Secondary Adv

Miratohet harta e re e cmimeve te pronave

Nisur nga vlerat shumë të ulëta dhe shumë të larta të çmimeve që burojnë nga harta zyrtare e trojeve në të gjithë vendin, ALUIZN-I do të përdorë çmimet tavan dhe ato dysheme për legalizimin e objekteve për të shmangur kështu vlerat ekstreme.

 

Çmimet

Harta e re e çmimeve te pronave për një metër katror në fshatrat Dhërmi, Vuno, Qeparo, Palasë, Radhimë dhe në fshatra të tjera të Jugut kushton 327 lekë ose 3 mijë e 270 lekë të vjetra. Kjo vlerë është e njëjtë për të gjitha fshatrat e Vlorës. Kështu, një shtëpi e palegalizuar prej 100 metrash jashtë qytetit të Vlorës me çmimet zyrtare nuk kushton më shumë se 50 mijë lekë të vjetra, bazuar në formulën e re të legalizimit. Mirëpo qeveria ka miratuar çmime dysheme për legalizimin në këtë zonë, të cilat nuk mund të jenë më të ulëta se 4 mijë lekë të vjetra për metër katror dhe më të larta se 15 mijë lekë të vjetra. Kështu i njëjti objekt prej 100 metrash në zonën në fjalë nuk mund të legalizohet pa 400 mijë lekë të vjetra.

 

Ndërsa në zonën e Ali Demit një metër katror me çmimet zyrtare kushton 14 324 lekë të reja. Tarifa e legalizimit për metër katror nëse objekti është në tokë të huaj ose në tokë të shtetit sipas formulës për legalizimin jo më pak se 240 000 lekë të vjetra. Por me çmimet e vendosura nga qeveria ku maksimumi një metër katror vlerësohet me 20 mijë lekë të vjetra, çmimi i një objekti për legalizim në zonën Ali Demi nuk kushton më shumë se 500 mijë lekë të vjetra. Po të merreshin në konsideratë çmimet zyrtare për trojet, vlerat e legalizimit do të ishin ekstreme nga qyteti në fshat dhe nga Tirana në rrethe. Mirëpo qeveria përcaktoi çmimet tavan dhe ato dysheme duke harmonizuar vlerën për legalizim në të gjithë vendin, por duke e bërë atë pak më të shtrenjtë në Tiranë dhe qytetet më të mëdha, ku mundësia për pagesën bëhet më e madhe.

 


 

Formula e çmimit

Për ndërtimet pa leje me funksion banimi, çmimi është 50% e vlerës së përcaktuar për pasurinë “tokë truall”, në njësinë administrative dhe zonën kadastrale përkatëse. Për ndërtimet pa leje të ndërtuara brenda territorit administrativ të komunave çmimi për metër katror do jetën në kufijtë 400 -1500 lekë. Për ndërtimet pa leje, të ndërtuara brenda territorit administrativ të bashkive, çmimi do të luhatet 500 lekë-2 000 lekë për metër katror.

 

Ndërsa për shtesat anësore dhe/ose në lartësi në ndërtimet me leje, me funksion banimi, pavarësisht nga territori ku ato janë ngritur, kur çmimi për metër katror do të jetë 1 000 – 3 000 lekë. Për poseduesit e ndërtimeve pa leje, që kanë statusin e invalidit paraplegjik dhe/ose tetraplegjik në kuptim të ligjit nr. 8626, datë 22.6.2000, “Për statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar, me paraqitjen e dëshmisë zyrtare përkatëse pranë drejtorisë së varësisë së ALUIZNI-t, detyrimi financiar për vlerën e parcelës ndërtimore falet. Për poseduesit e ndërtimeve pa leje, që kanë në përbërjen familjare persona me statusin e invalidit paraplegjik dhe/ose tetraplegjik, detyrimi financiar për parcelën ndërtimore zbritet në masën 50% nga vlera e llogaritur.

 


Më të lexuarat