Secondary Adv

Talentet po i merr Europa, 5400 karta blu për shqiptarët në dekadën e fundit

Gjermania kryeson bindshëm në tërheqjen e profesionistëve shqiptarë me kualifikim të lartë, ndërsa Shqipëria po përballet me humbje të ndjeshme të kapitalit njerëzor.

Europa po i tërheq gjithnjë e më shumë talentet shqiptare përmes Kartës Blu, një leje pune dhe qëndrimi e dedikuar për profesionistë me kualifikime të larta nga vendet jashtë Bashkimit Europian. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga, nga viti 2014 deri në vitin 2024 janë dhënë gjithsej 5 405 Karta Blu për shtetas shqiptarë.

 

Trendi i rritjes është përshpejtuar pas vitit 2019, kur nisi një valë më e strukturuar emigracioni, e fokusuar jo më te puna e pakualifikuar, por te profesionistët me arsim universitar dhe aftësi të specializuara.

 

Rritje e fortë pas vitit 2019

Në vitin 2023, shqiptarët përfituan 825 Karta Blu, ndërsa në vitin 2024 numri ra në 592, megjithatë mbetet shumë më i lartë krahasuar me vitet e mëparshme. Për krahasim, në vitin 2012 ishin dhënë vetëm 15 Karta Blu për shtetas shqiptarë, ndërsa rekordi historik u shënua në vitin 2021 me 882 leje.

 

Këto shifra tregojnë se emigracioni i kualifikuar është shndërruar në një fenomen të qëndrueshëm dhe jo më episodik.

 

Gjermania, destinacioni kryesor

Pesha kryesore e Kartave Blu për shqiptarët lidhet drejtpërdrejt me Gjermaninë. Në vitin 2021, Gjermania dha 823 Karta Blu për shtetas shqiptarë, ose rreth 93 për qind të totalit të BE-së. Në vitin 2023 u dhanë 716 leje, ose 87 për qind e totalit, ndërsa në vitin 2024 numri zbriti në 513, sërish rreth 87 për qind e Kartave Blu të dhëna për shqiptarët.

 

Përfituesit e Kartës Blu në Gjermani duhet të kenë një kontratë pune me pagë minimale vjetore rreth 43 mijë euro, ose afërsisht 3 600 euro në muaj, çka e bën këtë treg jashtëzakonisht tërheqës krahasuar me pagat në Shqipëri.

 

Italia, Austria dhe Polonia pas Gjermanisë

Pas Gjermanisë, Italia renditet e dyta për nga numri i Kartave Blu për shqiptarët, por me shifra shumë më të ulëta: 23 karta në vitin 2022, 41 në 2023 dhe 20 në vitin 2024. Austria ndjek me 11 karta në 2022, 30 në 2023 dhe 18 në 2024.

 

Një destinacion në rritje është edhe Polonia, e cila ka dhënë 11 Karta Blu për shqiptarët në vitin 2023 dhe 13 në vitin 2024, duke reflektuar zgjerimin e kërkesës për profesionistë të huaj në Europën Qendrore dhe Lindore.

 

Pse po largohen talentet shqiptare

Gjermania është kthyer vitet e fundit në një magnet për profesionistt shqiptarë, veçanërisht nga sektori i teknologjisë së informacionit dhe mjekësisë. Kjo lidhet me mungesën e theksuar të fuqisë punëtore në ekonominë më të madhe të Europës, të shkaktuar nga plakja e popullsisë dhe nevoja për mbajtjen e ritmeve të rritjes ekonomike.

 

Pagat e larta, siguria e punës dhe lehtësimi i kritereve ligjore kanë nxitur një largim të qëndrueshëm të profesionistëve të rinj nga Shqipëria.

 

Kostoja për Shqipërinë

Ndërsa Europa përfiton, Shqipëria po ndjen gjithnjë e më fort pasojat e humbjes së kapitalit njerëzor. Sipas raportit të fundit të, rreth 23 për qind e të arsimuarve shqiptarë tashmë jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.

 

Raporti thekson se Shqipëria ka një nga nivelet më të larta të emigracionit të popullsisë së arsimuar në rajonin e BERZH gjatë viteve 2023–2024, ndërkohë që kthimet e profesionistëve mbeten shumë të ulëta krahasuar me 38 vendet e analizuara.

 

Rënie në konkurrueshmërinë e talenteve

Situata reflektohet edhe në Indeksin Global të Konkurrueshmërisë së Talenteve 2025, ku Shqipëria ka rënë me 7 pozicione, duke u renditur në vendin e 63-të. Rënia lidhet me dobësimin e zhvillimit të aftësive, cilësinë e arsimit dhe aftësinë e vendit për të mbajtur profesionistët.

 

Kartat Blu në Bashkimin Europian

Në nivel të BE-së, gjatë vitit 2023 u dhanë rreth 89 mijë Karta Blu. Gjermania dominoi bindshëm me rreth 69 mijë leje, ose 78 për qind të totalit, e ndjekur nga Polonia me rreth 7 mijë dhe Franca me rreth 4 mijë.

 

Përfituesit kryesorë sipas shtetësisë ishin shtetasit e Indisë, të ndjekur nga Rusia, Turqia dhe Bjellorusia, duke reflektuar kërkesën e lartë të tregut europian për profesionistë teknikë dhe shkencorë.

 

Çfarë është Karta Blu

Karta Blu e BE-së është një leje pune dhe qëndrimi për shtetasit joanëtarë të BE-së me kualifikime të larta profesionale. Ajo u ofron përfituesve të drejtën e qëndrimit familjar, mobilitet brenda BE-së dhe mundësi për qëndrim afatgjatë.

 

Leja jepet mbi bazën e një kontrate pune dhe një pragu minimal page, i cili ndryshon sipas vendit dhe sektorit. Në Gjermani, për vitin 2025, paga minimale vjetore bruto për Kartën Blu është 48 300 euro për profesionet e përgjithshme dhe rreth 43 760 euro për profesionet me mungesë të theksuar si IT, inxhinieri dhe shëndetësi.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat