Secondary Adv

Nis aksioni kunder infomalitetit, 600 grupe ne terren

Nis sot, 1 shtator 2015, aksioni kundër informalitetit. Mbi 600 grupe kontrolli do të dalin në terren për verifikimin e ligjshmërisë të gjitha subjekteve tregtare. Grupet në terren do të përbëhen nga përfaqësues të administratës së tatimeve, doganave, policisë së shtetit si dhe agjensisë e strukturave të tjera të linjës.


Gjatë fjalës së mbajtur në Këshillit Ekonomik Kombëtar, kreu i qeverisë tha se në këtë operacion që do të jetë kryefjala e 300 ditëve të treta të qeverisë, do të përfshihen një sërë strukturash shtetërore, nga strukturat tatimore e doganore deri tek Policia e Shtetit dhe prokuroria. Kreu i Qeverisë u bëri thirrje konsumatorëve të ndërgjegjësohen dhe të kërkojnë kuponin tatimor, si një kontribut për të pasur më shumë investime, më shumë rritje rrogash dhe taksa më të ulëta.

Operacioni kundër informalitetit
“Lufta ndaj informalitetit do të jetë kryefjala e 300-ditëshit të tretë qeverisës dhe do të harmonizojë veprimet mes doganave, tatimeve, Inspektoratit të Punës dhe Policisë së Shtetit, në koordinim dhe bashkëpunim me prokurorinë, konsumatorët dhe biznesin”, deklaroi dje Rama. Ne besojmë se në këtë përpjekje rol të posaçëm duhet të ketë sjellja e të gjitha forcave që do të angazhohen në terren. Janë 600 grupe që janë angazhuar dhe plotësuar me përfaqësues të strukturave të ndryshme që do të bëjnë punën në terren me orar të zgjatur dhe ne do të bëjmë çmos që këto grupe të sigurojnë jo vetëm kryerjen e detyrave dhe kontrollit të evidentimit të rasteve, por edhe një sjellje dhe një qasje jo armiqësore ndaj biznesit”, theksoi kryeministri.
Qeveria beson se thuajse gjysma bizneseve janë informalë, ndaj kryeministri theksoi se lufta kundër informalitetit nuk duhet parë si një goditje për biznesin e ndershëm, përkundrazi. “Është një aksion për të bërë të mundur që më të mëdhenjtë të veprojnë brenda kornizës së ligjit dhe gjithkush të fitojë atë që i takon dhe jo të përfitojë duke vjedhur atë që i takon shoqërisë, e cila duhet ta marrë mbrapsht përmes investimeve dhe shërbimeve të shtetit”, u shpreh ai.
“Ne do të inkurajojmë bizneset dhe qytetarët që të dokumentojnë çdo rast dhe të denoncojnë sjelljet e gabuara të këtyre grupeve të punës. Jemi krenarë që kemi krijuar një raport të ri me sipërmarrjen, shumë më ndryshe nga çka ndodhur më parë. Shenjat e para janë shumë inkurajuese, pa filluar ende operacioni dhe shifrat na japin shumë optimizëm, sepse vetëm në periudhën korrik-gusht kemi një rritje shumë të pazakontë të bizneseve të regjistruara dhe po ashtu një rritje po aq të pazakonshme të numrit të kasave fiskale të blera për t’u formalizuar”, - deklaroi kreu i ekzekutivit. Sipas tij shifrat tregojnë se në 2014 janë regjistruar 40 për qind më shumë biznese se gjatë vitit 2013 si dhe janë mbi 30,000 biznese të reja apo të regjistruara rishtazi, në krahasim me një vit më parë. Masat për luftimin e informalitetit do të përfshijnë edhe masa ligjore, ku mazhoranca do të kalojë në kuvend ndryshime ligjore, pasi siç tha Rama kuadri aktual është i brishtë dhe lejon hapësira për abuzim.


Gjoba dhe konfiskime për bizneset
Nga sot pritet të fillojë aksioni më i madh kundër informalitetit në vend, i paralajmëruar gjatë muajit gusht. Tri pikat kyçe ku do të përqendrohen kontrollet, lidhen me faturimin e mallit si dhe me lëshimin e kuponit për çdo blerje. Së pari, çdo mall që kapet pa faturë do të konfiskohet në vend. Së dyti, kush nuk lëshon kupon do penalizohet në mënyrë absolute. Së treti, nëse do të gjenden dyqane pa NIPT, do të konfiskohet dyqani. Tatimet kanë pohuar se ky aksion nuk do të jetë selektiv.

Udhëzimi
Udhëzimi i ri që përcakton procedurat se si tatimorët e terrenit duhet të kontrollojnë biznesin, tregon format se si ky kontroll duhet realizuar për vendndodhjen, regjistrimin, numrin e punonjësve të biznesit, si dhe përdorimin e kasës fiskale. Sipas këtij udhëzimi, konstatimi që në herën e parë se mungon pajisja fiskale apo mospërdorimi, ka një gjobë në masën e 50 mijë lekëve. Konstatimi i të njëjtës shkelje për herë të dytë, vendos një masë më të rëndë, atë të konfiskimit të të gjithë sasisë së mallit. Ndërsa, udhëzimi saktëson se vazhdimi i kësaj shkeljeje, i përsëritur, konsiderohet evazion tatimor dhe vijon procedimi penal. Për moslëshimin e kuponit tatimor nga bizneset, gjoba shkon nga 200 mijë lekë për subjektet e tatim fitimit dhe 50 mijë lekë për bizneset e tjera.
Sipas udhëzimit, edhe mallrat që kapen gjatë transportit të pashoqëruara me faturë tatimore do të konfiskohen menjëherë. Një tjetër sanksion ndaj bizneseve është parashikuar në rastet kur nuk mban dhe mirëmban në kushte pune pajisjet fiskale ose sistemet e monitorimit të qarkullimit, me gjobë në masën 40 mijë lekë dhe kur nuk njofton për defekt në kasën fiskale, në masën 25 mijë lekë. Mosmarrja e kuponit tatimor, sipas nenit 124 të ligjit për procedurat tatimore, për një individ, blerës gjobitet në masën 1 mijë lekë. Udhëzimi thotë se Blerësi ose përfituesi i shërbimit, duhet ta kërkojë atë në kohën e realizimit të shitjes apo të kryerjes së punimit ose shërbimit. Në të kundërt, në rast kontrolli nga tatimoret, në qoftë se nuk ka kupon tatimor, dënohet me gjobë me 1000 lekë.


Masat ndaj bizneseve


1.Kasa fiskale
Kur mungon (hera e parë) 50 mijë lekë
Mospërdorimi (hera e parë) 50 mijë lekë
Kur mungon (hera e dytë) konfiskim i mallit
Mospërdorimi (hera e dytë) konfiskim i mallit
Mosmbajtja në kushte pune 40 mijë lekë
Mosnjoftimi për defekt 2500 lekë

2.Moslëshimi e kuponit
Subjektet e tatim-fitimit 200 mijë lekë
Bizneset e tjera 50 mijë lekë
Malli pa faturë gjatë transportit konfiskim
Blerësi që nuk merr kupon 1000 lekë

Çfarë u kontrollohen bizneseve?
Do u kontrollohet nëse kanë NIPT
Nëse funksionon kasa fiskale
Numri i të punësuarve dhe përputhshmëria e pagesës së detyrimeve për sigurimet shoqërore

Rama prezanton 4 përparësitë e qeverisë për muajt e ardhshëm


Lufta kundër informalitetit, reforma për furnizimin me ujë të pijshëm, programi i ndihmës për bujqësinë dhe paketa mbështetëse për bashkitë e reja janë katër prioritetet e qeverisë në katër muajt e ardhëm.

