Pasuritë e konfiskuara në shërbim të komunitetit, hapet thirrja për financimin e projekteve
Pasuritë e përfituara nga veprimtaria kriminale nuk do të gëzohen dhe nuk do të trashëgohen, por do të kthehen në shërbim të interesit publik, deklaroi këtë të hënë ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu.
Pasuria e krimit rikthehet në interes publik
Sipas Koçiut, paratë dhe pronat që burojnë nga droga, mashtrimi apo forma të tjera të kriminalitetit nuk janë më simbol fuqie dhe privilegji, por do të rikthehen aty ku u përkasin, te fëmijët, familjet, komunitetet në nevojë dhe viktimat e dhunës. Ajo theksoi se shteti është i vendosur që pasuritë e paligjshme të mos përfitojnë më nga aktiviteti kriminal, por të shërbejnë si instrument për solidaritet dhe zhvillim shoqëror.
Hapet thirrja për financimin e projekteve
Ministrja njoftoi se Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka hapur Thirrjen për Financim Projektesh. Kjo thirrje u drejtohet organizatave jofitimprurëse që synojnë të shndërrojnë pasuritë e konfiskuara të krimit në projekte me impakt real shoqëror.
Fondi total në dispozicion është 150,000 euro dhe nuk vjen nga buxheti i qytetarëve, por nga pasuritë e konfiskuara të krimit, të cilat rikthehen në dobi të shoqërisë. Qëllimi i mbështetjes financiare është parandalimi i kriminalitetit dhe rehabilitimi social, kulturor dhe shëndetësor i shtresave në nevojë, veçanërisht i personave dhe grupeve të prekura ose të rrezikuara nga krimi i organizuar, trafikimi dhe forma të tjera të kriminalitetit.
Thirrje për organizatat e shoqërisë civile
Koçiu, përmes një postimi në rrjetet sociale, ftoi të gjitha organizatat e shoqërisë civile të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e një përpjekjeje të përbashkët, ku pasuritë e krimit shndërrohen në shpresë, mbështetje dhe zhvillim për komunitetin.
Fushat prioritare të mbështetjes
Fushat prioritare të ndërhyrjes përfshijnë rehabilitimin social, kulturor dhe shëndetësor të shtresave në nevojë, parandalimin e kriminalitetit dhe riintegrimin e personave të prekur nga krimi, asistencën dhe rehabilitimin e viktimave të krimit të organizuar dhe trafikimit, rehabilitimin dhe trajtimin e përdoruesve të substancave narkotike, mbrojtjen e të drejtave të familjarëve të punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në krye të detyrës, si dhe asistencën dhe rehabilitimin e viktimave të trafikut të qenieve njerëzore.
Kriteret dhe afatet e aplikimit
Sipas njoftimit, aplikimi është i hapur për organizata jofitimprurëse të regjistruara në Republikën e Shqipërisë, të cilat kanë në objektin e veprimtarisë së tyre një ose më shumë nga këto fusha. Afati për dorëzimin e aplikimeve është data 9 mars 2026. Informacione të detajuara mbi kriteret, dokumentacionin dhe procedurën e aplikimit janë të disponueshme në faqen zyrtare të AAPSK-së dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme.