![Nga neser efektivet e Policise do te punojne 12 ore ne dite per tre muaj Nga neser efektivet e Policise do te punojne 12 ore ne dite per tre muaj](images/news/policia sezoni turistik pune 12 ore.jpeg)
Kroaci, partia konservatore ne pushtet fiton shumicen ne zgjedhje
Partia konservatore në pushtet e Kroacisë, Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ) e udhëhequr nga kryeministri Plenkoviç fitoi bindshëm në zgjedhjet parlamentare të së mërkurës.
Bashkimi Demokratik Kroat mbështet kursin pro-perëndimor, por atij do t’i duhet mbështetja e grupeve të ekstremit të djathtë për të ruajtur pushtetin, në bazë të përllogaritjeve zyrtare të votave.
Zgjedhjet pasuan një fushatë të ashpër midis presidentit dhe kryeministrit të vendit, e cila krijoi një krizë politike në vendin ballkanik prej 3.9 milionë banorësh, i cili është anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Bashkimi Demokratik Kroat, i kryesuar nga Andrej Plenkoviç ishte në garë me një aleancë të partive të qendrës dhe të krahut të majtë, të kryesuar nga presidenti populist Zoran Milanoviç dhe Partia e tij Social Demokratike, ose SDP.
Me mbi 90% të votave të numëruara, komisioni shtetëror zgjedhor tha se HDZ fitoi 60 vende në parlamentin me 151 vende. SDP siguroi 42 vende.
Partia e së djathtës së skajshme, Lëvizja për Shtetësinë u radhit e treta, me 14 vende, gjë që i jep asaj një rol vendimtar në negociatat për qeverinë e ardhshme.
"Nga nesër në mëngjes, ne do të fillojmë të formojmë një shumicë të re parlamentare për të krijuar qeverinë tonë të tretë," tha zoti Plenkoviç në fjalimin e tij të fitores. Votuesit nuk prisin që gjërat të ndryshojnë shumë pas zgjedhjeve.
“Unë nuk mendoj se do të ndryshojë gjë. Fushata nuk ishte shumë e mirë, kishte shumë fyerje nga të gjitha anët. Sidomos për ne pensionistët, gjërat do të mbeten ashtu siç janë”, thotë Ljerka Majcen, pensioniste nga Zagrebi.
Partia në pushtet bëri fushatë duke iu kujtuar votuesve rritjen ekonomike të kohëve të fundit, të nxitur nga anëtarësimi i vendit në zonën ‘Schengen’ dhe në eurozonë.
Social Demokratët theksuan luftën kundër korrupsionit, pasi partia e Kryeministrit Plenkoviç është dëmtuar nga një mori skandalesh korrupsioni dhe hetimesh kundër zyrtarëve të lartë të partisë, përgjatë viteve të fundit.
“Pritja ime është që qeveria të ndryshojë pasi kemi duruar ata që janë në pushtet prej tetë vjetësh. Mendoj se është koha që njerëzit të zgjedhin dikë tjetër që ndoshta mund të jetë një zgjedhje më e mirë, të paktën shpresojmë se mund të jetë”, thotë pensionisti tjetër nga Zagrebi, Bozhidar Zupan.
Presidenti ka një rol kryesisht ceremonial në Kroaci, ndërsa kryeministri ushtron pjesën më të madhe të pushtetit politik.
Zoti Milanoviç, i cili si president cakton datën e zgjedhjeve, në mënyrë të pazakontë njoftoi muajin e kaluar se do të kandidonte në zgjedhje duke qenë ende në detyrë.
Gjykata e lartë e vendit vendosi se kjo ishte jokushtetuese dhe e ndaloi atë të bënte fushatë. Atij gjithashtu iu ndalua të paraqitej zyrtarisht në listat e kandidatëve dhe SDP-së iu ndalua që të bënte fushatë për të si kandidat për kryeministër.
“Unë dua që votuesit të zgjedhin një Kroaci ku respektohet kushtetuta. Dua që kroatët të votojnë për të qëndruar brenda familjes transatlantike dhe evropiane, ku ne jemi përpjekur të jemi gjatë tre dekadave të fundit”, tha kryeministri Plenkoviç, pasi votoi në Zagreb.
Pas vendimit të Gjykatës kundër kandidimit të tij, Presidenti vazhdoi të sulmonte gjykatën dhe partinë në pushtet nëpërmjet mediave sociale dhe paraqitjeve publike, përfshirë edhe ditën e votimit.
“Fatkeqësisht, kryeministri edhe sot, gjatë heshtjes zgjedhore, foli ashpër dhe tha idiotësira rreth shkeljes së Kushtetutës dhe respektimit të ligjit, megjithëse ai nuk e bën vetë këtë kur është fjala për kodin penal dhe atë të taksave”, tha Presidenti Milanoviç pasi hodhi votën e tij në Zagreb./Burimi: VOA/Shqiptarja.com
Më të lexuarat
![Nga neser efektivet e Policise do te punojne 12 ore ne dite per tre muaj Nga neser efektivet e Policise do te punojne 12 ore ne dite per tre muaj](images/news/policia sezoni turistik pune 12 ore.jpeg)
![Anetaresimi ne SEPA, 100 mln euro kursim nga kostot e remitancave Anetaresimi ne SEPA, 100 mln euro kursim nga kostot e remitancave](images/news/sepa shqiperia anetaresim kursim.jpg)
![78 per qind e shqiptareve ne moshe te rritur kane llogari bankare 78 per qind e shqiptareve ne moshe te rritur kane llogari bankare](images/news/llogari bankare 78 perqind shqiptareve.jpg)
![Super tenderet per mirembajtjen e rrugeve, ARRSH 7.3 mld leke per 4 rajonet e vendit Super tenderet per mirembajtjen e rrugeve, ARRSH 7.3 mld leke per 4 rajonet e vendit](images/news/arrsh 4 tendera mirembajtje rruge.jpg)
![Celja e sezonit turistik, Policia publikon masat per kufizimin e disa mjeteve e akseve ne vend Celja e sezonit turistik, Policia publikon masat per kufizimin e disa mjeteve e akseve ne vend](images/news/policia plan masazh kufizime sezoni turistik.jpg)
![Temperatura rekord, Greqia mbyll atraksionet turistike, shkollat dhe cerdhet Temperatura rekord, Greqia mbyll atraksionet turistike, shkollat dhe cerdhet](images/news/greqi temperatura rekord mbyllen shkolla.jpg)
![Mikrokredia ne nivele rekord, mbi 200 mije kliente aktive ne 2023 Mikrokredia ne nivele rekord, mbi 200 mije kliente aktive ne 2023](images/news/mikrokredia rekord ne 2023.jpg)
![Lehtesohen procedurat e lejeve te ndertimit per objektet bujqesore dhe te banimit ne fshat Lehtesohen procedurat e lejeve te ndertimit per objektet bujqesore dhe te banimit ne fshat](images/news/procedura leje ndertimi lehtesim fshat.jpg)
![Media britanike: Shqiperia destinacioni me emocionues per pushime familjare Media britanike: Shqiperia destinacioni me emocionues per pushime familjare](images/news/turizmi shqiperi britanikja artikull.jpg)
![Yield-et e bonove 12 mujore bien me tej, i afrohen normes baze te interesit Yield-et e bonove 12 mujore bien me tej, i afrohen normes baze te interesit](images/news/yeldi bono ulje norma interesi.jpg)