Ekonomia ne 10 muaj, tkurren importet, bien eksportet
Këmbimet tregtare gjatë Tetorit pësuan përsëri rënie me bazë vjetore, si në importe, ashtu edhe në eksporte, çka thelloi më tej ecurinë e dobët të tregtisë së jashtme gjatë këtij viti.
Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, eksportet e mallrave kishin vlerën e 20 miliardë lekë, duke u ulur me 9.3 % në krahasim me Tetorin e vitit të kaluar. Rënia e Tetorit e thelloi rënien progresive të 10-mujorit në 4.3%, nga rreth 3.7% që ishte për 9-mujorin. Grupi që ka udhëhequr eksportet në vitet e fundit, “Minerale, lëndë djegëse, energji” edhe për Tetorin rezultoi në rënie me afro 31% ndaj Tetorit 2014.
Të dhënat progresive të 10-mujorit dëshmojnë një rënie të eksporteve të këtij grupi me 23% me bazë vjetore. Një ecuri më pozitive po regjistron sektori i fasoneve. Eksportet e grupit “Tekstile dhe këpucë” u rritën me afro 7% për Tetorin dhe 3% për gjithë 10-mujorin, duke ruajtur rritjen pozitive, ndonëse me ritme të ngadaltë. Ecuri të dobët në pjesën e dytë të vitit po shfaqin edhe importet. Gjatë Tetorit, vlera e importeve ishte 4.3% më e ulët ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Sipas Instat, edhe bilanci progresiv i 10-mujorit është negativ, me një rënie prej 1.7% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë. Edhe në krahun e importeve rezultatet më negative po i shfaq grupi “Minerale, lëndë djegëse, energji” me një rënie vjetore prej 35% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Kërkesa e dobët dhe ulja e çmimeve të lëndëve të para po rezulton një faktor përcaktues në bilancin tregtar të vendit, duke ndikuar si importet, ashtu edhe eksporte. Rënia e importeve ka bërë që gjatë muajit Tetor deficiti tregtar i vendit të ulet me 0.6% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Sidoqoftë, për të gjithë 10-mujorin deficiti tregtar vazhdon të jetë pak më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, me rreth 0.6%. Deri në fund të Tetorit, deficiti tregtar i vendit ka prekur shumën e afro 236 miliardë lekëve. Bashkimi Europian ngelet partneri kryesor tregtar, me 67% të eksporteve dhe 48% të improteve. Megjithatë, këmbimet me vendet e Bashkimit Europian paraqiten në rënie, ndërsa në rritje është tregtia me vendet e rajonit, Kinën dhe Turqinë.