Secondary Adv

Haxhinasto inspekton Aeroportin e Kukesit, duhen 2.5 milion euro investime

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, inspektoi Aeroportin e Kukësit, për të parë nga afër gjendjen e tij, me qëllim shqyrtimin e mundësisë së fillimit të operimit të fluturimeve nga ky aeroport drejt destinacioneve evropiane.

 

Haxhinasto tha se janë të gjitha mundësitë që ky aeroport të nisë fluturimet kombëtare dhe ndërkombëtare. Haxhinasto siguroi se në bashkëpunim edhe me Autoritetin Civil Shqiptar po shqyrtohen mundësitë për ta bërë sa më shpejt operacional këtë aeroport. Sipas tij, për vënien në funksion të tij nevojiten investime në vlerën e 2.5 milionë euro. “Ka nevojë, tha ai, për kolaudim të pajisjeve që janë në konservim prej kohësh. “Ky aeroport ka impakt të madh në ekonominë e zonës”, theksoi ministri. Sipas tij, për vënien në funksion të tij do të investohet edhe në rrugën lidhëse me autostradën Durrës-Kukës-Morinë.

Aktualisht, kompania ajrore hungareze low-cost “Wizz Air” ka bërë një kërkesë për të ardhur dhe operuar në Aeroportin e Kukësit. Kompania bëhet e ditur se është në moment diskutimi me ministrinë e Transportit. Kompania ajrore hungareze është kompania më e madhe e transportit ajror që operon aktualisht në Maqedoni.

Aeroporti i Kukësit përfundoi së ndërtuari në vitin 2006, por asnjëherë nuk u vu në punë, për shkak të eksluzivitetit mbi fluturimet ndërkombëtare, që gëzon operatori i Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” për periudhën 20-vjeçare 2005-2025.

Në fillim të muajit prill të këtij viti, qeveria shqiptare arriti marrëveshjen me koncesionarin TIA që do të lejojë vënien në funksion të aeroportit të Kukësit dhe ngritjen e një aeroporti tjetër në jug të vendit. Marrëveshja bazë e lidhur në datë 15 tetor të vitit 2004, në nenin 2.3 të saj, kishte parashikuar që për një afat 20-vjeçar koncesionari kishte të drejtën e eksluzivitetit për të gjitha fluturimet ndërkombëtare. Pas një periudhe 2-vjeçare negociatash me TIA-n, ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe ajo e Ekonomisë arritën në një marrëveshje për heqjen e eskluzivitetit. Në këmbim të heqjes së eskluzivitetit, kësaj marrëveshje i është zgjatur afati me dy vite.

Ministri Haxinasto inspektoi edhe punimet për ujësjellësin e Kukësit. Ministri tha se punimet kanë hyrë në fazën e dytë dhe se në 5 muaj janë rritur arkëtimet nga 30 në 80%. Efektet e këtij investime janë mjaft të dukshme theksoi ministrit, duke shtuar se nga 2 orë mesatarisht tashmë qytetarët e Kukësit furnizohen 12 orë me ujë.


Më të lexuarat