AMC vjen me identitet te ri, do te behet T-Deutsche Telekom
Kompania e parë e telekomunikacionit në Shqipëri bëhet gati të marrë identitetin e Deutsche Telekom. Në ditët e ardhshme, Albanian Mobile Communications do të zbulojë një identitet të ri të korporatës, duke shndërruar plotësisht mënyrën e prezantimit të saj, si dhe duke përmirësuar eksperiencën që u ofron abonentëve.
AMC, e cila nisi aktivitetin në Shqipëri rreth 20 vjet më pare, si kompania e parë e telefonisë së lëvizshme në vend, është shquar për kontributin e rëndësishëm që ka sjellë në jetën e qytetarëve shqiptarë. Telefonata e parë celulare, mesazhi i parë, lidhja e parë e internetit e deri tek zhvillimet e sotme teknologjike janë ndër kanalet e komunikimit që kanë ndryshuar njëherë e përgjithmonë mënyrën tonë të të jetuarit dhe ndërveprimit. Tani AMC do t’i ofrojë shërbimet e saj nën brandin Telekom.
Kompania u bë pjesë e Grupit OTE në vitin 2000 dhe me blerjen e këtij të fundit nga Grupi Deutsche Telekom në vitin 2009, AMC hyn në familjen e Grupit Deutsche Telekom. Tashmë lidhja me këtë Grup do të forcohet më tej. Ky hap përpara do të sjellë ndryshime në emrin e kompanisë, në ngjyrën dhe logon e saj. Ribrandimi i AMC përfshin edhe rimodelimin e dyqaneve, produkte dhe shërbime të reja inovative, fushata komunikimi, një faqe të re interneti e të tjera surpriza. Ky ndryshim thelbësor do ta pozicionojë telekomunikacionin shqiptar mes më të mirëve në Europë.
Përfitimet e para të kësaj epoke të re do të vijnë pikërisht për klientët, në formën e shërbimeve dhe ofertave të reja novatore, duke sjellë në Shqipëri frymën e Grupit Deutsche Telekom. Brandi Telekom do të ofrojë shërbime të cilësisë superiore dhe rrjetin më të mirë, si edhe do t’i japë kuptim të ri rolit të teknologjisë në shoqëri dhe progresit që ajo mbart. Zoti Henri Vandre, Drejtor i Divizionit të Marketingut në AMC, shprehet se “AMC-së iu bashkova pas një përvoje pune shumëvjeçare në Deutsche Telekom në Gjermani, dhe jam vërtet krenar kur shoh trashëgiminë e çmuar të kësaj kompanie të shumëfishohet duke u bërë pjesë e brandit Deutsche Telekom, një ndër grupet lider të telekomunikacionit të integruar në botë”.
Grupi Deutsche Telekom është i pranishëm në mbi 50 vende në mbarë botën, me një gamë të gjerë shërbimesh për abonentët individë, biznese dhe korporata, me standardet më të larta të cilësisë dhe teknologjisë më moderne. Ky zhvillim kyç u mundëson abonentëve dhe shoqërisë shqiptare të shijojnë vërtet progresin e nivelit europian që përfaqësohet nga Grupi Deutsche Telekom.