Transporti urban në Tiranë, vetëm 11 për qind e rrugëve kryesore me korsi për autobusët
KLSH zbulon vonesa në transportin urban të Tiranës, mungesë të biletimit elektronik dhe kosto shtesë për Bashkinë.

Modernizimi i transportit publik në Tiranë vijon të mbetet pas afateve të planifikuara. Sistemi i biletimit elektronik, që duhej të përfundonte në vitin 2022, ende nuk kishte nisur të zbatohej deri në momentin e auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH). Ndërkohë, vetëm 11% e gjatësisë së rrugëve kryesore urbane kanë korsi të dedikuara për autobusët, duke ndikuar drejtpërdrejt në shpejtësinë dhe cilësinë e transportit publik në kryeqytet.
Sipas raportit të KLSH-së për qarkullimin rrugor në Bashkinë e Tiranës, mungesa e biletimit elektronik ka penguar modernizimin e sistemit të pagesave dhe administrimin më efikas të transportit urban. Një tjetër problem i evidentuar lidhet me numrin e aboneve të shpërndara, i cili ka mbetur i pandryshuar prej vitesh, pa u përshtatur me rritjen e popullsisë dhe kërkesën reale të qytetarëve. Kjo situatë ka krijuar vështirësi për përdoruesit e rregullt të transportit publik, të cilët përballen me mungesë të aboneve.
Vetëm 11 për qind e rrugëve kryesore kanë korsi të dedikuara për autobusët
Infrastruktura rrugore mbetet një nga problematikat kryesore të transportit urban në Tiranë. Sipas auditimit, korsitë e dedikuara për autobusët mbulojnë vetëm 11% të gjatësisë së rrugëve kryesore të qytetit. Për pasojë, autobusët urbanë detyrohen të qarkullojnë në të njëjtat korsi me automjetet e tjera, duke u përballur me trafikun e rënduar dhe vonesa në itineraret e tyre. KLSH vlerëson se mungesa e korsive të dedikuara ndikon negativisht në kohën e udhëtimit dhe ul besueshmërinë e shërbimit të transportit publik.
Projekti 110 milionë euro për autobusët elektrikë, vonesa dhe kosto shtesë
Vonesa janë konstatuar edhe në projektin e transportit të shpejtë me autobusë elektrikë, i njohur si BRT (Bus Rapid Transit), me një kosto të vlerësuar prej rreth 110 milionë eurosh. Projekti është parashikuar të zbatohet në tri korridore kryesore të kryeqytetit, me synimin për të përmirësuar lëvizshmërinë urbane dhe për të rritur efikasitetin e transportit publik.
Sipas auditimit të KLSH-së, moszbatimi i aktiviteteve brenda afateve të përcaktuara ka shkaktuar kosto financiare shtesë për Bashkinë e Tiranës. Konkretisht, Bashkia ka paguar 47,569.44 euro gjatë vitit 2025 dhe 62,500 euro gjatë vitit 2026, si tarifë zotimi për pjesën e padisbursuar të huasë së marrë për financimin e projektit.
Në total, këto pagesa arrijnë në 110,069.44 euro. Tarifa vjetore e zotimit përllogaritet në masën 0.25% të shumës së padisbursuar të huasë. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, këto shpenzime mund të ishin shmangur nëse projekti do të kishte përparuar sipas afateve të përcaktuara, duke mundësuar përdorimin në kohë të fondeve të financimit.
KLSH kërkon përshpejtimin e investimeve në transportin publik
Bashkia e Tiranës i ka argumentuar vonesat në realizimin e projekteve me mungesën e kapaciteteve dhe ekspertizës së nevojshme për zbatimin e tyre. Megjithatë, Kontrolli i Lartë i Shtetit kërkon përshpejtimin e investimeve të planifikuara, zbatimin e sistemit të biletimit elektronik dhe zgjerimin e korsive të dedikuara për autobusët. Sipas institucionit, këto masa janë të nevojshme për përmirësimin e shpejtësisë, cilësisë dhe besueshmërisë së transportit publik në kryeqytet, si dhe për një administrim më efikas të burimeve financiare të Bashkisë.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)