Secondary Adv

Banka e Shqiperise: Ekonomia nuk eshte ne situate deflacioniste dhe as nuk rrezikohet prej saj

Banka e Shqipërisë në një prononcim për median bën të ditur se, fenomeni i renies se inflacionit gjatë dy muajve të parë të vitit 2016, eshtë analizuar me seriozitet nga Banka Qendrore.


Sipas BSH-se, konkluzionet paraprake të këtyre analizave sugjerojnë se rënia e inflacionit ka ardhur nga goditje të ofertës, të cilat në një pjesë të madhe origjinojnë në zhvillimet e tregjeve ndërkombëtare. Më konkretisht, rënia e çmimit te naftës, fillimisht në tregjet ndërkombëtare dhe së fundmi edhe në tregjet lokale, ka prodhuar një efekt rënës mbi inflacionin në intervalin 0.5 deri në 1 pikë përqindjeje.

 

Së dyti, sqaron BSH-ja, inflacioni i ushqimeve në partnerët tanë tregtarë luhatet në nivele të ulëta. Inflacioni i ushqimeve në muajin janar në katër vendet kryesore partnere tregtare ishte vetëm në nivelin 0.25 për qind, kundrejt një norme mesatare të inflacionit të ushqimeve prej 3.1 për qind për periudhën janar-shkurt në Shqipëri. Nëpërmjet aktivitetit tregtar me këto vende, ky inflacion i ulët tenton të përhapet edhe në ekonominë shqiptare.


Pavarësisht se analizat e deritanishme tregojnë se rënia e inflacionit nuk duket te ketë ardhur nga rënie te papritura te kërkesës dhe konsumit në këtë periudhë, gjithsesi është e qartë që niveli i rritjes ekonomike dhe kërkesës agregate mbeten poshtë niveleve të tyre potenciale dhe vazhdojnë të frenojnë kthimin e inflacionit në objektiv.

 

Së fundi, duke marrë shkas nga disa komente në media, Banka e Shqipërisë dëshiron të preçizojë se zhvillimet aktuale në inflacion nuk përbëjnë një situatë deflacioniste, dhe as sinjalizojnë për rrezikun e një situate të tillë në të ardhmen. Situatat deflacioniste lidhen me periudha recesioni ekonomik, apo me goditje të forta dhe të zgjatura nga ana e ofertës. Të dhënat zyrtare mbi aktivitetin e brendshëm ekonomik nuk përmbajnë sinjale të tilla në këtë drejtim. Po ashtu, parashikimet për tregun ndërkombëtar sugjerojnë se ndoshta cikli rënës i çmimeve të naftës dhe të produkteve të tjera e ka arritur tashmë pikun e vet. Gjithsesi, Banka e Shqipërisë do të mbetet në monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe do të komunikojë me transparencë konkluzionet dhe masat e saj.


Po ashtu, për sa i përket parashikimeve te Bankës për inflacionin, kjo është një çështje që mbetet për tu parë. Në një reagim të parë, mund të themi që këto zhvillime nuk ndryshojnë kahun e pritur rritës të inflacionit në periudhën afatmesme. Sikurse del nga konkluzionet e analizës, kjo rënie e fortë e inflacionit pritet të jetë kalimtare, pavarësisht kohëzgjatjes së saj. Gjithsesi, këto zhvillime mund të prekin trajektoret e pritura të konvergjencës në objektiv. Në varësi të shmangieve të konstatuara nga parashikimet tona paraardhëse, ato mund të bëhen subjekt i reagimit të politikës monetare.

 

Përpos sa më sipër, Banka e Shqipërisë gjykon se tendenca e inflacionit në horizontin afatmesëm mbetet në kahun rritës. Përmirësimi i pritur i aktivitetit ekonomik dhe qetësimi i presioneve dizinflacioniste nga tregjet e jashtme do te ndihmojnë në kthimin e inflacionit në objektiv.“Natyrisht që ky fenomen është analizuar me seriozitet nga Banka e Shqipërisë. Konkluzionet paraprake të këtyre analizave sugjerojnë se rënia e inflacionit ka ardhur nga goditje të ofertës, të cilat në një pjesë të madhe e kanë origjinën në zhvillimet e tregjeve ndërkombëtare”, ben te ditur Banka e Shqiperise. Së fundi, Banka e Shqipërisë, precizon se zhvillimet aktuale në inflacion nuk përbëjnë një situatë deflacioniste, dhe as sinjalizojnë për rrezikun e një situate të tillë në të ardhmen.


Më të lexuarat