Secondary Adv

Numri i lejeve te ndertimit u rrit me 14.5 per qind qe prej 2021, kryeson Tirana

Gjatë tre viteve të fundit në Shqipëri janë miratuar në total 4436 leje ndërtimi për ndërtesa të reja.

 

Referuar të dhënave nga Instituti i Statistikave, numri i lejeve të ndërtimit është rritur me 14.5% që prej vitit 2021, ndërsa sipërfaqja e lejeve të miratuara për ndërtesa të reja ka pësuar ulje gjatë vitit të shkuar.

 

Vetëm në vitin 2023 janë miratuar gjithsej 1.602 leje ndërtimi, një rritje me 12.8% nga 1.420 leje ndërtimi të lëshuara vitin e mëparshëm.

 

Ndërkohë që sipërfaqja e lejeve të miratuara për ndërtesa të reja është 2.115.819 m2, duke shënuar një ulje prej 20,7% krahasuar me vitin 2022. Shifrat tregojnë për më shumë leje ndërtimi të lëshuara, por kryesisht për sipërfaqe më të vogla.

 

Kërkesa e lejeve të ndërtimit për banim dominon në krahasim me kërkesat për ndërtesa të tjera jo rezidente apo punime inxhinierike të tipit hekurudha, rrugë, autostrada, ura, linja ujësjellësash, linja elektrike apo telekomunikacioni.

 

Sa i takon shpërndarjes së lejeve të ndërtimit nëpër qarqe, në tremujorin e fundit të vitit të shkuar shumica prej tyre kanë qenë të përqendruara në Tiranë, Durrës dhe Elbasan.

 

Me rritjen e numrit të turistëve është rritur edhe nevoja për shtimin e kapaciteteve të strukturave akomoduese, ku në harkun kohor 2021-2023 vërehet se janë ndërtuar rreth 143 hotele ose ndërtesa të ngjashme me këto të fundit.

 

Në qytetet bregdetare të Durrësit, Lezhës dhe Vlorës, që prej vitit 2021 janë miratuar rreth 1874 leje ndërtimi për ndërtesa të reja. Konkretisht, 1299 leje janë dhënë vetëm në Durrës, 361 leje në Lezhë dhe 214 në Vlorë.

 

Ritmi i ndërtimeve në Lezhë ka ardhur duke u ulur, ndërsa në Durrës dhe Vlorë ka pasur tendenca rritjeje.

 

Në mbledhjen e fundit të Këshillit Konsultativ midis Qeverisjes Qendrore dhe Vetëqeverisjes Vendore, u propozua lehtësimi i procedurave për dhënien e lejeve të ndërtimit në zonat rurale, si për banesat private ashtu edhe për bizneset, me qëllim zhvillimin e infrastrukturës në fushën e agroturizmit.

 

Shqipëria po përgatitet të presë një fluks të madh turistësh këtë vit, prandaj është thelbësore që strukturat akomoduese t’i përgjigjen kërkesës së lartë të vizitorëve të huaj./Burimi: SCAN


Më të lexuarat