Secondary Adv

KE: Investimet publike, probleme me përgatitjen e projekteve dhe tejkalimin e kostove

Komisioni Europian evidenton probleme me investimet publike në Shqipëri, nga tejkalimi i kostove te mungesa e kapaciteteve.

Investimet publike në Shqipëri vijojnë të realizohen nën nivelin e planifikuar, ndërsa përmirësimet ligjore për menaxhimin e tyre nuk janë përkthyer ende në rezultate konkrete. Komisioni Europian, në Raportin e Progresit për Shqipërinë 2026, evidenton se mungesa e kapaciteteve administrative, përgatitja e pamjaftueshme e projekteve, tejkalimi i kostove dhe mangësitë procedurale vazhdojnë të pengojnë zbatimin e investimeve kapitale.


Sipas Komisionit Europian, megjithëse Shqipëria ka bërë përparim në forcimin e kuadrit rregullator për menaxhimin e investimeve publike, këto ndryshime nuk janë shoqëruar me përmirësime të krahasueshme në zbatimin e projekteve. Problemet me realizimin e investimeve janë të përsëritura dhe ndikojnë drejtpërdrejt edhe në ecurinë e financave publike.


Deficiti buxhetor në 1.8 për qind të PBB-së, investimet nën planifikim

Komisioni Europian vëren se deficiti buxhetor në vitin 2025 arriti në 1.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), nga 0.7% në vitin 2024. Megjithatë, deficiti mbeti nën objektivin e planifikuar prej 2.4% të PBB-së, kryesisht për shkak se shpenzimet kapitale nuk u realizuan sipas planit.


Kjo tregon se një pjesë e diferencës ndërmjet deficitit të planifikuar dhe atij faktik nuk erdhi nga kursime të programuara, por nga mosrealizimi i investimeve publike. Sipas raportit, kjo problematikë vijon të ndikojë në efektivitetin e përdorimit të fondeve buxhetore dhe në realizimin e projekteve të planifikuara.


Ndryshimet ligjore dhe përfshirja e PPP-ve në Listën Unike të Projekteve Kombëtare

Në Raportin e Progresit evidentohet se gjatë vitit 2025 u miratuan ndryshime në procedurat e menaxhimit të investimeve publike, përfshirë dispozitat që lidhen me Listën Unike të Projekteve Kombëtare dhe kërkesat për studimet e fizibilitetit. Këto ndryshime synojnë përmirësimin e procesit të vlerësimit dhe përzgjedhjes së projekteve që financohen me fonde publike.


Gjithashtu, në dhjetor të vitit 2025 u miratua ligji i ri për partneritetet publike-private (PPP), i cili parashikon që nga shtatori 2026 projektet e kësaj natyre të përfshihen në Listën Unike të Projekteve Kombëtare dhe t'u nënshtrohen procedurave standarde të vlerësimit dhe menaxhimit të investimeve publike.



Sipas Komisionit Europian, këto reforma mund të forcojnë vlerësimin e projekteve dhe mbikëqyrjen e rreziqeve fiskale. Megjithatë, aktet nënligjore dhe udhëzimet zbatuese ende nuk janë përshtatur me legjislacionin e ri, duke krijuar pengesa për zbatimin e plotë të ndryshimeve të miratuara.


Komisioni Europian: Tejkalimi i kostove dhe mangësitë procedurale pengojnë projektet

Një nga shqetësimet kryesore të Komisionit Europian lidhet me kostot e larta të pajustifikuara të projekteve publike, problematikë e evidentuar edhe në raportimet e mëparshme. Institucioni thekson se dobësitë në fazën e planifikimit dhe përgatitjes teknike vazhdojnë të ndikojnë në realizimin e investimeve.


“Planifikimi dhe zbatimi i projekteve vijon të pengohet nga kapacitetet e kufizuara administrative, përgatitja e pamjaftueshme teknike, tejkalimet e kostove dhe mangësitë procedurale”, vëren Raporti i Progresit.


Komisioni Europian kërkon forcimin e vlerësimit dhe prioritizimit të projekteve, me qëllim që fondet publike të orientohen drejt investimeve të përgatitura dhe të realizueshme. Sipas raportit, përmirësimi i menaxhimit të investimeve kërkon rritjen e kapaciteteve administrative dhe teknike, krahas ndryshimeve në kuadrin ligjor.


Buxheti u ndryshua katër herë në 2025, KE kërkon më shumë transparencë

Një tjetër shqetësim i ngritur nga Komisioni Europian lidhet me mënyrën e ndryshimit të buxhetit gjatë vitit. Sipas raportit, qeveria vijon të përdorë aktet normative për rishikimet buxhetore, një praktikë që kufizon mbikëqyrjen parlamentare dhe transparencën fiskale.


Vetëm gjatë vitit 2025, buxheti i shtetit u ndryshua katër herë, ndërsa një tjetër rishikim u krye gjatë vitit 2026. Për këtë arsye, Komisioni Europian rekomandon rikthimin te procedurat e zakonshme të rishikimit të buxhetit përmes Parlamentit, për të garantuar një proces më transparent dhe një kontroll më të fortë institucional mbi ndryshimet e financave publike.


Rreziqet fiskale nga ndërmarrjet shtetërore dhe kontratat PPP

Komisioni Europian kërkon gjithashtu përmirësimin e menaxhimit të rreziqeve fiskale që burojnë nga ndërmarrjet shtetërore dhe kontratat e partneritetit publik-privat. Në raport theksohet nevoja për forcimin e transparencës lidhur me detyrimet financiare që këto projekte mund të krijojnë për buxhetin e shtetit.


Sipas Komisionit Europian, përmirësimi i menaxhimit të investimeve publike nuk mund të mbështetet vetëm te ndryshimet ligjore. Ai kërkon edhe forcimin e kapaciteteve për përgatitjen, vlerësimin, përzgjedhjen dhe zbatimin e projekteve, në mënyrë që fondet e planifikuara të shndërrohen në investime konkrete dhe të realizohen brenda afateve dhe kostove të përcaktuara.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat