Secondary Adv

Hekurudha Vore-Hani i Hotit perfundon ne vitin 2030, brenda 2024 nis puna

Punimet për rehabilitimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit do të zgjasin plot 6 vite.

 

Faza e parë e punës do të nisë në fund të këtij viti, për të përfunduar së ndërtuari në vitin 2030. Ky është afati i caktuar në projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së huasë me BERZH në vlerën prej 98 750 000 eurosh për këtë projekt.

 

Në relacionin e projektligjit të depozituar në Kuvend thuhet se rehabilitimi i kësaj linje hekurudhore, do të bëhet në parametrat e BE, ndërsa kredia duhet të shlyhet brenda 17 viteve.

 

Hekurudha e re do të jetë e elektrifikuar ndërsa shpejtësia e lëvizjes së trenave do të jetë deri në 120 kilometra në orë, ndërsa koha mesatare e udhëtimit nga Vora në Hanin e Hotit do jetë 2 orë.

 

“Projekti parashikon ndërtimin e 12 stacioneve hekurudhore, ndërtimin e një tuneli me gjatësi 320 metër, ndërtimin e 12 urave etj. Me ndërtimin e kësaj linje hekurudhore pritet një fluks udhëtarësh prej 2 300 000 udhëtarësh/vit dhe volum mallrash prej 900 000 tonësh/vit”, thuhet në relacion.

 

Kjo linjë përveç se lidh Shqipërinë me Malin e Zi do të ketë shtrirje edhe në Portin e Durrësit. Plani i BE është që kjo hekurudhë të zgjatet edhe më tej, duke përfshirë, Beogradin, Zagrebin, Lubjanën dhe Budapestin.

 

Sipas relacionit përmes këtij projekti do të rritet siguria për udhëtarët, rritet shpejtësia e trenave, do jetë një hekurudhë lidhëse me vendet fqinje e më tej duke rritur ekonominë si dhe promovon transportin e gjelbër.

 

Kostoja totale e këtij projekti është 373 milionë euro, një pjesë e së cilës do të mbulohet edhe nga buxheti i shtetit, pjesa tjetër nga BERZH, BE përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor dhe Banka Evropiane e Investimeve./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat