Secondary Adv

8 Gjerat qe duhet te konsideroni kur blini nje apartament, Progeen Construction

Share on Google+

 

Nëse jetoni me qira prej disa vitesh apo jeni një familje e re, me shumë mundësi jeni duke konsideruar blerjen e një shtëpie. Si një prej vendimeve me angazhim të konsiderueshëm financiar, ai kërkon kohën e mjaftueshme dhe analizë një të hollësishme të të gjithë variablave që kanë të bëjnë me të. Më poshtë janë 8 gjërat kryesore që duhet të mbani në mend gjatë këtij procesi.

1- Vendosni zonën ku doni të banoni.

Të gjithë duan të jetojnë në qendër të qytetit, por shumë shpesh kjo është e pamundur prej faturës së lartë financiare që ka. Pasi të bëni hesapet bazuar mbi mundësitë financiare dhe te keni bërë kompromis duke identifikuar disa zona potenciale. Për të përzgjedhur fituesen, mbani në konsideratë: facilitetet rreth e rrotull, planin e zhvillimit të zonës, demografinë, largësinë me qendrën, largësinë me shtëpinë e prindërve dhe të afërmve etj. Beni një studim të zonës, kaloni pak kohë në të. Bëni një studim lidhur me çmimet e qirave. Sigurohuni që vlerat e qirave shkojnë proporcionalisht me vlerat e apartamenteve në raport me zona të tjera.

 

Pasi keni vendosur zonën ku doni të banoni:

 

2- Pallat i ri apo ekzistues?

Duke qenë se në Shqipëri, teknologjia e ndërtimit ka ndryshuar shumë 5 vitet e fundit, duhet të bëni kompromis ndërmjet çmimit më të lirë të pallateve ekzistues me shpenzimet shtesë që shoqërohen me to apo çmimit më të lartë të pallateve të rinj me avantazhet e shumta që ato ofrojnë brenda shtëpisë.

3- Pallat individual apo pjesë e një kompleksi ?

Secila zgjedhje ka avantazhet dhe disavantazhet e veta. Komplekset kanë përgjithësisht më shumë hapësira të përbashkëta por më pak vende parkimi rreth e rrotull përveç parkimeve nëntokësore me pagesë. Pallatet individual janë më të thjeshtë në administrim duke qenë se kanë më pak vendimmarrës, por komplekset janë më efecient në pagesat e administrimit por më pak fleksibël.

 

4- Zhurmat dhe qarkullimi rreth e rrotull

E vërteta është se avantazhet e përfituara nga pallatet nëpër rrugë kryesore, janë kryesisht për bizneset dhe jo për banorët. Nëse apartamenti juaj është i orientuar nga rruga kryesore, përgatituni të dëgjoni më shumë bori makinash, ambulanca, muzikë të lartë nga lokalet dhe klientët e tyre etj. Gjithashtu duhet të merrni në konsideratë lokalet apo klubet e natës që gjenden në afërsi (nëse ka të tilla). Nëse apartamenti gjendet në zonë studentësh apo konviktesh, gjithashtu duhet të përgatiteni për më shumë zhurma. Pallatet në brendësitë e lagjeve përgjithësisht janë më të qeta, kanë më pak lëvizje makinash dhe ofrojnë më shumë hapësira të përbashkëta dhe janë vend më i përshtatshëm për banim.

 

5- Parkimi

A ka parkim mjaftueshëm apo duhet patjetër të blini një post parkimi të dedikuar? Gjithashtu nëse keni shpesh vizitorë, a ka parkime mjaftueshëm rreth e rrotull?

6- Cilësia e ndërtimit

Veçanërisht në Tiranë ku cilësia e ndërtimit ndryshon shumë nga viti i ndërtimit të apartamenteve, duhet të mbani parasysh: A është objekti strukturalisht i fortë apo ka nevojë për përforcim strukturor? A ka termoizolim të mirë (ky element përkthehet drejtpërdrejtë në faturën tuaj të energjisë elektrike)? A ka izolim akustik të mirë? A ka ashensorë të mirë, e hapësira teknike të mira, gjeneratorë të përgjithshëm dhe sistem depozitash të mirë për ujin sanitar? Po puset e ventilimit, janë të përbashkëta apo individuale?

 

7- Njihni shoqërinë ndërtuese

Nëse blini apartament gjatë fazës së ndërtimit, ka shumë avantazhe si çmimi mundësia për ta modifikuar sipas dëshirës etj. Por në këtë fazë është shumë e rëndësishme të njihni mirë ndërtuesin. Pyesni për reputacionin e tij. A është i besueshëm? Çfarë ka ndërtuar më parë? A i ka përfunduar projektet e mëparshëm deri në fund dhe a i ka respektuar afatet kontraktuale? A është i rregullt me dokumentacionin?

Nëse blini nga palë të treta si nënkontraktorë kleringu dhe ju ofrohet çmim anomalisht i ulët, ose keni dëgjuar raste të tjera ku është ofruar çmim anomalisht i ulët në krahasim me çmimet e zonës, kini kujdes. Kjo do të thotë që në momente të caktuara, ose shoqëria ose nën-kontraktorët e saj kanë qenë në vështirësi serioze ekonomike, gjë që është tregues shumë negativ.

Një tregues pozitiv, është nëse shoqëria e ndërtimit ka marrëveshje financimi me bankat, kjo do të thotë që bankat kanë besim tek ajo. Nëse banka është e qetë për paratë e saja, ju mund të jeni më të qetë për investimin tuaj.

8- Njihni komshinjtë

Nuk pritet që të njihni personalisht të gjithë komshinjtë, por demografia e zonës është shumë e rëndësishme. Me komshinjtë ju do të bini dakord për administrimin e pallatit dhe fëmijët e komshinjve të zonës do të jenë shokët e klasës apo të kopshtit të fëmijëve tuaj. Gjithashtu mbani në mend komshinjtë e mirë imponojnë sjellje të mirë edhe tek drunjtë e shtrembër.

Kliko mbi logo per kontaktet e kompanisë Progeen Construction


Më të lexuarat