Nga deklarimi i llogarisë bankare te faturat e fiskalizuara, si do aplikohet për kompensimin e DIVA
Individët që rezultojnë me tatim të mbipaguar pas plotësimit të DIVA 2025 mund të aplikojnë për rimbursim përmes e-Filing, duke deklaruar llogarinë bankare dhe duke ngarkuar dokumentacionin përkatës.

Deklarimi i llogarisë bankare, hapi i parë
Çdo individ që ka dorëzuar Deklaratën Vjetore të të Ardhurave Personale për vitin 2025 (DIVA) dhe rezulton me tatim të mbipaguar, pas zbritjes së 48 mijë lekëve për çdo fëmijë në ngarkim dhe deri në 100 mijë lekë për shpenzime arsimore të dokumentuara me fatura të fiskalizuara, ka të drejtë të kërkojë kompensim në sistemin e-Filing.
Sipas administratës tatimore, para paraqitjes së kërkesës te opsioni “Pyetje të përgjithshme”, deklaruesi duhet të plotësojë të dhënat e llogarisë bankare. Në “e-Filing Im”, te rubrika “Profili im” dhe “Detajet e bankës”, plotësohet formulari me emrin e bankës (i listuar nga sistemi), numrin IBAN të shkruar manualisht dhe monedhën “lekë”, ndërsa kodi SWIFT gjenerohet automatikisht. Në fushën “e vlefshme nga” shënohet data e vlefshmërisë së llogarisë bankare. Administrata thekson se informacioni duhet të jetë i saktë sipas të dhënave të bankës.
Krijimi i kërkesës për rimbursim
Pas plotësimit të të dhënave bankare, deklaruesi hyn te “Çështjet e mia” në “e-Filing Im” dhe përzgjedh opsionin “Pyetje të Përgjithshme” për të krijuar një çështje të re. Në formularin që shfaqet, duhet të shkruhet kërkesa për rimbursim sipas shumës së tatimit të mbipaguar që rezulton në DIVA.
Teksti i kërkesës plotësohet me formulimin: “Unë, (emër, mbiemër), me numër identifikimi (…), paraqes kërkesën për rimbursim/kompensim të DIVA.”
Dokumentacioni i nevojshëm
Përveç kërkesës, duhet të bashkëngjiten dokumentet përkatëse: dokumenti me të dhënat e llogarisë bankare (IBAN), certifikata familjare dhe dokumentacioni që vërteton shpenzimet arsimore për vitin 2025. Të vlefshme konsiderohen vetëm faturat e fiskalizuara për shpenzimet e arsimit, si për sistemin parashkollor ashtu edhe për atë shkollor, publik apo privat.
Tatimet kanë sqaruar se kompensimi u takon vetëm individëve që kanë paguar tatim gjatë vitit 2025. Nëse nuk është paguar tatim, nuk lind e drejta për rimbursim pas rillogaritjes vjetore.
Shembujt e kompensimit
Sipas të dhënave të publikuara, në rastin e një individi me të ardhura bruto mbi 1.2 milion lekë në vit dhe me një fëmijë, tatimi i mbipaguar mund të arrijë në 6,200 lekë. Për ata që paguhen mbi 200 mijë lekë në muaj dhe tatohen me 23%, kompensimi mund të jetë 11,040 lekë për fëmijë.
Ndërsa individët me të ardhura nën 1.2 milion lekë në vit dhe me një fëmijë, që përfitojnë edhe zbritjen për shpenzime arsimore, mund të përfitojnë rreth 25,000 lekë kompensim.
Procedurë e njëjtë edhe për individët pa fëmijë
Për herë të parë këtë vit, kompensim përfitojnë edhe individët pa fëmijë në ngarkim, nëse rezultojnë me tatim të mbipaguar si pasojë e ndryshimit të rillogaritjes së tatimit mbi bazë vjetore dhe jo mujore. Për këta deklarues, procedura është e njëjtë, por nuk kërkohet ngarkimi i certifikatës familjare.
Nëse deklaruesi nuk ka shtuar manualisht numrin e fëmijëve dhe shpenzimet arsimore, por rezulton me tatim të mbipaguar, ai duhet të paraqesë vetëm kërkesën për rimbursim dhe të dhënat e llogarisë bankare.
Afati i dorëzimit
Deri më 12 shkurt, sipas administratës tatimore, rreth 18 mijë individë kishin dorëzuar DIVA-n. Afati për plotësimin e deklaratës vjetore të të ardhurave personale është 31 mars.
Rillogaritja mbi bazë vjetore e tatimit për të ardhurat nga punësimi është aplikuar për herë të parë këtë vit, duke bërë që një pjesë e individëve të rezultojnë me mbipagesë, në varësi të shpërndarjes së të ardhurave dhe tatimit të mbajtur gjatë vitit nga punëdhënësi.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






