Secondary Adv

Kredia për shtëpi arriti rekord të ri në 2025

Kreditimi për blerje banesash u rrit për të shtatin vit radhazi, duke shënuar nivelin më të lartë historik, pavarësisht kufizimeve të reja rregullatore.

Kredia për shtëpi shënoi një rekord të ri historik në vitin 2025, duke u rritur për të shtatin vit radhazi. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kredia e re për blerje banesash arriti në 64.4 miliardë lekë, ose rreth 658 milionë euro të llogaritura me kursin mesatar të vitit të kaluar.

 

Krahasuar me vitin 2024, kredia e re për shtëpi u rrit me 17.3%, një normë më e lartë edhe se rritja prej 13% e regjistruar një vit më parë, duke reflektuar një kërkesë të fortë dhe të qëndrueshme për financim të pasurive të paluajtshme.

 

Portofoli i kredisë në rritje të shpejtë

Vlera e portofolit aktiv, ose teprica e kredisë për shtëpi, arriti në 243.6 miliardë lekë në fund të vitit 2025, me një rritje vjetore prej 16.7%. Ritmi i zgjerimit të portofolit u përshpejtua krahasuar me vitin 2024, kur rritja ishte 15.5%.

 

Këto shifra konfirmojnë se kreditimi për banesa mbetet një nga segmentet më dinamike të huadhënies bankare në Shqipëri.

 

Dominimi i kredisë në lekë

Normat relativisht të ulëta të interesit kanë bërë që kredia për shtëpi të dominohet nga monedha vendase edhe gjatë vitit 2025. Kredia e re për shtëpi në lekë arriti në 48.5 miliardë lekë, në rritje me 18.6% krahasuar me një vit më parë, duke përbërë më shumë se 75% të totalit të kredisë së re të disbursuar për banesa.

 

Ndërkohë, edhe kredia në euro iu rikthye rritjes pas një frenimi të përkohshëm në vitin 2024. Kredia në euro arriti vlerën e barazvlefshme të 16 miliardë lekëve, ose 14.3% më shumë se një vit më parë.

 

Efekti pas pandemisë në tregun e banesave

Të dhënat tregojnë se kreditimi për shtëpi ka shënuar rritje të fortë në vitet pas pandemisë. Në periudhën 2021–2025, sektori bankar ka dhënë rreth 254 miliardë lekë kredi të reja për blerje banesash, një nivel 115% më i lartë krahasuar me pesëvjeçarin 2016–2020.

 

Rritja e mbështetjes bankare ka pasur një ndikim të konsiderueshëm në rritjen e kërkesës për pasuri të paluajtshme dhe në shtrenjtimin e çmimeve të pronave në vitet e fundit.

 

Shqetësimet e Bankës së Shqipërisë dhe masat kufizuese

Rritja e shpejtë e kredisë për pasuri të paluajtshme ka krijuar shqetësime për stabilitetin financiar. Në vitin 2024, Banka e Shqipërisë aplikoi për herë të parë një shtesë kundërciklike në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar, me synimin për të ngadalësuar ritmet e kreditimit.

 

Ndërsa nga 1 korriku 2025 hynë në fuqi kufizime të drejtpërdrejta në kriteret e huadhënies, përfshirë raportin e kredisë ndaj vlerës së pronës dhe raportin e shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave.

 

Sipas këtyre rregullave, raporti maksimal i kredisë ndaj vlerës në lekë është 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë, ndërsa në valutë të huaj 75% dhe 70% respektivisht. Raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave është vendosur në 40% për shtëpinë e parë dhe 35% për shtëpinë e dytë në lekë, dhe më i ulët për kreditë në valutë.

 

Megjithatë, shifrat e vitit 2025 tregojnë se këto masa nuk kanë arritur të frenojnë rritjen e kreditimit për shtëpi, duke konfirmuar se kërkesa për banesa dhe roli i kredisë bankare mbeten shumë të forta.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat