Secondary Adv

Drafti i ri për investimet, shteti ofron prona me çmime të reduktuara, filtër për kapitalin e huaj

Projektligji i ri parashikon lehtësi për investitorët, përdorimin e pronave shtetërore dhe kontrolle për investimet e huaja.

Qeveria ka përgatitur një projektligj të ri për investimet në Shqipëri, i cili parashikon ndryshime në mënyrën e mbështetjes së investitorëve vendas dhe të huaj. Nisma përfshin lehtësi për përdorimin e pronave shtetërore, financimin e infrastrukturës, përshpejtimin e procedurave administrative dhe vendosjen e mekanizmave të kontrollit për investimet e huaja në sektorët strategjikë.


Projektligji “Për investimet në Republikën e Shqipërisë”, i publikuar për konsultim publik më 21 tetor 2026, synon të bashkojë në një kuadër të vetëm ligjor dispozitat që aktualisht rregullojnë investimet e huaja dhe investimet strategjike.


Me miratimin e tij parashikohet shfuqizimi i ligjit të vitit 1993 “Për investimet e huaja” dhe ligjit nr. 55/2015 “Për investimet strategjike”. Kuadri i ri synon të krijojë një sistem për identifikimin e zonave me potencial zhvillimi, përzgjedhjen e investitorëve dhe përcaktimin e formave të mbështetjes shtetërore.


Prona shtetërore me pagesa të reduktuara sipas potencialit të zonave

Një nga ndryshimet kryesore lidhet me përdorimin e pasurive shtetërore për realizimin e investimeve private. Projektligji parashikon pagesa të diferencuara në varësi të potencialit ekonomik të zonës ku do të zhvillohet projekti.


Sipas draftit, territori i vendit do të klasifikohet në tri kategori: zona me potencial të lartë zhvillimi, zona me potencial të mesëm dhe zona me potencial të ulët zhvillimi.


Klasifikimi do të miratohet nga Komiteti i Nxitjes së Investimeve, me propozim të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA). Në këtë proces do të merren në konsideratë treguesit ekonomikë, niveli i punësimit, infrastruktura, karakteristikat demografike dhe potenciali i zhvillimit të territorit.


Në varësi të kësaj ndarjeje, investitorët mund të përfitojnë nga vënia në dispozicion e pasurive të paluajtshme shtetërore me pagesa të reduktuara kundrejt vlerave të përcaktuara sipas referencave ligjore.


Për zonat me potencial të lartë zhvillimi, projektligji parashikon pagesën e 100 për qind të vlerës së përcaktuar, ndërsa për zonat me potencial të mesëm pagesa do të jetë në masën 50 për qind. Drafti parashikon edhe kategorinë e zonave me potencial të ulët zhvillimi, por në informacionin e paraqitur nuk specifikohet niveli i pagesës për këtë kategori.


Ky mekanizëm synon të orientojë kapitalin privat drejt zonave ku investimet mund të ndikojnë në krijimin e vendeve të punës dhe zhvillimin ekonomik.


Krijohet fondi i pronave shtetërore, investitorët mund të përfitojnë edhe pa konkurrim

Një tjetër risi e projektligjit është krijimi i Fondit të Nxitjes së Investimeve, i cili do të përfshijë pasuri të paluajtshme shtetërore të identifikuara si të përshtatshme për zhvillimin e projekteve private.


Fondi do të përbëhet nga prona të kategorive të ndryshme, të administruara nga institucione dhe ente publike, të cilat mund të vihen në dispozicion të investimeve të përzgjedhura në sektorë ekonomikë me interes kombëtar.


Përpara përfshirjes në fond, pasuritë do t'i nënshtrohen inventarizimit, verifikimit të statusit juridik dhe procedurave të konsolidimit të pronësisë. Lista e pronave do të publikohet në faqen zyrtare të AIDA-s, ndërsa rregullat për administrimin dhe përdorimin e tyre do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.


Projektligji parashikon gjithashtu një përjashtim nga procedurat konkurruese për rastet kur investimet zhvillohen në prona private, por kanë nevojë për përdorimin e pasurive shtetërore kufitare.


Sipas nenit 43, kur një projekt ka nevojë për akses, lidhje me infrastrukturën ose përdorimin e një prone shtetërore në funksion të investimit, subjekti mund të kërkojë vënien e saj në dispozicion, me kusht që sipërfaqja e kërkuar të mos tejkalojë 20 për qind të sipërfaqes së pronës private.


Në këto raste, pasuria shtetërore mund të vihet në dispozicion pa procedurë konkurruese, pasi Agjencia Shtetërore e Kadastrës të ketë certifikuar statusin e saj juridik. Dispozita synon të zgjidhë pengesat që mund të krijohen nga mungesa e aksesit ose e lidhjeve infrastrukturore për projektet private.


Shteti mund të bëhet bashkëinvestitor dhe të ofrojë përdorimin e brigjeve

Projektligji parashikon mundësinë që shteti shqiptar të marrë pjesë drejtpërdrejt në projekte investimi, kur kjo justifikohet nga interesi publik dhe ndikimi i pritshëm në zhvillimin ekonomik.


Pjesëmarrja shtetërore mund të realizohet përmes vënies në dispozicion të pronave, aseteve, të drejtave pasurore, infrastrukturës, mjeteve financiare ose formave të tjera të kontributit.


Kjo pjesëmarrje do të miratohet nga Komiteti i Nxitjes së Investimeve dhe mund të realizohet përmes ministrive përgjegjëse, institucioneve të tjera publike ose Korporatës Shqiptare të Investimeve. Të drejtat dhe detyrimet e shtetit si bashkëpjesëmarrës do të formalizohen në marrëveshjet përkatëse.


