Secondary Adv

INSTAT: Ndermarrjet e reja rriten me 6 per qind si rezultat i formalizimit te ekonomise

Formalizimi i ekonomisë nëpërmjet aksionit antiinformalitet, që nisi në mes të vitit të kaluar ka ndikuar në rritjen e ndërmarrjeve të reja me 6 për qind. Sipas të dhënave të INSTAT, kjo rritje ka ardhur nga regjistrimi i bizneseve informale nëpër qarqet e vendit, teksa në Tiranë bizneset nuk i kanë bërë ballë formalizimit.


INSTAT raporton se në kryeqytet 5 për qind bizneseve të drejtuara nga femrat dhe 3% e bizneseve të drejtuara nga burrat janë mbyllur. Prefekturat ku formalizimi i ndërmarrjeve të drejtuara nga gratë ka qenë shumë i ndjeshëm është Fieri, me gati 17% krahasimisht me një vit më parë, i ndjekur nga Dibra, Kukësi, Gjirokastra dhe Vlora. Në vitin 2015, sipas shpërndarjes së ndërmarrjeve me pronare apo drejtuese gra nëpër qarqe, vërejmë se në qarkun e Tiranës ku kemi përqendrimin më të madh të ndërmarrjeve, kemi një rënie prej 5% krahasuar me një vit më parë.


Ndërmarrjet e zotëruara apo drejtuar nga burrat në 2015-ën, të përqendruara më shumë në qarkun e Tiranës, sërish kanë pasur një rënie prej 3% nga 42,6%, në 39,3%. Ndërmarrjet e reja në vitin 2015 janë të përqendruara kryesisht në Tiranë. Në vitin 2015, 31,3% e administratoreve janë gra, me një rritje prej 3% për një vit.


Përqindja e grave pronare apo administratore në ndërmarrjet e vogla (1-4 të punësuar) është më e lartë se në kategoritë e tjera. Sipas INSTAT, nga viti 2005 deri në vitin 2015, përqindja e pronareve gra është rritur në të gjitha kategoritë, me rritjen më të madhe në ndërmarrjet me 1-4 të punësuar, me afërisht 5%. Ndërkohë që në kategorinë e bizneseve me 5 deri në 9 punëtorë kemi një rritje me gati dyfish të numrit të grave administratore ose pronare në pesë vitet e fundit.


Më të lexuarat