Secondary Adv

Xhamia e Plumbit, Shkoder | 2015

 

Xhamia e Plumbit është ndërtuar në vitin 1773 rrëzë Kalasë së Rozafës në Lagjen Qafë të Shkodrës me një arkitekturë osmane dhe sot është Monument Kulture i Kategorisë së Parë. Kjo xhami u ndërtua në vitin 1773–1774 nga Mehmet Pashë Bushati (plaku), themeluesi i familjes së njohur të Bushatllinjve të Shkodrës.

 


Kjo xhami është një nga ndërtesat më të vjetra të Shkodrës dhe xhamia më e madhe dhe më e bukur e Shqipërisë deri në gjysmën e parë të shekullit të XX, periudhë në të cilën filluan të ndërtohen xhami të dimensioneve të mëdha. Xhamia ka qenë e veshur me plumb prandaj u quajt “Xhamia e Plumbit”, e me këtë emër njihet edhe sot, mbas 240 vjetësh.

 


Xhamia është e vendosur në pjesën e jashtme të pazarit të Shkodrës, rrëzë kalasë Rozafa, në një livadh në rrafshinën e lumit Kir e Drin. Për nga forma e ndërtimit është frymëzuar nga xhamia e sulltanëve të Stambollit. Kjo xhami është e vetmja në Shqipëri për nga lloji, që fillon me një oborr me kolona të gjëra, para se të hysh në sallën e faljes.

 


Salla e faljes paraqitet si një bllok i ulët, kapërcyer nga një tambur tetëkëndësh (oktogonal) shumë i lartë, në maje të së cilës qëndron kubeja gjysmë rrethore. Interieri shfaqet si një dhomë e gjatë dhe e gjerë, pavarësisht se përmasat janë jo dhe aq të mëdha. Vizualisht kjo dhomë është e zgjeruar nga një lloj thellësie, në të cilën është vendosur Mihrabi. Në maje të Mihrabit ka tre kube, ndërsa në të djathtë ka dy kube. Xhamia është e ndërtuar me gurë të shkëlqyer në të kaltër e të bardhë, i cili është shumë rezistent ndaj veprimeve erosive.

 


Tremi (sofat) i xhamisë është i tipit të mbyllur me hapësirën e zbrazët qendrore. Nga brenda, harqet gjysmë rrethore të shtyllave janë të mbuluar me dymbëdhjetë kupola të vogla që xhamisë i japin një pamje madhështore klasike, ndërsa elementet e hershme të stilit të Stambollit dhe Bursës janë përfaqësuar në pjesët e stolisura mbi derë dhe dritare me harqe të rrejshme të thyera, luneta dhe parmaqe prej hekuri.

 


Restaurimit i Xhamisë së Plumbit si monument kulture e kategorisë ka një projekt të rregullt me një preventiv të studiuar e të vlerësuar nga specialistët e Monumenteve të Kulturës të Republikës së Shqipërisë dhe specialistëve të Monumenteve të Kulturës së Republikës së Turqisë sipas një marrëveshje që kanë dy palët respektive.Vlen të përmendet se Qeveria turke, përveç Xhamisë së Plumbit si monument kulture ka restauruar edhe xhamitë me vlera kulturore të Vlorës, Beratit, Krujës, Korçës, në Kosovë, Maqedoni etj. Projekti i restaurimit të xhamisë së Plumbit ka një kosto shumë të madhe, mbi dy milion dollarë.

Me shume projekte ne Shqiperi