 

Kryeministri Edi Rama deklaroi dje në një konferencë për shtyp se lufta kundër informalitetit që nis sot, nuk do të jetë luftë kundër biznesit, por aleancë me biznesin që paguan taksat dhe në mbrojtje të konsumatorit që blen një mall dhe nuk merr kuponin përkatës. Kurse reforma në sistemin e furnizimit me ujë të pijshëm do të jetë e thellë dhe strukturore, dhe do të bazohet në avantazhin e madh që sjell ndarja e re territoriale.


Paralelisht me këtë, për të filluar edhe një proces sensibilizimi, në bashkëpunim të ngushtë me qeveritë e reja vendore, të konsumatorëve, lidhur me faktin që uji njësoj si energjia është mall dhe si çdo mall paguhet”, - tha Rama. Lidhur me paketën mbështetëse për bujqësinë, numri një i ekzekutivit e cilësoi atë si një kapitull të ri për financimin e zhvillimit të këtij sektori. “Qeveria shqiptare do të fillojë në javët në vijim, një proces komunikimi intensiv me të gjithë sipërmarrësit në bujqësi, apo me të gjithë ata që jetojnë me tokën dhe me prodhim bujqësor, për të paraqitur paketën më të madhe të financimit të sipërmarrjes dhe të prodhimit në bujqësi, që fermerët kanë pasur ndonjëherë në dispozicion. Është një paketë që po finalizohet në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim dhe me bankat e nivelit të dytë këtu në vendin tonë, për të çelur një linjë tërësisht inovative dhe të re kreditimi të bujqësisë, duke i dhënë një rol tërësisht të ri shtetit shqiptar, si garant i kredive të marra nga sipërmarrësit dhe fermerët”, - deklaroi ai.


Në javët në vijim do të nisë puna dhe për prioritetin e katërt, mbështetjen për bashkitë e reja. “Këta muaj, do të jenë edhe muajt e jetësimit të një pakete të konsiderueshme decentralizuese, për t’i kaluar bashkive të reja përgjegjësi të reja dhe njëkohësisht, edhe për t’i dhënë mundësi të reja që të ushtrojnë ashtu siç duhet detyrën e marrë”, - u shpreh ai. I pyetur mbi një raport të fundit të kompanisë të “BMI Research”, sipas të cilit Shqipëria do të mbetet mes vendeve më të varfra të Evropës për dhjetëvjeçarin e ardhshëm, kreu i qeverisë tha se: “Raporti ka të bëjë me konvergjencën e BE-së. Kjo është paraparë si objektiv për vitin 2029 dhe askush nuk ka pse befasohet nëse ritmet e rritjes ekonomike nuk do ta bëjnë Shqipërinë ndër vendet e pasura të BE-së.


Nëse dikush imagjinon të kundërtën shikon ëndrra në diell”. Sa i takon rritjes ekonomike, Rama tha se qeveria ka arritur objektivat e saj. “Kemi pasur rritjen ekonomike 2.8 për qind në tremujorin e parë dhe synojmë 3 për qind deri në fund të vitit”, tha ai ndërsa shtoi se Shqipëria po ecën ashtu siç duhet, brenda mundësive. “Por ambicia jonë është të shkojmë përtej këtyre mundësive, bazuar në dy kushte: Duhet të vazhdojmë përpjekjet dhe sakrificat e nevojshme për të bërë shtet, çka është një rrugë e gjatë dhe e vështirë dhe duhet të krijojmë kushtet për të rritur investimet e huaja. Para pak ditësh në ‘Financial Times’ qeveria shpalli konkursin për zonën e Spitallës, me synimin për të ndërtuar një zonë reale ekonomike. Po kështu jemi në pritje të investimeve të reja në energji dhe turizëm. Por për të realizuar këto projekte duhet këmbëngulje dhe shtet serioz ”, - përfundoi kryeministri.


Më të lexuarat