëtare. Kjo e vendos Shqipërinë shumë mbi mesataren botërore dhe e rreshton atë në grupin e vendeve ku problemet ekonomike perceptohen si më urgjentet.

 

Studimi bazohet në përgjigjet e të rriturve në 107 vende, të cilëve u është kërkuar të shprehin me fjalët e tyre se cili është problemi më i rëndësishëm që përballet vendi i tyre.

 

Ekonomia dhe niveli i të ardhurave

Sipas ndarjes sipas nivelit të të ardhurave, në vendet me të ardhura të larta, mesatarisht 21 për qind e qytetarëve përmendin ekonominë ose pamundësinë për të përballuar nevojat bazë, si ushqimi dhe strehimi. Kjo përqindje rritet në 31 për qind në vendet me të ardhura mesatare të larta, në 36 për qind në vendet me të ardhura mesatare të ulëta dhe në 38 për qind në vendet me të ardhura të ulëta.

 

Në këto të fundit, 14 për qind e të anketuarve përmendin drejtpërdrejt vështirësinë për të siguruar ushqimin dhe strehimin, një nivel shumë më i lartë se në çdo grup tjetër.

 

Katër temat që dominojnë globalisht

Në shkallë globale, shqetësimet e qytetarëve grupohen në 12 kategori kryesore. Vetëm 1 për qind deklarojnë se vendi i tyre nuk ka probleme, ndërsa 4 për qind refuzojnë të përgjigjen ose shprehen se nuk e dinë.

 

Katër tema kryesore dominojnë përgjigjet: çështjet ekonomike me 23 për qind, puna dhe punësimi me 10 për qind, politika dhe qeverisja me 8 për qind, si dhe siguria dhe rendi me 7 për qind. Së bashku, këto përbëjnë rreth gjysmën e të gjitha përgjigjeve globale.

 

Shqetësime të tjera dytësore

Në një nivel më të ulët renditen ushqimi dhe strehimi, çështjet sociale, mjedisi dhe ndryshimet klimatike, si dhe shëndetësia, secila me rreth 3 për qind. Arsimi përmendet nga 2 për qind e të anketuarve, emigracioni dhe infrastruktura nga rreth 1 për qind, ndërsa më pak se 1 për qind e identifikojnë median si problemin kryesor.

 

Dallime rajonale

Sipas rajoneve, ekonomia renditet në vendin e parë pothuajse kudo, përveç Amerikës së Veriut, ku politika është shqetësimi kryesor. Në Europë dhe rajonin Azi-Paqësor, pakënaqësia politike renditet e dyta, ndërsa në Afrikën Sub-Sahariane, vendet e ish-Bashkimit Sovjetik dhe në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, problemet që lidhen me punësimin janë më të theksuara.

Në Amerikën Latine dhe Karaibe, siguria dhe rendi renditen të dytat, duke reflektuar sfida të forta sociale dhe kriminalitetin.

 

Ekonomia përmes përvojës personale

Në vlerësimin përfundimtar, raporti nënvizon se qytetarët i gjykojnë problemet kombëtare përmes përvojës së përditshme dhe jo vetëm përmes treguesve makroekonomikë. Aftësia për të përballuar jetesën, për të gjetur punë të qëndrueshme, për t’u ndier të sigurt dhe për t’u besuar institucioneve mbetet thelbësore në perceptimin e mirëqenies kombëtare.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat