Transporti publik kërkon TVSH 6 për qind, paralajmëron rritjen e çmimit të biletës nga 1 janari
Operatorët e transportit publik kërkojnë uljen e TVSH-së në 6 për qind, për të shmangur rritjen e çmimit të biletave.

Operatorët e transportit publik paralajmërojnë se nga 1 janari 2027 do të nisin të kërkojnë rritjen e çmimit të biletave dhe aboneve, nëse qeveria nuk përfshin transportin publik në skemën e TVSH-së së reduktuar prej 6%. Nga ndryshimi i mundshëm i çmimeve në shkallë vendi pritet të preken rreth 500 mijë qytetarë në ditë që përdorin transportin publik.
Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas, përmes një letre drejtuar Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Infrastrukturës, kërkon që transporti publik të përfshihet në kategoritë që përfitojnë normën e reduktuar të TVSH-së prej 6%. Me paketën e re fiskale, kjo skemë parashikohet të zbatohet vetëm për një listë prej 54 produktesh ushqimore.
Shoqata argumenton se rritja e propozuar e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21% do të ushtrojë presion shtesë mbi kostot e operatorëve dhe mund të çojë në kërkesa për shtrenjtimin e biletave dhe aboneve. Megjithatë, operatorët nuk mund t'i ndryshojnë në mënyrë të njëanshme tarifat, pasi çmimet e transportit qytetas dhe rrethqytetas miratohen nga organet përkatëse të vetëqeverisjes vendore.
Rreth 500 mijë qytetarë mund të preken nga rritja e çmimeve
Sipas vlerësimeve paraprake të Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas, transporti publik përdoret nga rreth 450,000–500,000 qytetarë në shkallë vendi. Një pjesë e konsiderueshme e tyre u përket familjeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme, studentëve, pensionistëve dhe personave për të cilët përdorimi i një automjeti privat është ekonomikisht i papërballueshëm.
Në letrën drejtuar institucioneve, Shoqata thekson se transporti publik nuk është thjesht një aktivitet ekonomik, por një shërbim me interes të përgjithshëm publik, i lidhur drejtpërdrejt me lëvizjen e qytetarëve, aksesin në punësim, arsim, shëndetësi dhe pjesëmarrjen në jetën ekonomike e sociale. Për këtë arsye, kërkohet që transporti publik të trajtohet nga pikëpamja fiskale në mënyrë të përafërt me produktet dhe shërbimet bazë të shportës familjare.
Shoqata vlerëson se rritja e TVSH-së standarde në 21%, pa një normë të reduktuar për transportin publik, mund të rëndojë më tej buxhetet familjare. Për shumë qytetarë, përdorimi i autobusit nuk përbën një zgjedhje konsumi, por mënyrën e vetme ekonomikisht të përballueshme për të shkuar në punë, shkollë, institucione shëndetësore apo për të përmbushur nevojat e përditshme.
Operatorët nuk mund të rrisin çmimet pa miratimin e pushtetit vendor
Një nga problematikat kryesore të ngritura nga Shoqata lidhet me faktin se operatorët e transportit publik përballen me rritje të vazhdueshme të kostove, ndërsa tarifat e shërbimit mbeten të rregulluara. Në transportin qytetas dhe rrethqytetas, çmimet e biletave dhe aboneve miratohen nga organet përkatëse të vetëqeverisjes vendore, ndërsa për shërbimet e tjera zbatohen rregullimet sipas legjislacionit të transportit rrugor.
Operatorët përballen me shtrenjtimin e karburantit dhe energjisë, rritjen e pagave dhe kontributeve për personelin, kostot e mirëmbajtjes, pjesëve të këmbimit dhe sigurimit të mjeteve, si dhe shtimin e detyrimeve fiskale. Njëkohësisht, ata duhet të përballojnë shpenzimet për rinovimin dhe modernizimin e flotës, duke respektuar kilometrat, frekuencat dhe oraret e miratuara të shërbimit.
“Në këtë situatë krijohet një pabarazi ekonomike ndërmjet detyrimeve që operatorët duhet të përmbushin dhe mundësive që kanë për sigurimin e të ardhurave. Rritja e kostove nuk mund të reflektohet automatikisht në çmimin e biletës, ndërsa të ardhurat e operatorëve mbeten të kufizuara nga tarifat e miratuara. Për rrjedhojë, çdo barrë shtesë fiskale, pa një mekanizëm përkatës lehtësimi ose kompensimi, rrezikon të thellojë rezultatin negativ financiar, të reduktojë kapacitetin investues dhe të cenojë vazhdimësinë e shërbimit”, thuhet në letrën e Shoqatës.
Shoqata kërkon liberalizimin e çmimit të biletës ose vendosjen e një mekanizmi të detyrueshëm për rishikimin dhe kompensimin e tarifave të rregulluara. Sipas saj, nuk është ekonomikisht e qëndrueshme që shteti të administrojë çmimin e shërbimit dhe njëkohësisht të rrisë detyrimet fiskale, pa parashikuar mekanizma që garantojnë mbulimin e kostove reale.
TVSH e reduktuar për transportin publik, praktikat e vendeve europiane
Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas argumenton se disa vende të Bashkimit Europian aplikojnë norma të reduktuara të TVSH-së për transportin e udhëtarëve. Në letrën e saj përmenden Portugalia, Gjermania, Austria, Italia dhe Spanja, ku trajtimi fiskal ndryshon sipas shtetit dhe llojit të shërbimit.
Në Itali, Austri dhe Spanjë aplikohet një normë prej 10%, në Gjermani 7%, ndërsa në Portugali 6%. Krahasuar me normën aktuale prej 20% në Shqipëri, diferenca është 10 pikë përqindjeje për Italinë, Austrinë dhe Spanjën, 13 pikë përqindjeje për Gjermaninë dhe 14 pikë përqindjeje për Portugalinë. Nëse norma standarde shqiptare rritet në 21%, diferenca me normën e propozuar prej 6% për transportin publik do të arrinte në 15 pikë përqindjeje.
Shoqata sqaron se nuk ekziston një normë e vetme prej 6% për të gjitha vendet e Bashkimit Europian, ndërsa Kroacia përmendet si shembull që tregon se jo të gjitha shtetet anëtare zbatojnë lehtësi fiskale për këtë shërbim.
Në këtë kuadër, propozohet ndryshimi i ligjit nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, duke përfshirë shprehimisht transportin publik të rregullt qytetas dhe rrethqytetas në kategoritë që përfitojnë TVSH të reduktuar prej 6% në shitje. Shoqata kërkon gjithashtu vlerësimin e shtrirjes së kësaj norme edhe për transportin e rregullt ndërqytetas, ruajtjen e së drejtës së kreditimit dhe rimbursimit të TVSH-së për blerjet dhe investimet, si dhe garantimin që ulja e tatimit të ndikojë në qëndrueshmërinë financiare të operatorëve dhe ruajtjen e çmimeve të përballueshme.
Kërkohet përjashtimi i autobusëve nga taksa vjetore e qarkullimit
Një tjetër kërkesë e Shoqatës lidhet me uljen e barrës fiskale mbi karburantin e përdorur në transportin publik dhe përjashtimin e autobusëve të licencuar nga taksa vjetore e qarkullimit. Në kuadër të Paketës Fiskale 2027 është propozuar zhvendosja e taksës së qarkullimit nga çmimi i karburantit drejt taksimit vjetor të automjeteve.
Shoqata kërkon që kjo reformë të mos shoqërohet me krijimin e detyrimeve të reja ose me rritjen e barrës fiskale për operatorët e transportit publik. Sipas saj, autobusët që ofrojnë shërbim publik nuk kanë të njëjtin funksion me automjetet private, pasi realizojnë itinerare të miratuara, frekuenca të përcaktuara dhe kilometra të domosdoshëm për përmbushjen e detyrimeve të shërbimit.
Për këtë arsye, kërkohet përjashtimi i autobusëve të regjistruar dhe të licencuar për transport publik të rregullt nga detyrimi i ri i taksës së qarkullimit. Gjithashtu, Shoqata propozon përjashtimin nga akciza të karburantit të përdorur dhe të dokumentuar për transportin publik ose, si alternativë, krijimin e një mekanizmi rimbursimi të akcizës.
Rimbursimi propozohet të realizohet në mënyrë periodike, mujore ose tremujore, mbi bazën e faturave të furnizimit, licencave, regjistrimit të mjeteve dhe kilometrave të realizuar. Shoqata kërkon gjithashtu analizimin e plotë të efekteve të zhvendosjes së taksës së qarkullimit, duke verifikuar uljen reale të kostos së furnizimit me karburant dhe ndikimin e taksave të reja vjetore mbi flotat e autobusëve.
Lehtësi fiskale për autobusët me gaz natyror dhe energji elektrike
Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas kërkon edhe rishikimin e akcizës mbi gazin natyror të përdorur në transportin publik dhe shqyrtimin e lehtësive fiskale për mjetet që përdorin gaz natyror të kompresuar ose të lëngshëm (CNG/LNG) dhe energji elektrike.
Në dokument theksohet se Shqipëria përshkohet nga gazsjellësi Trans Adriatic Pipeline (TAP), por infrastruktura për furnizimin e automjeteve dhe autobusëve me gaz natyror mbetet e kufizuar. Shoqata kërkon që në politikat fiskale të bëhet dallimi ndërmjet gazit natyror të kompresuar ose të lëngshëm (CNG/LNG) dhe gazit të lëngshëm të naftës (LPG), pasi këto produkte kanë karakteristika teknike, emetime dhe trajtime fiskale të ndryshme.
Propozohet shqyrtimi i nivelit të akcizës së importit, njësisë së matjes dhe bazës së përllogaritjes së detyrimeve fiskale mbi gazin natyror të destinuar për transportin publik qytetas. Gjithashtu, kërkohet analizë krahasuese e trajtimit fiskal të gazit natyror, LPG-së, gazoilit dhe karburanteve të tjera, duke marrë në konsideratë energjinë e prodhuar dhe ndikimin mjedisor.
Shoqata i referohet edhe angazhimeve ndërkombëtare të Shqipërisë për klimën, duke kujtuar se vendi është palë në Marrëveshjen e Parisit, të nënshkruar më 22 prill 2016 dhe të ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë më 21 shtator 2016. Në këtë kuadër, kërkohet që politika fiskale të mbështesë modernizimin gradual të flotës së transportit publik përmes mjeteve që përdorin teknologji me emetime më të ulëta.
Ndër propozimet përfshihet shqyrtimi i heqjes ose reduktimit të akcizës mbi gazin natyror, pas verifikimit të normave dhe bazës ligjore të zbatueshme, si dhe përfshirja në programimin buxhetor 2027–2029 e masave për zhvillimin e infrastrukturës së furnizimit me gaz natyror dhe karburante alternative. Shoqata kërkon gjithashtu krijimin e skemave mbështetëse për zëvendësimin gradual të autobusëve të amortizuar me mjete që përdorin gaz natyror, teknologji hibride dhe energji elektrike. Çdo propozim për TVSH 0% ose përjashtim nga akciza kërkohet të shqyrtohet në përputhje me legjislacionin fiskal dhe detyrimet ndërkombëtare.
Shoqata kërkon analizë të posaçme për ndikimin e Paketës Fiskale 2027
Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas kërkon që Komisioni Parlamentar, gjatë shqyrtimit të projektligjeve përkatëse, t'i kërkojë Ministrisë së Financave një analizë të posaçme mbi ndikimin e Paketës Fiskale 2027 në sektorin e transportit publik.
Analiza duhet të vlerësojë ndikimin social dhe ekonomik te qytetarët nga rritja e propozuar e TVSH-së standarde në 21%, duke përfshirë skenarët e mundshëm të ndryshimit të çmimeve të biletave dhe abonimeve mujore. Gjithashtu, kërkohet vlerësimi i efektit të kombinuar të ndryshimeve të TVSH-së, tatimit mbi dividendin, detyrimeve të tjera tatimore dhe kostove operative, si dhe ndikimi i zhvendosjes së taksës së qarkullimit dhe regjimit të akcizës mbi flotat e transportit publik.
Shoqata kërkon të analizohen edhe efektet financiare dhe buxhetore të uljes së TVSH-së në 6%, nevojat reale për subvencionim dhe kompensim të shërbimit publik, si dhe ndikimi afatmesëm i politikave fiskale në rinovimin e flotës, punësimin dhe cilësinë e shërbimit. Një tjetër element i kërkuar është vlerësimi i pasojave të mundshme mbi vazhdimësinë dhe frekuencën e transportit publik, nëse nuk ndërmerren masa lehtësuese.
Në përfundim të letrës, Shoqata thekson se kërkesat e paraqitura nuk synojnë shmangien e detyrimeve fiskale, por vendosjen e një raporti të drejtë ndërmjet detyrimeve që rrjedhin nga ofrimi i një shërbimi publik të rregulluar dhe burimeve financiare të nevojshme për përmbushjen e tyre.
Sipas Shoqatës, përgjegjësia për ruajtjen e tarifave të përballueshme dhe garantimin e cilësisë së shërbimit duhet të ndahet ndërmjet operatorëve dhe institucioneve publike. Për këtë arsye, kërkohet shqyrtimi institucional i propozimeve, organizimi i një seance dëgjimore me përfaqësuesit e Shoqatës dhe dhënia e një përgjigjeje të argumentuar për mundësinë e përfshirjes së tyre në aktet ligjore dhe buxhetore që janë në shqyrtim. Shoqata shpreh gatishmërinë për të paraqitur të dhëna ekonomike, dokumentacion mbështetës dhe argumente teknike për kërkesat e saj.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)