Secondary Adv

Hiqen taksat doganore Shqiperi-Kosove per bizneset eksportuese te fruta-perimeve

Bizneset eksportuese të fruta-perimeve “Made in Albania” nuk do tu nënshtrohen më tarifave  doganore të Kosovës, ndërkohë që autoritetet qeveritare të Kosovës po punojnë edhe për rishikimin e shpenzimeve të transportit të sipërmarrjeve të të dy vendeve, për t’i unifikuar ato dhe për të krijuar një klime favorizuese biznesi.

 

Ky ishte vetëm një prej synimeve të shprehura të grupeve të përbashkëta të punës Shqipëri- Kosovë, në plotësim të detyrimeve të Memorandumit të Mirëkuptimit të ministrive të Financave të Shqipërisë dhe Kosovës. Në një takim të zhvilluar në Prizren, me përfaqësuesit më të lartë të dikastereve përkatëse, është vlerësuar sidomos përpjekja për unifikimin e dokumentacionit dhe të procedurave doganore dhe është kërkuar që ato të jenë të njëjta në të dy anët e kufirit dhe të orientuara drejt standardeve të Bashkimit Europian.

 

Në këtë pikë është theksuar hartimi i një plani të njehsuar të unifikimit të akcizave për produktet që e paguajnë atë për të luftuar edhe kontrabandën që vihet re në mungesë të njehsimit të taksave të tilla. Në takim u ndanë mendime edhe lidhur me harmonizimin e procedurave tatimore lidhur me tatimin në burim, tatimin mbi të ardhurat, periudhën e mbartjes së humbjeve, transferimin e çmimit e deri tek përvoja shqiptare për kompensimin e tatimit mbi vlerën e shtuar prej 20 % të fermerëve. Veçanërisht unifikimi i certifikatave që shoqërojnë produktet e shërbimet e sipërmarrjeve të të dy anëve të kufirit u vlerësua si një çështje që kërkon zgjidhje të menjëhershme.

 

Unifikimi i TVSH, transferimi i çmimeve sipas të njëjtës metodologji, shërbimi i unifikuar të tatimpaguesve në të dy anët e kufirit, ishin çështje të tjera të diskutuara ku u kërkua të shihen si parësore procedurat dhe vendosja e normave të taksimit të jëtë një çështje dytësore. Ministrat e Financave të të dy vendeve ranë dakort për takimin radhës, që do të mbahet në fund të muajit shtator, ku do të firmosen zgjidhjet e ofruara nga grupi i përbashkët i punës.


Më të lexuarat