Secondary Adv

Shpenzimet kapitale, qeveria heq fondet nga projektet qe ecin ngadale

Investimet publike vazhdojnë me ritëm të ngadaltë, edhe pas rishikimit të buxhetit nga qeveria. Sipas të dhënave paraprake mbi treguesit fiskalë të buxhetit të shtetit, për periudhën janar – korrik 2015, realizimi faktik i shpenzimeve kapitale është 40 për qind i planit vjetor.


Një nga arsyet e mosrealizimit të investimeve publike, e pranuar nga qeveria në aktin normativ të datës 27 korrik 2015, është ngadalësia e ndërtimit të rrugëve të reja. Për këtë arsye, në buxhetin e shtetit u bënë disa rialokime, përkatësisht nga projektet e investimeve me financim të huaj (kredi) tek ato me financim të brendshëm.


“Kjo, si pasojë e ecurisë së ngadaltë të zbatimit të projekteve me financim të huaj për vitin 2015, kryesisht në sektorin e rrugëve nacionale”, deklaron Ministria e Financave. “Njëkohësisht, shpjegon Ministria e Financave, propozohen edhe rialokime mes projekteve të investimeve me financim të brendshëm, drejt atyre me ecuri më të lartë”.


Megjithatë, shpenzimet kapitale në këtë akt normativ mbeten pothuajse në të njëjtat nivele. Por, akti normativ i qeverisë lë të hapur mundësinë për shkurtimin e këtyre shpenzimeve në muajt në vijim, në rast të mosrealizimit të planit të të ardhurave. “Këshilli i Ministrave merr masa për kompensimin e diferencave nga burime suplementare ose nga shkurtimi i shpenzimeve”, nënvizohet në aktin normativ. Ndërkaq, nga analiza tremujore e buxhetit vihet re se zbatimi i projekteve dhe investimeve nga ministritë fillon me shumë vonesë. Si arsye zyrtare për vonesat, e paraqitur në raportet e monitorimit të buxhetit, është procesi i prokurimit dhe disbursimi me vonesë i financimeve të huaja.


Rrugët
Ministria e Transporteve dhe Infrastrukturës ka një pjesë të konsiderueshme të investimeve. Shpenzimet për investime, sipas të dhënave të ministrisë për tremujorin e parë 2015, ishin realizuar vetëm për 20.29% të planit vjetor. Grupi i produktit “Ndërtim rruge” i shprehur nÑ‘ sasi (km) Ñ‘shtÑ‘ realizuar ndaj planit vjetor përkatësisht 32% me 39.87 km dhe shpenzimet faktike 22% të planit vjetor. Nga këto janë realizuar me financim të brendshëm përkatësisht 41% me 34.07 km, dhe shpenzimet faktike rreth 54%.


Me financim të huaj janë realizuar 5.8 km nga 39 km të planifikuara dhe shpenzimet faktike rreth 7 277 753 mijë lekë. Ndërtimi i rrugëve me katër korsi është realizuar për tremujorin në vlerën 860 059 mijë lekë me 0.58 km. Nga ky grup janë në proces ndërtimi Rruga e Elbasanit, segmenti Fakulteti Filologjik – Unaza e Madhe Tiranë, Unaza e Re e Tiranës, segmenti Komuna e Parisit – Rruga e Kavajës, Unaza e Re e Tiranës, segmenti Komuna e Parisit -Shkolla Teknologjike, Unaza e Re e Tiranës (segmenti Komuna e Parisit – rruga e re Tiranë – Elbasan), nyja lidhëse e rrugës Milot -Lezhë, Rrëshen, Thumanë, rruga e Porto Romanos, Durrës Loti 1 dhe rikonstruksioni i segmentit rrugor Kodër Kamzë – Tapizë.


 Projekte të tjera që ishin në punë e sipër që nga tremujori i parë ishin: 8 lote të projektit “Ndërtim by pass Plepa – Kavajë – Rrogozhinë”; përmirësimi i sigurisë dhe sinjalistikës rrugore në superstradën Tiranë – Durrës dhe në segmentin Kashar – Rinas; menaxhimi funksionimi e mirëmbajtja e pajisjeve dhe operimi i tunelit të Thirrës dhe të Kërrabës, si dhe ndërtimi i rrugës Kukës – Morinë Loti 1. Në grupin e rrugëve me dy korsi janë realizuar për tremujorin e parë 5.32 km me 1 503 091 mijë lekë. Këtu janë përfshirë tip rruge me dy korsi dhe gjerësi që varion nga 10-17 m, si: ndërtim rruga Milot – F.Krujë (dublimi i superstradës), ndërtim rruga Lushnjë – Berat, ndërtim i rrugës së Arbrit. Një tip tjetër rruge është projekti “Tip A me katër korsi”. Për këtë grup janë planifikuar për vitin 2015 fonde në vlerë 5 649 628 mijÑ‘ lekÑ‘ (ose 50% ndaj planit vjetor të financimit të huaj gjithsej), ndërsa ishte realizuar për tremujorin e parë vetëm 1 km me 502 090 mijë lekë. Këtu futen pjesë të segmentit Tiranë – Elbasan, by pass Shkozet dhe by pass-i Fier.