Një tjetër formë mbështetjeje është mundësia e dhënies së të drejtës së përdorimit të brigjeve të deteve, liqeneve dhe lumenjve për investimet e përzgjedhura.


Kjo e drejtë do të jepet me vendim të Komitetit të Nxitjes së Investimeve, pas marrjes së mendimit të institucioneve përgjegjëse dhe në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e bregdetit, mjedisin dhe turizmin.


Vendimi duhet të përcaktojë sipërfaqen, koordinatat, qëllimin dhe afatin e përdorimit, ndërsa marrëveshja do të lidhet ndërmjet investitorit dhe Agjencisë Kombëtare të Bregdetit.


Projektligji vendos edhe një kufizim për shfrytëzimin e këtyre hapësirave. Përdorimi i brigjeve si stacione plazhi ose për shërbime turistike do të lejohet vetëm pasi investimi të jetë realizuar dhe struktura akomoduese apo objekti turistik të jetë vënë në funksion.


Kontroll i investimeve të huaja, gjoba deri në dyfishin e vlerës së investimit

Një nga ndryshimet më të rëndësishme të projektligjit lidhet me krijimin e një mekanizmi të posaçëm për shqyrtimin e investimeve të huaja, për arsye të sigurisë kombëtare dhe rendit publik.


Kontrolli do të përfshijë investimet në sektorë që lidhen me infrastrukturën kritike, energjinë, transportin, komunikimet, teknologjitë e avancuara, sigurinë kibernetike, mbrojtjen, përpunimin e të dhënave dhe median.


Për transaksionet që përfshijnë shoqëri me rëndësi strategjike për sistemin kombëtar të mbrojtjes dhe sigurisë, projektligji parashikon detyrimin për marrjen e autorizimit përpara finalizimit të blerjes së aksioneve ose kuotave.


Në rastin e shoqërive të listuara në tregje të rregulluara financiare, autorizimi do të kërkohet kur pjesëmarrja e blerësit tejkalon 3 për qind, si dhe në pragjet e tjera të përcaktuara nga ligji.


Për shoqëritë e palistuara, pragu fillestar i autorizimit është mbi 10 për qind të kapitalit. Autorizime të tjera do të kërkohen kur pjesëmarrja tejkalon nivelet 15 për qind, 20 për qind, 25 për qind dhe 50 për qind.


Projektligji parashikon edhe masa ndëshkuese për shkeljen e detyrimeve të deklarimit dhe kontrollit. Në rast të mosrespektimit të detyrimeve të deklarimit ose paraqitjes së informacioneve të rreme, gjobat administrative do të variojnë nga 5 mijë deri në 100 mijë euro.


Për shkelje më të rënda, si realizimi i një investimi pavarësisht ndalimit të tij, marrja e miratimit përmes informacionit të rremë ose mosrespektimi i masave kufizuese, gjoba mund të arrijë deri në dyfishin e vlerës së investimit.


Çfarë parashikohet për investitorët strategjikë ekzistues?

Projektligji përmban dispozita kalimtare për subjektet që kanë përfituar ose kanë aplikuar për statusin e investitorit strategjik përpara hyrjes në fuqi të ligjit të ri.


Sipas këtyre dispozitave, subjektet do të vijojnë të trajtohen në bazë të procedurave dhe parashikimeve të ligjit nr. 55/2015, pavarësisht shfuqizimit të tij për aplikimet e reja.


Ky parashikim synon të ruajë vazhdimësinë juridike për projektet ekzistuese dhe aplikimet që ndodhen në proces shqyrtimi, duke shmangur ndryshimin e rregullave gjatë procedurave të nisura më parë.


78 për qind e investimeve strategjike janë përqendruar në turizëm

Në relacionin shpjegues që shoqëron projektligjin, qeveria paraqet edhe një bilanc të zbatimit të ligjit aktual për investimet strategjike, duke evidentuar përqendrimin e lartë të projekteve në sektorin e turizmit.


Sipas dokumentit, gjatë periudhës 2016–maj 2025, gjithsej 54 projekte kanë përfituar statusin e investimit ose investitorit strategjik.


Nga këto, 42 projekte, ose rreth 78 për qind e totalit, i përkasin sektorit të turizmit, ndërsa pjesa tjetër është shpërndarë në bujqësi, energji, zona të zhvillimit ekonomik dhe industri.


Relacioni evidenton se përqendrimi i investimeve strategjike në turizëm ka kufizuar diversifikimin e ndikimit ekonomik, veçanërisht në sektorë si prodhimi, teknologjia, inovacioni dhe industria.


Dokumenti pranon gjithashtu se jo të gjitha projektet strategjike kanë ecur sipas parashikimeve. Një pjesë e tyre janë realizuar, disa vijojnë të jenë në proces zbatimi, ndërsa projekte të tjera kanë kërkuar shtyrje afatesh ose nuk janë realizuar.


Sipas relacionit, përvoja e deritanishme ka evidentuar nevojën për më shumë transparencë, monitorim të investimeve dhe vlerësim më të kujdesshëm të kostove, përfitimeve dhe rreziqeve që lidhen me mbështetjen shtetërore.


Në këtë kuadër, projektligji i ri synon të zëvendësojë modelin aktual të investimeve strategjike me një sistem më të gjerë të nxitjes së investimeve, ku mbështetja shtetërore do të lidhet me potencialin ekonomik të territorit, sektorin e aktivitetit dhe procedurat e përzgjedhjes së investitorëve.


Ndryshimet mbeten ende në fazën e konsultimit publik dhe do të mund të zbatohen vetëm pas përfundimit të procedurave ligjore dhe miratimit të projektligjit.


Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat