Secondary Adv

OECD: Tregu ushqimor në Shqipëri i varur nga importet, çmimet mbeten të larta

Një analizë e OECD evidenton se varësia e lartë nga importet dhe kostot ndërkombëtare kanë mbajtur nën presion çmimet e produkteve bazë në Shqipëri gjatë viteve 2022–2025.

Presionet nga krizat globale dhe varësia nga importet

Një analizë e publikuar nga OECD në edicionin “Competition Policy in Eastern Europe and Central Asia” hedh dritë mbi zhvillimet e tregjeve ushqimore në Shqipëri për periudhën 2022–2025, duke theksuar luhatjet e çmimeve, strukturën e tregut dhe rolin e institucioneve në mbrojtjen e konkurrencës dhe konsumatorëve.

 

Raporti vë në dukje se produktet bazë si buka, mielli, vaji, orizi, sheqeri, vezët, frutat dhe perimet janë segmenti më i ndjeshëm ndaj rritjes së çmimeve dhe ndikojnë drejtpërdrejt në inflacion dhe buxhetet familjare. Tregu shqiptar u përball me presione të forta për shkak të pandemisë COVID-19, krizës energjetike dhe luftës në Ukrainë, të cilat sollën ndërprerje të zinxhirëve të furnizimit dhe rritje të kostove të inputeve bujqësore dhe transportit.

 

OECD thekson se një faktor vendimtar mbetet varësia e lartë nga importet për produkte kyçe si vajrat vegjetalë, sheqeri, drithërat dhe orizi, duke e bërë tregun vendas të ekspozuar ndaj luhatjeve ndërkombëtare.

 

Hetimet për vajin, orizin dhe sheqerin

Në vitet 2022–2023, Autoriteti i Konkurrencës zhvilloi një hetim të thelluar në tregun e vajit vegjetal, veçanërisht për vajin e lulediellit. Kërkesa në Shqipëri plotësohet 100% nga importet dhe rreth 80 ndërmarrje importojnë vaj të rafinuar, ndërsa pjesa më e madhe e “prodhuesve” merren vetëm me ambalazhimin e vajit të importuar.

Analiza tregoi rritje të çmimeve në fillim të vitit 2022, në përputhje me rritjen e çmimeve të importit pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, e cila prodhon rreth 45–50% të vajit të lulediellit në botë. Hetimi nuk gjeti prova për marrëveshje antikonkurruese mes operatorëve.

 

Edhe monitorimi i tregut të orizit dhe sheqerit në vitin 2023 tregoi luhatje të ndjeshme të çmimeve, por pa prova për koordinim të paligjshëm. Ndryshimet u lidhën kryesisht me rritjen e kostove të inputeve dhe transportit.

 

Tregu i bukës dhe monitorimi i festave

Gjatë vitit 2024, vëmendja u përqendrua te tregu i bukës, ku rritja e kostove të energjisë dhe miellit krijoi presion mbi çmimet. Megjithatë, sektori u vlerësua si konkurrues, falë burimeve të ndryshme të furnizimit me miell, vendase dhe të importuara.

Në periudhën 1 dhjetor 2024 – 15 janar 2025, u monitoruan çmimet e produkteve bazë si buka, mielli, orizi, vaji, vezët dhe pijet. U konstatuan rritje sezonale për shkak të kërkesës së shtuar gjatë festave, por pa prova për koordinim të paligjshëm.

 

Frutat dhe perimet: përqendrim dhe informalitet

Në vitin 2025, një hetim i thelluar në tregjet me shumicë të frutave dhe perimeve në disa qarqe evidentoi një numër të madh operatorësh të vegjël dhe të mesëm, ndërsa në zona si Fier dhe Lushnjë disa grumbullues të mëdhenj ndikojnë në formimin e çmimeve.

Sezonaliteti, importet dhe informaliteti ndikojnë ndjeshëm në konkurrencë. Fermerët përballen me mungesë magazinimi frigoriferik, akses të kufizuar në financa dhe varësi nga ndërmjetësit. OECD rekomandon rritje të transparencës, forcim të marrëdhënieve kontraktore dhe digjitalizim të sistemit të çmimeve.

 

Problemet strukturore të tregut

Raporti identifikon si problem kryesor varësinë e lartë nga importet, fuqinë e pabarabartë negociuese mes zinxhirëve të mëdhenj tregtarë dhe prodhuesve të vegjël, si dhe nivelin e lartë të informalitetit që e vështirëson monitorimin e çmimeve. Barrierat në logjistikë, certifikim dhe shpërndarje kufizojnë konkurrencën e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ndërsa niveli i ulët i ndërgjegjësimit për të drejtat e konsumatorëve mbetet një sfidë shtesë.

 

Burimi: ekofin.al


Më të lexuarat