INSTAT: Fëmijët, më të rrezikuarit nga varfëria në Shqipëri, gati dyfish më shumë se të moshuarit
Rreziku i varfërisë prek 26.2 për qind të fëmijëve në Shqipëri, kundrejt 14 për qind të personave mbi 65 vjeç.

Fëmijët janë grup-mosha më e rrezikuar nga varfëria në Shqipëri, me një nivel rreziku pothuajse dy herë më të lartë se të moshuarit. Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë vitit 2025, rreth 26.2 për qind e fëmijëve të moshës 0–17 vjeç ishin në rrezik varfërie, krahasuar me 14 për qind të personave mbi 65 vjeç. Kjo do të thotë se më shumë se një në katër fëmijë jeton në një familje me të ardhura nën kufirin e varfërisë relative.
Të dhënat e Anketës së të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës tregojnë se rreziku i varfërisë zvogëlohet me rritjen e moshës. Për grup-moshën 18–64 vjeç, ky tregues ishte 18.5 për qind, ndërsa për personat mbi 65 vjeç zbriste në 14 për qind. Diferenca prej 12.2 pikësh përqindjeje mes fëmijëve dhe të moshuarve nxjerr në pah ekspozimin më të madh të familjeve me fëmijë ndaj të ardhurave të pamjaftueshme.
Pse fëmijët janë më të rrezikuar nga varfëria?
Diferenca e konsiderueshme mes fëmijëve dhe të moshuarve lidhet kryesisht me mënyrën se si sigurohen dhe shpërndahen të ardhurat brenda familjeve. Fëmijët nuk kanë të ardhura të tyret dhe niveli i jetesës së tyre varet nga të ardhurat e prindërve ose të anëtarëve të tjerë të familjes.
Në familjet me fëmijë, veçanërisht në ato me disa fëmijë, të ardhurat nga puna duhet të mbulojnë nevojat e një numri më të madh personash. Kur vetëm njëri prind është i punësuar, pagat janë të ulëta ose punësimi është i paqëndrueshëm, rritet mundësia që të ardhurat për frymë të familjes të bien nën kufirin e varfërisë relative.
Një tjetër faktor është barra e shpenzimeve për rritjen e fëmijëve, duke përfshirë ushqimin, veshmbathjen, arsimin, transportin dhe kujdesin shëndetësor. Këto shpenzime ushtrojnë presion të vazhdueshëm mbi buxhetet familjare, megjithëse treguesi i INSTAT e mat varfërinë në bazë të të ardhurave dhe jo drejtpërdrejt të shpenzimeve.
Pensionet ndikojnë në uljen e rrezikut të varfërisë te të moshuarit
Ndryshe nga fëmijët, një pjesë e madhe e të moshuarve kanë një burim relativisht të qëndrueshëm të ardhurash nga pensionet, pavarësisht se vlera e tyre shpesh është e ulët. Pensioni siguron të ardhura të rregullta, ndërsa familjet e përbëra nga një ose dy pensionistë zakonisht kanë më pak persona në varësi ekonomike.
Megjithatë, niveli më i ulët i rrezikut të varfërisë te të moshuarit nuk nënkupton domosdoshmërisht se ata kanë një standard më të mirë jetese se fëmijët. Treguesi i INSTAT mat varfërinë relative, duke krahasuar të ardhurat e familjeve me nivelin e përgjithshëm të të ardhurave në vend, dhe jo aftësinë reale të individëve për të përballuar të gjitha nevojat e jetesës.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se vajzat kanë një rrezik pak më të lartë varfërie krahasuar me djemtë. Diferenca gjinore bëhet më e dukshme në moshat e mëdha, ku 15.1 për qind e grave mbi 65 vjeç janë në rrezik varfërie, kundrejt 12.9 për qind të burrave të së njëjtës grup-moshë.
Varfëria te fëmijët rrezikon të thellojë pabarazitë mes brezave
Përqendrimi i varfërisë te fëmijët ka pasoja që shtrihen përtej gjendjes aktuale ekonomike të familjeve. Të ardhurat e pamjaftueshme mund të kufizojnë mundësitë për ushqyerje cilësore, arsimim dhe zhvillim, duke ndikuar në perspektivën e tyre të ardhshme ekonomike dhe sociale.
Kjo situatë rrit rrezikun që pabarazitë ekonomike të trashëgohen nga një brez te tjetri, pasi fëmijët që rriten në familje me të ardhura të ulëta mund të përballen me më shumë pengesa në arsimim dhe në mundësitë e mëvonshme për punësim.
Të dhënat e INSTAT sugjerojnë se ulja e varfërisë së fëmijëve kërkon jo vetëm rritjen e të ardhurave nga puna, por edhe politika mbështetëse të orientuara drejt familjeve me fëmijë, veçanërisht atyre me të ardhura të ulëta dhe me një numër të madh personash në varësi ekonomike.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)