Industria
Shpenzimet kapitale, prej 886 milionë lekësh, përbëjnë një zë të rëndësishëm, madje me një peshë të konsiderueshme të buxhetit të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, për vitin 2015. Më konkretisht, shpenzimet kapitale përbëjnë 85% të buxhetit vjetor të miratuar për MEI-n dhe 24.7% të shpenzimeve faktike të periudhës. Investimet janë realizuar në vetëm 18.8% të fondit vjetor. Një arsye për këtë nivel të ulët realizimi është fakti se procesi i prokurimit kërkon plotësimin e afateve ligjore, të cilat në mjaft raste mund të kërkojnë një periudhë të gjatë kohe.


Strehimi
Ministria e Zhvillimit Urban, për tremujorin e parë të vitit 2015, administroi dhe menaxhoi vetëm 14.4% të planit të shpenzimeve kapitale. Në programin “Planifikimi urban dhe strehimi” që përfaqëson 84.4 për qind të totalit të planit, shpenzimet faktike për tremujorin e parë të vitit 2015, për sa u përket investimeve (shpenzime kapitale) u realizuan vetëm 4%. Kur vjen fjala për programin “Blerje pajisje e orendi zyrash”, ka një realizim të kënaqshëm, ndërsa mosrealizimi i produkteve të tjera, sipas ministrisë, ka ardhur si pasojë e procedurave të prokurimeve dhe pritet të realizohen në periudhën në vazhdim.


Bujqësia
Realizimi i investimeve në infrastrukturën e bujqësisë, në rang ministrie, për tremujorin e parë ishte shumë i ulët rreth 7.1 për qind. Në lidhje me investimet, kanë filluar të realizohen aktivitetet, të cilat kanë të bëjnë me procesin e mirëmbajtjes së infrastrukturës kryesore të kullimit, ujitjen dhe mbajtjen në gatishmëri të 28 hidrovorëve shoqëruar kjo me inspektimet e të gjithë infrastrukturës. (Flitet për periudhën kur ndodhën përmbytje të mëdha në Fier, Vlorë e qytete të tjera). Intensiteti i realizimit të punimeve të mirëmbajtjes, sipas raportit të monitorimit të buxhetit, veçanërisht për vënien në gatishmëri të një pjese të infrastrukturës kryesore të ujitjes nga vetë bordet e kullimit, është i lidhur edhe me procedurat e prokurimit të karburantit.


Financat
Edhe Ministria e Financave nuk e kishte realizuar planin e shpenzimeve kapitale për tremujorin e parë. “Projektet e investimeve rezultojnë të parealizuara, pasi janë në proces të miratimit të prokurimit nga AKSHI dhe MPB”, raporton ministria në dokumentin e monitorimit. Në nivele të ulëta paraqitet edhe Ministria e Ekonomisë, e cila në këtë periudhë ka realizuar vetëm 11,9 për qind të planit të investimeve. Ndërsa Ministria e Mirëqenies Sociale, për tremujorin e parë, kishte realizuar 0 për qind të planit të investimeve me fonde të brendshme, ndërsa për investimet e huaja realizoi 4764 mijë lekë.


Ministria e Brendshme është një konsumatore e madhe e buxhetit të shtetit, por realizimi i shpenzimeve kapitale paraqitet në një nivel mjaft të ulët prej 6.2% të planit vjetor. Shkaqet kryesore te paraqitura nga drejtuesit e programeve, janë shtyrja e afatit të realizimit nga procesi i prokurimit apo vonesat në paraqitjen e dokumentacionit teknik e financiar për lëvrimin e fondeve. “Këto vonesa në realizimin e shpenzimeve kapitale ndikojnë negativisht në performancën e MPB-së”, thuhet në raportin e monitorimit. Ecuria e ngadaltë e investimeve publike është parashikuar nga Ministria e Financave si një nga rreziqet kryesore për zbatimin e planit të buxhetit 2015./Gazeta Shqip


Më të lexuarat