Secondary Adv

Levizjet e shtetasve, 1 ne 5 banore ne mars ishte turist i huaj

Turizmi ka vijuar të mbajë ritmin e rritjes dyshifrore që shfaqi në dy muajt e parë të vitit edhe gjatë muajit mars.

 

Të dhënat zyrtare mbi Lëvizjen e Shtetasve tregojnë se numri i të huajve që hynë në territorin shqiptar në muajin e tretë ishte rreth 565 mijë apo 47.1 për qind më shumë se marsi i vitit 2023.

 

Sipas INSTAT hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin Mars 2024, janë 1.150.442. Ky tregues rezulton me një rritje 35,9%, krahasuar me Mars 2023.

 

Ndërkohë daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Mars 2024, janë 1.175.710, duke shënuar një rritje me 39,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Operatorët turistikë presin që viti 2024 të jetë në tërësi një vit i mbarë për sektorin me një rritje dyshifrore e nxitur kjo nga promovimi ndërkombëtar që ka fituar vendi në mediat ndërkombëtare, rrjetet sociale por edhe marketimit si një vend ekonomik në raport me vende të tjera.

 

Grupet që priten të dominojnë edhe këtë verë janë italianët ndërkohë që ka një rritje edhe të spanjollëve të cilët po vijnë jo vetëm të organizuar por edhe individualë. Polakët ndërkohë mbeten grupi më i madh i organizuar.

 

Hyrjet e shtetasve

“Në Mars 2024, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 585.467. Ky numër është rritur me 26,6%, krahasuar me Mars 2023. Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 564.975.

 

Ky numër është rritur me 47,1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023”, vlerëson INSTAT. Si tremujor numri i të huajve në territorin shqiptar ka kaluar 1.5 milionë me një rritje 43.4 për qind.

 

Daljet e shtetasve

“Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Mars 2024 janë 604.102. Krahasuar me Mars 2023, ky tregues është rritur me 30,6%.

 

Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Mars 2024, janë 571.608. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky tregues është rritur me 50,4%.

 

Në Mars 2024 rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Evropës me 539.683 shtetas, pasuar nga Amerika dhe Azia Lindore dhe Paqësori, përkatësisht me 14.267 dhe 5.254 shtetas”, vlerëson INSTAT.

 

Në Mars 2024, krahasuar me Mars 2023, hyrjet e shtetasve të huaj shënojnë: • rritje, për qëllime personale me 45,2%; • rritje, për qëllime pushime, vizite tek të afërm, etj. me 44,7%; • rritje, për biznes dhe qëllime profesionale me 2,1 herë.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/levizjet-e-shtetasve-1-ne-5-banore-ne-mars-ishte-turist-i-huaj/


Më të lexuarat