Secondary Adv

Vlera e njeriut shqiptar, te parafundit ne Ballkan

 

Shqipëria renditet në vendin e 72-të në rang botëror për sa i përket Treguesit të Kapitalit Njerëzor (Human Capital Index), dhe në vendin e parafundit ndër vendet e anketuara të Ballkanit. Këto janë të dhënat e bërë të ditura për vitin 2013, një raporti të publikuar nga “World Economic Forum” në bashkëpunim me firmën prestigjoze të konstultimit financiar.

 

Kapitali njerëzor

 

Vlera e njeriut shqiptar tashmë konsiderohet si një nga asetet më të rëndësishme si në një sipërmarrje, ashtu edhe në një vend. Për këtë arsye ka lindur edhe nevoja për të ndërmarrë të dhëna nëpërmjet anketimeve për të përllogaritur një tregues, sipas të cilit mund të bëhet një vlerësim i kapitalit njerëzor. Në raport janë marrë të dhëna nga 122 vende të botës, nga të cilat 7 ndodhen në Ballkan.

Për të bërë një vlerësim sa më të saktë, në raport janë analizuar 4 “kolona” të ndryshme, të cilat ndahen në disa nënkategori.

Kolona I, “Arsimi”, përmban tregues që lidhen me anën cilësore dhe sasiore të arsimit që nga cikli i ulët e deri tek studimet universitare. Gjithashtu kjo kolonë përmban edhe informacion mbi fuqinë punëtore aktuale, si edhe atë të së ardhmes

 

 

Kolona II, “Shëndeti dhe Mirëqenia”, përmban tregues që lidhen me mirëqenien fizike dhe mendore të popullsisë, duke filluar nga fëmijëria e deri në moshë madhore.

Kolona III, “Fuqia Punëtore dhe Punësimi” është konceptuar që të vlerësojë përvojën, talentin, dijen dhe mundësitë e trajnimeve në popullsinë në moshën e punës në një vend.

Kolona IV, “Mjedisi i Mundësive”, analizon strukturën ligjore, infrastrukturën si edhe faktorët të cilët mundësojnë zhvillimin e kapitalit njerëzor.

 

Ku ndodhet Shqipëria

 

Në Ballkan, vendi që ka renditjen e parë në rajon, për sa i përket Treguesit të Kapitali Njerëzor, është Kroacia, duke u renditur në rang botëror në vendin e 46-të. Ndërsa në vend të fundit për rajonin ballkanik është Serbia, e cila në renditje botërore është në vendin e 85-të. Shqipëria nga ana tjetër në vendin e 72-të në renditje botërore, është e parafundit në Ballkan. Por nëse do të merren të dhënat e kolonave të ndryshme, mbi të cilat është ndërtuar edhe Treguesi i Kapitalit Njerëzor, Shqipëria në disa raste renditet më mirë se vendet e rajonit.

Kështu, për Kolonën “Arsimi”, vendi ynë rendit i dyti në rajon dhe i 54-ti në botë. Në vend të parë është Kroacia. Për Kolonën “Shëndeti dhe Mirëqenia”, Shqipëria renditet e 5-ta në Ballkan dhe e 54-ta në botë. Ndërkaq, në rang rajonal, renditjen më të mirë vendi ynë e ka në Kolonën “Fuqia Punëtore dhe Punësimi”. Në lidhje me këtë Kolonë, Shqipëria është e para në Ballkan dhe e 72-ta në botë. Por “Thembra e Akilit” për Shqipërinë është Kolona “Mjedisi i Mundësive”, i cili ka ndikuar ndjeshëm në Treguesin e Kapitalit Njerëzor. Për sa i përket kësaj kolone, vendi ynë rendit i fundit në Ballkan dhe i 105-ti në botë.


Më të lexuarat