Secondary Adv

Brenda 20 ditesh hapet tenderi nderkombetar per zonen ekonomike te Spitalles

Ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit Arben Ahmetaj i pranishëm në Konferencën ‘Mbështetja e zhvillimit ekonomik’ paralajmëroi se tenderi do të hapet brenda 15- 20 ditësh.

 

Ministri e quajti një projekt shpresdhënës që do e kthejë Shqipërinë në qendër të manifakturës së Ballkanit Perëndimor.Ahmetaj: “Shumë shpejt besoj brenda 15 ditëve , ja 20 ditë jemi në gjëndje të hapim tenderin ndërkombëtar për një nga projektet më shpresdhënës të kthimit të Shqipërisë në qendër të manifakturës në Ballkanin Perëndimor dhe besojmë se do të jetë një projket që do të ofrojmë një shifër të konsiderueshme investimesh të huaja apo vendase”


Park multimodal në Spitallë
Gjatë muajit Mars të këtij viti Ministria e Ekonomisë dhe Komisionit të Ndihmës Shtetërore ka thënë se kompanitë tregtare apo prodhuese që do të akomodohen në këtë zonë të lirë ekonomike do të përjashtohen nga taksat për 35 vjet. Projekti i shpalljes së zonës së lirë synon të tërheqë investimet e huaja dhe vendëse, të cilat ndikojnë në arritjen e stadeve të reja të zhvillimit ekonomik të këtij rajoni.


Qëllimi i krijimit të zonës është ndërtimi i një parku logjistik multimodal, i cili do të merret me shërbimet hyrëse, do të jetë në funksion të ngarkim-shkarkimit të anijeve si shesh qëndrimi kontejnerësh, përpunimi dhe magazinimi të produkteve, aktiviteteve tregtare, import-eksport, ripaketim i lëndëve të para të aktivitete prodhuese përpunuese, agroushqimore, shërbimeve të ndryshme. Projekti përfshin ndërtimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës në funksion të veprimtarisë portuale dhe prodhuese që do të kryhet në zonë.


Avantazhet
Krijimi i kësaj zone ekonomike në Spitallë paraqet disa avantazhe gjeografike dhe ekonomike, të tilla si: pozicioni afër Portit të Durrësit; lehtësirat e transportit për në Itali dhe në shtetet e Adriatikut; kryerja e investimeve vendos terminalin e ri në nivel konkurrues me aktivitetet portuale të tregjeve rajonale; do të mundësohet hapja e një numri të konsiderueshëm të vendeve të punës, duke i dhënë prioritet punësimit të banorëve të kësaj zone.


Gjithashtu, dhënia e statusit të zonës së lirë mundëson që nëpërmjet përjashtimit nga detyrimet fiskale, zona e lirë të bëhet konkurruese në treg, të jetë tërheqëse në zhvillimin e mëtejshëm të investimeve brenda portit dhe jashtë tij, duke ndikuar në hapjen e tregut ndërkombëtar të investimeve. Është parashikuar që në këtë zonë të kryhet një investim prej 50 milionë eurosh dhe do të punësohen rreth 150 punonjës, të cilët do të merren me aktivitetin e zonës ekonomike. Ndihma e qeverisë do të jepet në formën e përjashtimeve nga detyrimet fiskale në zbatim të ligjit “Për krijimin dhe funksionimin e zonave ekonomike”.


Periudha e funksionimit të zonës ekonomike është 35 vjet. Përdoruesit e zonës së lirë ekonomike duhet të lidhin kontratë me zhvilluesin e zonës së lirë ekonomike me një afat deri në 35 vjet. Procedura e përzgjedhjes së zhvilluesit të zonës së lirë të bëhet në zbatim të rregullave dhe procedurave konkurruese, të përcaktuara në ligjin “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”.


Më të lexuarat