Secondary Adv

Projekti per Sheshin Nene Tereza | Bashkia Tirane | 2014

Me rastin e vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri, më datë 21 shtator, sheshi “Nene Tereza” në Tiranë, do t’i nënshtrohet një restaurimi tërësor. Me vendim të Këshillit Kombëtar të Restaurimit nga ky shesh do të hiqet shatërvani, pasi pikërisht në këtë shesh do të mbahet mesha solemne e Kreut të Kishës Katolike.

 

Në një mbledhje që ka zgjatur vetëm pak minuta në mënyrë unanime anëtarët e Këshillit Bashkiak kanë miratuar projektvendimin për rikualifikimin e sheshit “Nënë Tereza” si dhe shpalljen qytetar nderi të Papa Franceskut. Këshilli bashkiak i Tiranës miratoi fondin prej 33 milionë lekësh për ndërhyrje emergjente në sheshin “Nënë Tereza”. “Ky investim po realizohet në kushtet e një nevoje ekstreme, si rezultat i rëndësisë së këtij evenimenti, ndikimit social dhe kulturor që ka kjo vizitë për komunitetin e qytetit të Tiranës dhe më gjerë, si dhe afatit të venë në dispozicion deri në vizitën e Papa Françeskut”, thuhet në vendimin e bashkisë së Tiranës.

 

 

Shpeshherë është folur për heqjen e tij, por tanimë duket se jetës së tij i erdhi fundi. Shatërvani do të hiqet dhe vendi do të mbulohet, duke krijuar një shesh të hapur për meshën. Këshilli vendosi edhe për pastrimin e fasadave të ndërtesave, si ndërtesa e Korpusi i Universitetit, i projektuar nga arkitekti italian në vitin 1939 si “Pallati i Fashos”, ajo e Universitetit të Arteve, kolonadat përballë saj, që lidhin Rektoratin e Universitetit të Tiranës dhe Muzeut Arkeologjik. Gjithashtu do të rikonstruktohen edhe shkallaret e Korpusit dhe ato në krahë të Arteve dhe Rektoratit, mermeri i të cilave është thyer gjatë viteve apo është mbuluar nga barërat.

 

Do të jenë specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës, që do të kujdesen për zbatimin e projektit fitues. Shatërvani në mes të sheshit “Nënë Tereza” nuk ka qenë pjesë e projektit fillestar të arkitektit italian Gherardo Bosio, i cili projektoi një varg ndërtesash, kryesisht me karakter ushtarak dhe administrativ. Ai është vendosur shumë vite më pas, gjatë viteve ’80. Pjesë e këtij kompleksi është edhe një shtatore e Nënë Terezës, e “strukur” në një kënd, përpara Korpusit. Prej vendimit të sotshëm pritet të mësohet nëse do të ketë një nismë edhe për zhvendosjen e kësaj shtatoreje, vepër e skulptorit Thoma Thomai.

 

Projekti per restaurimin e Sheshit “Nene Tereza”

Lajmi fillimisht është bërë i ditur rreth një javë më parë nga arkitekti Artan Shkreli, nëpërmjet një statusi në rrjetin e tij social Facebook, ku shkruan se ky shesh do të restaurohet i gjithi, në të gjitha elementet përbërëse të tij, duke përfshirë fasadat, ndriçimet, trotuaret, shkallaret dhe infrastrukturën. Sipas Shkrelit, nga ky shesh do të hiqet shatërvani, për të ndërtuar një pedonale, ndërsa kalimi i automjeteve do të bëhet vetëm në një korsi.

 

 

Ndërhyrja tërësore pritet që të përfundojë për një kohë të shkurtër, brenda 2 muajve. “Një fllad freskie do e shndërrojë sheshin, i cili sot është në degradim e sipër, në një ansambël harmonik shembullor për arkitekturën dhe hapësirën urbane që ngërthen. Dhe kjo nuk do të jetë veçse faza e parë e ndërhyrjes”, shkruan Shkreli në Facebook. 

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Enno Bozdo theksoi se ditën e vizitës së Papa Françeskut sytë e gjithë botës do jenë të drejtuara nga Tirana dhe kjo është arsyeja projektvendimi për restaurimin e sheshit “Nënë Tereza” u paraqit në një kohë të shpejtë. Vizita e Papës në Shqipëri do të jetë një nga më të rëndësishmet. Papa Françesku është i dyti Papë që viziton Shqipërinë pas vizitës historike të Papa Gjon Palit II, më datë 25 prill të vitit 1993.

 

Me shume projekte ne Shqiperi