Mbrojtja nga zjarri: Shqipëria arrin mesataren e BE për numrin e zjarrfikësve, por jo me mjete
Shqipëria ka rritur ndjeshëm numrin e zjarrfikësve duke tejkaluar mesataren e BE-së për frymë, por investimet në mjete dhe logjistikë mbeten shumë poshtë standardeve europiane.
Rritje e fortë e personelit zjarrfikës
Ndryshimet klimatike po i bëjnë zjarret gjithnjë e më agresive, duke shkaktuar dëme të mëdha në prona, pyje, banesa dhe duke rrezikuar jetë njerëzish. Në këtë kontekst, një analizë e Ministrisë së Shtetit për Pushtetin Vendor mbi Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSh) evidenton progres të dukshëm në burimet njerëzore, por mangësi serioze në kapacitetet logjistike.
Që prej vitit 2016, kur bashkitë morën zyrtarisht në administrim këtë funksion nga Ministria e Brendshme, numri i efektivëve është rritur pothuajse dyfish. Nga 739 punonjës në fillim të procesit, në fund të vitit 2024 numri ka arritur në 1,371 zjarrfikës.
Në vitin 2015 Shqipëria kishte 0.38 zjarrfikës për çdo 1,500 banorë, ndërsa sot kjo shifër ka arritur në 0.86, duke kaluar mesataren e Bashkimit Europian prej rreth 0.81 për 27 vendet anëtare. Kjo rritje e vendos vendin në një pozicion të favorshëm për sa i përket raportit personel–popullsi.
Disbalanca mes bashkive dhe sfida e Tiranës
Për shkak të detyrimit për të përmbushur standardet minimale të personelit, bashkitë e vogla rezultojnë të kenë më shumë zjarrfikës për frymë sesa ato të mëdhatë. Tirana përbën rastin më paradoksal: megjithëse ka tre stacione zjarrfikëse, ajo shënon numrin më të ulët të efektivëve për banor, për shkak të densitetit të lartë të popullsisë, ndërtimeve të shumta shumëkatëshe dhe problematikave në qarkullimin rrugor.
Mjetet dhe logjistika mbeten pika e dobët
Nëse në aspektin e personelit ka progres, situata paraqitet më problematike në flotën e mjeteve. Aktualisht, treguesi mbetet në nivelin e 1 automjeti zjarrfikës për çdo 10,000 banorë, pothuajse i pandryshuar nga viti 2023. Rënia e numrit të mjeteve funksionale lidhet kryesisht me amortizimin dhe daljen jashtë përdorimit për shkak të vjetërsisë.
Krahasuar me vende si Gjermania apo Austria, hendeku është i konsiderueshëm. Në këto shtete, veçanërisht në zonat urbane me densitet të lartë, standardet parashikojnë një automjet për çdo 500 deri në 1,000 banorë, duke garantuar reagim më të shpejtë dhe kapacitet më të madh ndërhyrjeje.
Nevojë urgjente për investime
Të dhënat tregojnë se rritja e numrit të personelit të trajnuar nuk mjafton pa investime të konsiderueshme në infrastrukturë, mjete të reja, veshje mbrojtëse dhe pajisje moderne. Përballë shtimit të fatkeqësive natyrore dhe intensifikimit të zjarreve, përforcimi i kapaciteteve logjistike konsiderohet tashmë emergjent.
Pa një ndërhyrje të koordinuar për rinovimin e flotës dhe modernizimin e pajisjeve, shërbimi i mbrojtjes nga zjarri rrezikon të mbetet i kufizuar në përballimin e situatave kritike, pavarësisht përmirësimeve në burimet njerëzore.