Qeveria u jep 1.1 mld lekë kompensim pronarëve të prekur nga ndërtimet e legalizuara
Qeveria ka miratuar në mbledhjen e esaj të sotme kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme të zëna nga ndërtimet e legalizuara.

Vendimi përcakton edhe zonat përfituese që sipas Kadastrës janë: Tiranë Rurale 1, Tiranë Rurale 2, Kamzë-Vorë, Durrës-Kavajë-Krujë, Tiranë Veri, Tiranë Jug, Vlorë, Elbasan, Lezhë, Dibër, Fier dhe Shkodër.
Sipas pikës 2 të këtij vendimi vlera e përgjithshme e kompensimit financiar do të jetë një miliard e tetëdhjetë e nëntë milionë e treqind e tetëdhjetë e tre mijë e pesëqind e dy lekë, shumë që shkon për një sipërfaqe prej njëqind e një mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e dy metra katrore.
V E N D I M
PËR
KOMPENSIMIN FINANCIAR TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME QË PREKEN NGA NDËRTIMET E LEGALIZUARA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese, të zëna nga ndërtimet e legalizuara në drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Tiranë Rurale 1, Tiranë Rurale 2, Kamzë-Vorë, Durrës-Kavajë-Krujë, Tiranë Veri, Tiranë Jug, Vlorë, Elbasan, Lezhë, Dibër, Zonat e Stimuluara, Fier dhe Shkodër.
2. Vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 1 089 383 502,2 (një miliard e tetëdhjetë e nëntë milionë e treqind e tetëdhjetë e tre mijë e pesëqind e dy presje dy) lekë, për sipërfaqen 101 752,1 (njëqind e një mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e dy presje një) m², sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken nga ndërtimet e legalizuara, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë me numrat rendorë, sipas kolonës nr.14, të shtojcës nr.1, përkatësisht: nr.10, nr.11, nr.18, nr.19, nr.24, nr.28, nr.38, nr.39, nr.43, nr.47, nr.49, nr.50, nr.52, nr.53, nr.56, nr.57, nr.62, nr.63, nr.75, nr.80, nr.83, nr.84, nr.85, nr.87, nr.104, nr.112, nr.125, nr.128, nr.132, nr.135, nr.138, nr.148, nr.152, nr.155, nr.156, nr.159, nr.168, nr.169, nr.170, nr.171, nr.172, nr.188, nr.201, nr.212, nr.219, nr.221, nr.222, nr.223, nr.248, nr.259, nr.269, nr.276, nr.282, nr.294, nr.295, nr.299, nr.304, nr.313, nr.321, nr.322, nr.379, nr.403, nr.408, nr.413, nr.418, nr.419, nr.426, nr.427, nr.428, nr.430, nr.432, nr.433, nr.436, sipas seksionit të veçantë (kolona 19), të shtojcës nr.1, shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, sipas pikave 3 dhe 4, të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.
4. Të ardhurat, që arkëtohen nga drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si rrjedhojë e kalimit të pronësisë nëpërmjet shitjes së parcelës ndërtimore, si për pasuritë shtetërore edhe për pasuritë e të tretëve, në favor të objekteve informale që legalizohen, përdoren për kompensimin e pronarëve.
5. Drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Tiranë Rurale 1, Tiranë Rurale 2, Kamzë-Vorë, Durrës-Kavajë-Krujë, Tiranë Veri, Tiranë Jug, Vlorë, Elbasan, Lezhë, Dibër, Zonat e Stimuluara, Fier dhe Shkodër kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri në regjistrat e pasurive të paluajtshme.
6. Ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Burimi: Scantv
Më të lexuarat






