Secondary Adv

Bregdeti i Jugut, hapet tenderi per punimet ne Vlore, Dhermi, Himare dhe Vuno

Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) nis zbatimin  e projektit “Zhvillimi i Alpeve Shqiptare dhe zonës bregdetare”, që financohet nga kredia prej 28 700 000 eurosh dhënë nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës. 

 

Një pjesë e kredisë është planifikuar të shfrytëzohet për pagesën e mallrave, punimeve, shërbimeve të ndërlidhura dhe konsulencës për të cilat është shpallur tenderi. Ky projekt do të financohet bashkërisht me qeverinë e Shqipërisë me një kontribut prej 6 000 000 euro. Projekti mund të kontribuojë në mënyrë indirekte në zvogëlimin e papunësisë në këto zona nëpërmjet krijimit të vendeve të reja dhe intensifikimit të aktiviteteve ekonomike ekzistuese.


 Po ashtu parashikohet një ndikim në reduktimin e numrit të familjeve që jetojnë nën nivelin e varfërisë në këto zona dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve bazë. Si efekt anësor, sipas hartuesve të projektit, mund të jetë zgjerimi i ofertave turistike, zgjatja e kohës së qëndrimit dhe rritja e shpenzimeve të vizitorëve. Këto ditë është shpallur tenderi për shërbimin e projektimit për rikualifikimin urban në fshatrat e Dhërmiut dhe Vunoit, Bashkia Himarë. Projekti përfshin restaurim në fshatrat e vjetra të Dhërmiut dhe Vunoit (rrugët, trotuaret, sheshet, fasadat e shtëpive tradicionale, ndriçimi publik, etj). Qëllimi është zhvillimi i turizmit, si dhe progresi ekonomik përmes restaurimit, ruajtjes dhe rehabilitimit të shtëpive tradicionale dhe zonave të trashëgimisë kulturore. Konsulenti do të përgatisë projektet e detajuara teknike për nënprojektet e identifikuara në këtë zonë.


Buxheti maksimal në dispozicion të realizimit të detyrës është 200 000 euro (pa TVSH). Gjithashtu janë ftuar në tender konsulentë për projektet e detajuara teknike të identifikuara në këtë zonë. Buxheti maksimal në dispozicion për këtë detyrë është 28 000 000 lekë(pa TVSH). Pjesë e këtij projekti janë edhe shërbimet e supervizimit për punimet civile për rikualifikimet urbane në Vlorë (faza e parë), Himarë (faza e parë) dhe Bashkinë Pukë. Buxheti për supervizionin është 28 000 000 lekë. FSHZH është në rolin e zbatuesit të projektit dhe në këtë kuadër ka shpallur ftesën për nënkontraktorë që do të kryejnë punimet për rigjenerimin e peizazhit urban dhe përmirësimin brenda qytetit të Vlorës. Punimet e nevojshme për zbatimin e kontratës konsistojnë kryesisht në punime gërmimi dhe sistemim peizazhi, rregullime në objekte, punime betoni, ndërtim strukturash, asfaltim, gjelbërim, instalimin e ndriçimit urban, si dhe mobilim urban.


Më të lexuarat