Secondary Adv

Energjia, 276 mije konsumatore nuk paguajne faturat ne afat

Enti Rregullator i Energjisë ka vlerësuar se janë të paktën 276 mijë konsumatorë që nuk arrijnë të paguajnë në afat faturat e energjisë.

 

Kjo i referohet një grupi konsumatorësh familjarë dhe jo familjarë që cilësohen si problematikë. “Ndër vite një numër jo i vogël konsumatorësh kalojnë në statusin debitor apo kanë të dhëna historike të mbajtjes së statusit debitor.

 

Të dhënat aktuale të paraqitura nga FSHU sh.a., përsa i përket vitit 2023 na paraqesin këtë panoramë. Numri total i konsumatorëve familjarë dhe jo-familjarë, të cilët kanë kaluar në statusin debitor gjatë vitit 2023, rezulton të jetë 564,509 konsumatorë familjarë dhe jo-familjarë.

 

Numri i konsumatorëve me problematikë në shlyerjen e pagesave të furnizimit me energji elektrike në afat është 276,567 konsumatorë debitor. Aktualisht rezulton se 287.942 konsumatorë mbajnë statusin e debitorit të marrë gjatë vitit 2023” thuhet në raportin vjetor të Entit.

 

Ky institucion argumenton se për shkak se debitë mblidhen në vlera të mëdha dhe shpesh të papërballueshme për konsumatorin për tu shlyer në një pagesë të vetme nga ana e FSHU sh.a., ofrohet mundësia e shlyerjes me këste të detyrimeve historike të tyre të prapambetura.

 

“Çdo vit me propozimin e Administratorit, Asambleja e Përgjithshme miraton kushtet e azhurnuara të marrëveshjeve tip që nënshkruajnë me konsumatorët për shlyerjen me këste” thuhet në dokument.

 

Në fakt në fillim të prillit OSHEE Group mori pikërisht këtë hap duke miratuar disa skema të reja lehtë2suese sipas kategorive të klientëve.

 

Përfitimet për secilën kategori klientësh që janë në fuqi parashikojnë që klientët familjarë që trajtohen me ndihmë ekonomike, pensionistët-kryefamiljarë, ose klientët me status të veçantë, mund të paguajnë detyrimet e prapambetura me këste fikse mujore 1,200 lekë.

 

Klientët e tjerë familjarë mund të paguajnë detyrimet e prapambetura me këste fikse mujore 2,800 lekë.

 

Klientët jo familjarë, buxhetorë dhe jo buxhetorë mund të paguajnë detyrimet e prapambetura me këste të përcaktuara në bazë të vlerës së debisë ku nga 100 deri në 300 mijë lekë të jenë 24 këste, nga mbi 300 mijë deri në 500 mijë deri mbi 1 milionë lekë ku numri i kësteve parashikohet jo më shumë se 120.

 

Burimi; Monitor https://www.monitor.al/energjia-raporti-276-mije-konsumatore-nuk-paguaje-faturat-ne-afat/


Më të lexuarat