E verteta: Buxheti ka qene me suficit primar edhe ne 2010
Ndryshe nga pretendimet e Financave dhe Ekonomisë se buxheti do të dalë me suficit primar për herë të parë në 20 vitet e fundit, të dhënat historike të Ministrisë së Financave tregojnë se ky tregues ka qenë pozitiv, në 0.3% të PBB-së edhe në vitin 2010.
Si ministri i Financave, ashtu dhe ai i Ekonomisë kanë deklaruar publikisht se buxheti pritet të dalë me bilanc parësor pozitiv (suficiti ose deficiti përpara kostove të interesit) për herë të parë në historinë e vet në vitin 2016, në nivelin e 0.3% të PBB-së.Një buxhet që arrin balancë primare nënkupton që të ardhurat janë të barabarta me shpenzimet, por që ka një deficit buxhetor të mbetur që vjen si rrjedhojë e pagesave të interesit nga borxhi i kaluar.
Madhësia e balancës primare të buxhetit është një hap i rëndësishëm drejt uljes së madhësisë së borxhit. Në vitin 2017, ky tregues pritet të arrijë në 1% të PBB-së për tu rritur në 1.7% në 2018-n. Paralelisht në programin afatmesëm parashikohet ulja e borxhit në afatin e mesëm, që pritet të zbresë në 69% të PBB-së në 2017 dhe 65.8% në 2018.
Si ulet borxhi dhe rreziku i rritjes ekonomike të ulët
Aftësia e qeverisë për të reduktuar borxhin varet nga një sërë faktorësh, në veçanti madhësia e borxhit në raport me PBB-në, normat e interesit të paguara për atë borxh në krahasim me ritmet e rritjes ekonomike balancës primare të buxhetit (suficiti ose deficiti përpara kostove të interesit).Në rast se norma e interesit e paguar për borxhin publik është më e lartë se norma e rritjes së ekonomisë, atëherë stoku i borxhit qeveritar do të rritet si peshë ndaj PBB-së, përveçse në rast se qeveria do të arrijë të ketë një suficit buxhetor parësor. Sa më i madh që të jetë stoku i borxhit, aq më i madh duhet të jetë ky suficit. Si rrjedhojë vendet me deficite të mëdha parësore, stoqe të mëdha të borxhit dhe një diferencë të madhe midis normave të interesit dhe ritmeve të rritjes ka të ngjarë të jenë më të brishtë.
Por, ngadalësimi i rritjes ekonomike sugjeron se Shqipëria mund të futet në një rreth vicioz në të ardhmen afatmesme. (Pritshmëritë për rritjen ekonomike për 2015 kanë ardhur vazhdimisht në ulje përgjatë këtij viti. Banka e Shqipërisë nga 3% e rishikoi në mes të vitit në 2.7% dhe së fundmi në 2.5%. Edhe për afatin e mesëm, parashikimet janë pesimiste).
Nga njëra anë, ritmet e rritjes ekonomike pritet të jenë të ulëta, të paktën deri në 2017 (sipas BSH-së). Financimi privat i ekonomisë, një tjetër element që konsiderohet i rëndësishëm për të nxitur rritjen, është pothuaj inekzistent, me bankat që janë përqendruar në menaxhimin e kredive me probleme, që kanë ngecur mbi 20% dhe rritjen e kredisë, sidomos për bizneset, që është negative për 9 mujorin. Konsumi dhe investimet private mbeten të dobëta dhe pritshmëritë po ashtu, sipas Bankës së Shqipërisë.
Dhe nëse ekonomia (PBB nominale) nuk arrin të rritet më shpejt se borxhi, kjo do t’i detyronte financat, që në një përgjigje kundërciklike të zgjerojnë shpenzimet dhe deficitin buxhetor, apo dhe të rrisin taksat për të siguruar më shumë të ardhura. Kjo do zgjaste ciklin e uljes së borxhit, duke e çuar atë drejt kufijve të paqëndrueshmërisë dhe duke vonuar konsolidimin fiskal.