Secondary Adv

Nis ndertimi i nenstacionit te ri elektrik ne Corovode

Nis puna për ndërtimin e nënstacionit të ri 110/35/10 kV në Çorovodë. Investimi i OSHEE për nënstacionin arrin në 257 milion lekë të reja ndërsa OST do ndërtojë më pas linjën Uznovë-Çorovodë me një vlerë 450 milion lekë të reja.


Në kuadër të investimeve në sektorin energjitik, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike nisi punën për ndërtimin e nënstacionit të ri 110/35/10 kV në afërsi të Çorovodës. Gjatë inspektimit të punimeve, ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri theksoi se investimi do të jetë një nyje e rëndësishme e rrjetit energjitik.


“Ligjshmëria në sektorin e energjisë elektrike, pagesat e faturave nga popullata, do tu kthehen në investime për të rritur cilësinë e furnizimit, për të ulur humbjet dhe vjedhjet. Sektori energjitik po i kthen mbrapsht vendit atë që i takon. Deri dje ka qenë sektori që konsumonte më shumë para nga Buxheti i Shtetit, sektori me humbjet më të mëdha dhe që kërcënonte më së shumti stabilitetin financiar. Tashmë, sektori energjitik po kthehet në kontribues dhe këtë po e thonë edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar apo Banka Botërore që insistojnë se reforma në energjitikë është në drejtimin e duhur dhe duhet të vazhdojë”, u shpreh Gjiknuri.


Administratori i OSHEE-së, Adrian Çela sqaroi investimin që do të kryhet në nënstacionin e ri. “Do të zëvendësojë nënstacionin e vjetër të Uznovës që furnizon qytetin por edhe gjithë rajonin e Skraparit. Është një nënstacion i vjetër, është prodhim i vitit 1968. Ka problem me cilësinë e furnizimit, defekte pa fund dhe kapacitete të minimizuara për burimet e reja të energjisë. Për këto arsye ne po bëjmë këtë investim të ri, që kap vlerën e 257 milion lekë të reja. Investim që shkon jo vetëm për rritjen e cilësisë së furnizimit të abonentëve, por nga ana tjetër shtohet mundësia për burimet e reja të energjisë që janë në kaskadën e Osumit”, nënvizoi Çela.


Nënstacioni i ri i OSHEE-së do të shoqërohet me ndërtimin prej OST-së të linjës 110 kilovolt nga Uznova në Çorovodë me vlerë 450 milionë lekë të reja. Marrë së bashku, ndërtimi i nënstacionit të ri nga OSHEE dhe linjës Uznovë-Çorovodë nga OST-ja e çojnë investimin total në vlerën e 700 milion lekësh të reja. Niveli total i humbjeve në rrjet në këtë zonë arrin në 33%, prej të cilave 14.38% janë teknike ndërsa pjesa tjetër jo teknike. Pas kryerjes së investimit parashikohet që humbjet teknike të zbresin në nivelin 7%. Investimi për nënstacionin e ri prek 10 mijë abonentë dhe do të përfundojë Janarin e vitit 2016.


Më të lexuarat