Secondary Adv

Hyn ne fuqi ligji per pronat, fatura 200 miliard leke

Ligji i ri për pronat hyn në fuqi sot, pas botimit në Fletoren Zyrtare të vendimit që rrëzon dekretin e presidentit për rishikimin e ligjit. Me ligjin e ri fatura për kompensimin e pronarëve në bazë të zërit kadastral në momentin e sekuestrimit dhe vlera në bazë të hartës në fuqi është 200 miliardë lekë.


Në rast se ligji nuk do të pezullohet nga Gjykata Kushtetuese, këto para do të ndahen brenda 10 viteve të ardhshme për ish-pronarët. Dokumentet e domosdoshme që duhet të dorëzojnë pronarët në Agjencinë e Trajtimit të Pronës pas hyrjes në fuqi të ligjit do të jenë vetëm dy. Një dokument për origjinën e pronës me firmë dhe me vulë dhe një dokument hartografik, që tregon pozicionin e pronës në terren. Pagesat do të bazohen në një rend kronologjik, sipas datës së vendimit, ato do të nisin nga vendimi i parë dhe me radhë. Ndërkohë që ligji është ankimuar në Gjykatën Kushtetuese nga Partia Republikane.


Fondi
Sipas ligjit, fondi i kompensimit të pronave arrin në vlerën 135 miliardë lekë, 50 miliardë lekë është vlera e kompensimit në të holla dhe rreth 85 miliardë lekë është vlera e kompensimit fizik. Diferenca e fondit do të plotësohet nga një komision i posaçëm që do të punojë për plotësimin e tij. Aktualisht në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, e cila me ligjin e ri do të jetë Agjencia e Trajtimit të Pronave, janë 26 mijë dosje pronarësh që pretendojnë t’u kthehet një sipërfaqe totale prej 75 mijë hektarë tokë. Drejtoresha e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave deklaroi dje në komisionin se brenda tri viteve do të shqyrtohen 11 dosje.


Toka
Fondi i tokës përbëhet nga: a) fondi fizik i pronave, i vënë në dispozicion me vendim të Këshillit të Ministrave; b) fondi fizik i pronave, i çili me vendim të ATP-së, sipas pikës 5, të nenit 6 të këtij ligji bëhet pjesë e fondit të tokës, bazuar në rregullat e përcaktuara në këtë ligj; ç) sipërfaqet e mbetura të lira në territoret me ndërtime informale. Fondi i tokës vlerësohet financiarisht nga ATP-ja, sot AKKP-ja, bazuar në hartën e vlerës, të përcaktuar në pikën 15, të nenit 5 të këtij ligji. ATP-ja kryen vlerësimin financiar brenda 30 (tridhjetë) ditësh për fondin që vihet në dispozicion me vendim të Këshillit të Ministrave dhe menjëherë për fondin që kalon me vendim të ATP-së. Të dhënat për këtë fond publikohen në mjediset e ATP-së dhe në faqen zyrtare menjëherë mbas kryerjes së procedurës së vlerësimit.


Rastet e kompensimit fizik
Në rast se pas ankandit publik, sipas përcaktimeve në nenin 13 të këtij ligji, prona nuk shitet, atëherë ajo përdoret për kompensimin fizik të subjekteve që disponojnë një vendim përfundimtar kompensimi. ATP-ja publikon në faqen e saj zyrtare dhe në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare, për një periudhë 45-ditore, informacionin për pronën që do të përdoret për kompensim fizik dhe gjatë kësaj periudhe pret kërkesa nga subjektet që disponojnë vendim përfundimtar kompensimi. Në përfundim të afatit 45-ditor, ATP-ja, brenda 30 (tridhjetë) ditëve shpall subjektin përfitues që ka aplikuar, sipas ofertës më të lartë ose, në raste kur ka oferta të barabarta, sipas prioritetit të përcaktuar në pikën 3 të nenit 15 të këtij ligji dhe vijon procedurat për kompensimin fizik të subjektit përfitues


Më të lexuarat