Secondary Adv

Kodi Rrugor, gjobe 100 000 leke kush demton rruget

 

Masat administrative që parashikon Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë do të ashpërsohen. Pas ndryshimeve të bëra në fund të vitit 2011, Këshilli i Ministrave ka miratuar ndryshimet e reja, të cilat parashikojnë shumëfishim të vlerës së gjobave për disa nene të veçanta të Kodit Rrugor.
Kodi Rrugor, i pari që pritet të ndryshojë është neni 15, ku përfshihet dëmtimi i sinjalistikës rrugore. Sipas Ministrisë së Transporteve, "dëmtimet, shkarravitjet apo çdo shënimi në sinjalistikën rrugore ka rezultuar të ketë ndikim direkt në sigurinë rrugore, prandaj ndryshimet e miratuara nga qeveria përfshijnë dhjetëfishimin e gjobave ndaj kundravajtësve dhe detyrim për sjelljen në gjendjen e mëparshme të gjendjes së rrugës.

 

Kjo do të thotë se, nëse deri më tani kjo kundravajtje administrative dënohej me gjobë nga dy mijë e pesëqind deri në dhjetë mijë lekë, me ndryshimet e reja do të dënohet nga 25 mijë deri në 100 mijë lekë. Ashpërsim gjobash do të pësojë edhe neni 22, i cili ndalon krijimin e zonave të shërbimit të paautorizuara me akses në rrjetin rrugor dhe lidhjet hyrëse dhe dalëse të paautorizuara në objekte apo territore që lidhen me sistemin rrugor.

 

Sipas MT, këto ndërhyrje kanë qenë një nga burimet kryesore të aksidenteve në rrugë, prandaj edhe masat administrative me gjobë do të 10-fishohen për kundravajtësit e kësaj natyre. Cilido që shkelte këtë nen, deri më tani gjobitej në vlerat nga dy mijë e pesëqind deri dhjetë mijë lekë. Neni i tretë që është objekt i ashpërsimit të masave administrative është neni 23, ku parashikohen reklamat në rrugë dhe mbi mjetet rrugore. Aktualisht, cilido që zë sipërfaqen rrugore pa lejen përkatëse, ose që duke pasur leje, nuk zbaton kushtet e saj, i nënshtrohet masës administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në 100 mijë lekë. Ndërkohë që, sipas Ministrisë së Transporteve, një nga shqetësimet me pasoja për drejtuesit e mjeteve janë vendosja e çdo lloj reklame apo njoftimi të paautorizuar në perimetrin rrugor.

Me ndryshimet në Kodin Rrugor, ky veprim do të ndëshkohet me gjoba katërfish të atyre aktuale, ndërsa subjektet apo individët kundravajtës do të detyrohen të paguajnë dëmet e shkaktuara të infrastrukturës rrugore. Nëse kryejmë përllogaritjet, sipas Kodit të ri, këto veprime do të ndëshkohen me gjobë nga 100 mijë lekë deri në 400 mijë lekë.

Drejtuesit


Ndryshime do të pësojnë edhe kërkesat rreth kontrollit shëndetësor dhe psikik të drejtuesve të mjeteve të qarkullimit rrugor. "Disa prej ndryshimeve të miratuara në Kodin Rrugor konsistojnë në përafrimin e legjislacionit evropian për lejet e drejtimit të mjeteve rrugore. Më konkretisht, do të ketë kërkesa të përmirësuara ndaj kandidatëve për leje drejtimi përsa i përket kontrollit shëndetësor dhe psikik. Gjithashtu, sistem i ri i lejeve të drejtimit do të konsistojë në zbatimin e sistemit të pikëve për lejet e drejtimit, duke synuar kështu rritjen e përgjegjshmërisë së drejtuesve", sqaron Ministria e Transporteve. Së fundmi, ndryshimet në Kod do të detyrojnë drejtuesit të pajisin mjetet me ndenjëse të posaçme për transportin e fëmijëve deri në 12 vjeç.


Aksidentet


Në vitin 2013 u regjistruan 773 aksidente të rënda, ndër të cilat 295 ishin fatale. Ndërkohë që nëpërmjet ndërhyrjeve nga ana e MT-së, veçanërisht në mirëmbajtje dhe standardizim me elemente të sigurisë rrugore të disa segmenteve kyç, numri i aksidenteve u ul përkatësisht me 20% për fatalitetet dhe 27% për aksidentet e rënda. Ndërkaq, ndryshimet e propozuara të Kodit Rrugor synojnë të përmirësojnë më tej sigurinë në qarkullimin rrugor, me qëllim zvogëlimin e numrit të aksidenteve.


Më të lexuarat