Secondary Adv

ALUIZNI, 1.222 persona marrin lejen e legalizimit

Përfituesit janë në qarkun e Durrësit dhe do të presin që ALUIZNI të vijojë procedurat me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për të tërhequr më pas tapitë për shtëpitë dhe truallin mbi të cilin kanë ndërtuar.

 

Sipas ligjit, kalimi i së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objektit pa leje bëhet sipas dispozitave të Kodit Civil.Sipërfaqja e parcelës, për të cilën miratohet kalimi i së drejtës së pronësisë, nuk mund të jetë më e madhe se trefishi i sipërfaqes së bazës së ndërtimit, dhe për ndërtimet pa leje me funksion banimi, jo më shumë se 500 m². Sipërfaqet mbi masat e përcaktuara në këtë pikë, të cilat, për shkak të përmasave ose konfiguracionit nuk mund të shfrytëzohen më vete për ndërtim, i shiten poseduesit të ndërtimit pa leje sipas vlerës së pronës, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, vetëm nëse ka shprehur më parë vullnetin, nëpërmjet një kërkese me shkrim.


Kur ndërtimi pa leje disponohet nga një subjekt, kontrata e kalimit të pronësisë së parcelës ndërtimore dhe objektit që legalizohet regjistrohen në emër të subjektit që disponon objektin. Ndërsa në rastin kur ndërtimi pa leje disponohet nga më shumë se një person, fizik ose juridik, regjistrimi i pjesëve takuese mbi pasuritë (parcelë dhe objekt) kryhet: në pjesë të pandara, ideale, sipas numrit të subjekteve; në pjesë takuese të ndara, sipas marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet subjekteve lirisht dhe të depozituar brenda afatit të vetëdeklarimit. Subjektet mund të përcaktojnë, përveç pjesës takuese, edhe pjesët fizike respektive nëse ndërmjet tyre përputhet vullneti.


Sipas ALUIZNI-t, gjithsej leje legalizimi të dhëna në periudhën 2006-2015 janë 57.000. Me ndryshimet që pësoi ligji nr.9482/2006 në vitin 2014 dhe 2015 dhe me miratimin e kuadrit të plotë të akteve nënligjore, u bë i mundur përshpejtimi i ritmeve të procesit të legalizimit, duke mundësuar legalizimin e 15.294 ndërtimeve në vitin 2014 dhe 19.714 të tjerave për periudhën janar-26 tetor 2015.


Më të lexuarat